Ndërlidhjet

Kosovë: Kuvendi e mbështet raportin e Agjencisë anti-korrupsion


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës, me disa vërejtje i ka dhënë mbështetje Raportit të Punës së Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, për vitin 2011.

Gjatë depatit parlamentar, ku u shqyrtua raporti me rekomandime të Komisionit për Legjislacion, Armend Zemaj, tha se ky komision ka kërkuar nga drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, që të ketë fokus më të madh në aspekte të veçanta, si dhe të rritet rezultati i punës.

Kurse deputeti Arben Gashi, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, mes tjerash tha se në këtë agjenci ekzistojnë probleme.

Kjo, sipas tij, vjen si rezultat i mungesave profesionale dhe i kapaciteteve ligjore. Gashi tha se AKK-ja ka kapacitete të limituara që të merret me hetim dhe përndjekje, duke theksuar se duhet të fillohet të mendohet fakti se çfarë duhet të bëhet me këtë agjenci dhe të ketë një adresë të saktë për luftën kundër korrupsionit.

Ndërkaq, deputetja Albulena Haxhiu, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, tha se ky raport është i gjymtë, ndërsa shtoi se AKK-ja nuk ka qenë efikase në luftën kundër korrupsionit.

Duke theksuar faktin se Vetëvendosje nuk do ta përkrah këtë raport, Haxhiu tha po ashtu se ky agjension duhet të marrë seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe të hartojë një strategji serioze. Në të kundërtën, sipas saj, do të jetë i kotë ekzistimi i institucioneve të tilla.

Ndërsa Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, theksoi se AKK-ja nuk mund ta luftojë korrupsionin nëse politika nuk e bën këtë.

Ai tha se për ta luftuar korrupsionin në mënyrë sistemore, duhet të gjitha institucionet ta bëjnë këtë, si dhe të ketë vullnet politik.

Megjithatë, ai konfirmoi se Aleanca do ta mbështesë raportin e Agjensisë Anti-Korrupsion.

Kështu që me disa vërejtje, në fund deputetët me shumicë votash i dhanë mbështetje këtij raporti të punës njëvjeçare.
XS
SM
MD
LG