Ndërlidhjet

Abetarja e përbashkët e Shqipërisë dhe e Kosovës


Promovimi i Abetarës së përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës.
Promovimi i Abetarës së përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës.
Drejtuesit e institucioneve të larta të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, të enjten janë takuar në qytetin e Prizrenit, për të promovuar Abetaren e përbashkët të këtyre dy vendeve.

Promovimin e Abetares së përbashkët, ata e kanë quajtur moment të rëndësishëm historik për kombin shqiptar.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me këtë rast, ka theksuar se Abetarja e përbashkët është libri bazë dhe më i rëndësishëm i kulturës dhe arsimit në gjuhën shqipe. Krijimin e Abetares së përbashkët ai e ka quajtur “arritje historike”.

“Sot është një ditë historike për kombin, kulturën dhe qytetërimin shqiptar. Sot po e prezantojmë për herë të parë Abetaren e përbashkët të shqiptarëve, për herë të parë në historinë e kombit shqiptar. Kjo është e arritur historike. Është Abetarja e parë e përbashkët, e bashkautorëve nga Shqipëria dhe Kosova”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Ai ka theksuar se promovimi i Abetares së përbashkët ka ndodhur jo rastësisht në qytetin e Prizren, duke e quajtur këtë të fundit si kryeqytet shpirtëror të shqiptarëve.

Ndërkaq, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, ka theksuar se kombi shqiptar nuk ka qenë kurrë më i bashkuar dhe më i sigurt se sa tash, në kohën kur edhe u promovua Abetarja e parë e përbashkët.



Në ceremoninë e promovimit Berisha ka thënë se kjo Abetare shënon arritjen historike të përpjekjes së shqiptarëve për mbrojtjen, zhvillimin dhe kultivimin e kulturës së tyre, si dhe vendosjen e saj në themelet e së ardhmes së tyre evropiane.

“Të vendosur në të ardhmen tonë evropiane, kombi shqiptar, kurrë në historinë e tij nuk ka qenë më i bashkuar, më i sigurt në të ardhmen e tij që e meriton”.

“Abetarja është margaritari i kurorës së 100-vjetorit të Shqipërisë së pavarur, dhurata më e bukur që njerëzit e dijes mund t’i bënin Shqipërisë dhe shqiptarëve. Të dashur fëmijë, Abetarja ju dorëzohet juve, sot, pas 160 vjet përpjekjesh mbinjerëzore për liri dhe dinjitet të shqiptarëve”, është shprehur kryeministri Berisha.

Ai ka shtuar se sot shqiptarët janë më të vendosur se kurrë që të punojnë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë. Por, gjithashtu, ai ka porositur fqinjët e shqiptarëve që të heqin dorë nga, siç e quajti ai, shqiptaro-fobia.

“Nga Prizreni duam t’u themi fqinjëve tanë ‘çlirohuni nga shqiptaro-fobia. Ajo është një mbeturinë e primitivizmit e të trashëguarit tuaj. Shqiptarët janë një komb, i cili di të ruajë dhe të mbajë miqësitë”.

“Por, gaboheni rëndë në qoftë se vazhdoni të shfaqni shqiptaro-fobinë tuaj, me skena si ato të Preshevës, të cilat faktojnë se shumë prej jush jeni akoma në stadet primitive”
, ka theksuar Berisha.

Ndryshe, teksti fitues për Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë ishte përzgjedhur më 24 prill të këtij viti. Teksti ka katër bashkë-autorë, Shezai Rrokajn dhe Mimoza Gjokutajn nga Shqipëria, si dhe Islam Krasniqin dhe Saranda Kumonova-Pozhegun nga Kosova.

Abetarja e përbashkët është realizuar me nismën e dy ministrive të Arsimit, të Shqipërisë dhe Kosovës, gjë që do të vazhdojë edhe lidhur me unifikimin e teksteve të tjera shkollore.
XS
SM
MD
LG