Ndërlidhjet

Merkel, Holland: Greqia të mbetet në eurozonë


Angela Merkel dhe Fransua Holland
Angela Merkel dhe Fransua Holland
Presidenti i ri i Francës, Fransua Holland, është takuar me kancelaren gjermane, Angela Merkel mbrëmë vonë në Berlin.

Të dy liderët kanë shprehur dëshirën e tyre për ta parë Greqinë e trazuar me borxhe, që të mbetet në eurozonë, por ishte e qartë nga komentet e tyre se vizionet e tyre për kapërcimin e krizës aktuale në vendet e eurozonës, ishin të ndryshme.

Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimeve, kancelarja Angela Merkel tha se bisedimet ishin dominuar nga situata ekonomike në Evropë dhe kriza politike në Greqi.

Sipas saj, Franca dhe Gjermania dëshirojnë që Greqia të mbetet në eurozonë.

Çfarëdo që të bëjmë për ta ndihmuar Greqinë në aspektin strukturor, për ta ndihmuar me rritje, me organizim, ne dëshirojmë ta bëjmë këtë, dhe unë besoj se ne u pajtuam se Greqia i takon Bashkimit Evropian dhe eurogrupit dhe ne dëshirojmë ta promovojmë këtë”, tha Angela Merkel.

Por, presidenti i ri i Francës, Fransua Holland, që pat zhvilluar fushatë në politikën që thekson si primare masat për stimulim të rritjes ekonomike, para implementimit të programeve të kursimit, që janë treguar jopopullore në disa vende të eurozonës, ka indikuar se nuk e ka ndryshuar pikëpamjen e vet.

Shpresoj se se ne mund tu themi grekëve se Evropa është e gatshme t’i shtoj masat për ta ndihmuar rritjen dhe për ta mbështetur aktivitetin ekonomik, në mënyrë që të ketë kthim të rritjes në Greqi”, tha Holland.

Këto komente u bënë pasi partitë politike në Greqi kishin dështuar ta formojnë qeverinë pas zgjedhjeve të 6 majit.

Tash Greqia do të mbajë zgjedhje të reja në mes të muajit qershor dhe rezultatet e dobëta të partive që i kanë mbështetur masat e kursimit në këto zgjedhje, e kanë shtuar mundësinë, që Greqia eventualisht mund të tërhiqet nga eurozona.

Angela Merkel dhe Fransua Holland thanë se ata do ta respektojnë vendimin e votuesve grekë.

Mediat ndërkombëtare dhe analistët politikë kishin paralajmëruar se zonja Merkel nuk do t’i kishte raportet e njëjta me Hollandin sikur që i kishte me paraardhësin e tij, Nikollas Sarkozi.

Merkel dhe Holland i hodhën poshtë këto paralajmërime gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, derisa Merkel tha se bisedimet e saj me Hollandin treguan se qasja gjermane dhe ajo franceze për zgjidhjen e krizës aktuale ekonomike të eurozonës kanë “pika të përbashkëta”.

Nga ana e tij, Fransua Holland, ka theksuar nxitimin e tij për tu takuar me kancelaren Angela Merkel, në ditën e inaugurimit të tij, në mënyrë që ai dhe liderja gjermane të mund të fillonin koordinimin e aksioneve të tyre.

Merkel tha se shpreson se “Gjermania dhe Franca do t’i paraqesin idetë e tyre kolektivisht” në nxjerrjen e eurozonës jashtë krizës, në takimin kryesor në muajin qershor.

Fransua Holland tha se mbetet në qëndrimin e tij se rritja ekonomike është mënyra më e mirë për të dalë nga situata aktuale.

Çdo gjë duhet të paraqitet në tryezë, çdo gjë që mund të kontribuoj për rritje”, tha Holland.

Udhëtimi i zotit Holland në Gjermani ishte shtyrë, pasi aeroplani i tij u godit nga rrufeja dhe ai ishte kthyer në Paris, për të fluturuar me aeroplan tjetër.

Fransua Holland, që është presidenti i parë socialist në 17 vitet e fundit, e mori presidencën nga paraardhësi i tij, Nikollas Sarkozi, politikan i krahut të djathtë.

Në fjalimin e tij inaugurues ai ka bërë thirrje për “kompromis” lidhur me fokusin e udhëhequr nga Gjermania për kursim dhe tha se dëshiron që Evropën ta vendosë në “rrugë të re”. (f. b.)
XS
SM
MD
LG