Ndërlidhjet

Zgjedhjet greke më 17 qershor, gjykatësi kryeministër i përkohshëm


Zgjedhjet e 6 majit në Greqi.
Zgjedhjet e 6 majit në Greqi.
Greqia e goditur nga kriza do të mbajë sërish zgjedhje më 17 qershor, derisa një gjykatës i lartë do ta udhëheqë qeverinë e përkohshme deri në zgjedhje.

Liderët e partive politike, në takimin me presidentin Karolos Papoulias, u pajtuan për datën e zgjedhjeve.

Partitë, po ashtu, u pajtuan që Panagiotis Pikramenos, shefi i Gjykatës së lartë administrative, ta udhëheqë qeverinë e përkohshme.

Zgjedhjet e reja u bënë të domosdoshme, pasi që partitë dështuan të pajtohen për një koalicion qeverisës, pas zgjedhjeve të 6 majit, që nuk nxorën fitues vendimtar.

Asnjë subjekt politik nuk ka fituar shumicën e mjaftueshme për të formuar qeverinë, derisa shënuan rritje subjektet e krahut ekstrem të djathtë e të majtë, që janë kundër masave shtrënguese.

Ndërkohë, zgjedhjet ua hoqën dy partive kryesore politike, Pasokut socialist dhe partisë konservatore Demokracia e Re, shumicën e tyre parlamentare.

Pasok dhe Demokracia e Re kanë dominuar skenën politike të Greqisë që nga viti 1974, që nga përfundimi i diktaturës shtatëvjeçare ushtarake të Greqisë.

Kryeministri i propozuar, Pikramenos ka bërë shaka të mërkurën, me emrin e tij, që në përkthimi i bie, “I hidhur”, duke thënë se i shkon atij, si kryeministër i fundit i epokës së dominuar nga Pasok dhe Demokracia e Re.

Të dy partitë, që kanë qeverisur me një koalicion jo të lehtë deri më 6 maj, janë mbështetës të pakos së shpëtimit, për të cilën janë pajtuar me Bashkimin Evropian dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Partia radikale e majtë, Syriza, doli e dyta më 6 maj pas një fushate të egër kundër masave të kursimit dhe kundër BE-së.

Sondazhet tregojnë se Syriza dhe partitë tjera të majta që kundërshtojnë masat e kursimit, të cilat janë ndërmarrë në këmbim të kredisë së shpëtimit për të shmangur falimentimin, do të fitojnë sërish në zgjedhje.

Majtistët argumentojnë se mund t’ia dalin pa pako shpëtimi, e në të njëjtën kohë, ta ruajnë euron.

Liderët evropianë, megjithatë, kanë paralajmëruar se nëse Greqia dështon të përmbushë zotimet e saj, huadhënësit, nuk do të lëshojnë paratë, duke e shtyrë Greqinë drejt falimentimit dhe drejt daljes nga eurozona.

Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, tha në Bruksel se nuk ka mundësi që Greqia t’i ndryshojë kushtet e marrëveshjes së pakos së shpëtimit prej 130 miliardë eurosh.

Ai tha se BE-ja dëshiron që Greqia të mbesë në eurozonë, por duhet të përmbushë obligimet e saj.

“Përkushtimet e ndërmarra nga Greqia dhe nga shtetet anëtare të eurozonës duhet të mbahen, jo sepse BE dhe euruzona dëshirojnë këtë gjë, por, sepse nuk ka altrenativë më pak të dhimbshme dhe me më pak vështirësi”, tha Barroso.

Kreu i Bankës Qendrore Evropiane Mario Dragi, po ashtu tha se “preferencë e fuqishme” e menaxhmentit të bankës është që Athina të mbetet në zonën që përdorë valutën e njëjtë,

Grekët, ndërkohë, raportohet se kanë tërhequr të paktën, 700 milionë euro nga bankat në ditët e fundit.

Shqetësimet se Greqia mund ta braktisë eurozonën, kanë bërë që euro të bie në nivelin më të ulët në katër muajt e fundit në raport me dollarin amerikan- ku një euro, shkëmbehej me 1.27 dollarë.(a.i.)
XS
SM
MD
LG