Ndërlidhjet

logo-print

Rasti Mlladiq: Gabimet e prokurorisë shtyjnë gjykimin

  • RFE /RL

Gjykatësi Alfons Ori, foto nga arkivi

Gjykatësi Alfons Ori, foto nga arkivi

Alfons Ori, kryesuesi i panelit gjyqësor në gjykimin e Ratko Mlladiqit, ka shtyrë për një afat të pacaktuar procesin gjyqësor, për shkak të mënyrës së paraqitjes së provave nga prokuroria.

Pezullimi erdhi vetëm një ditë pas fillimit të shumëpritur të këtij procesi gjyqësor.

Prokuroria e Tribunalit Ndërkombëtar në Hagë nuk ia ka dorëzuar disa dëshmi mbrojtjes së Mlladiqit, për çka ka qenë ligjërisht e detyruar ta bëjë.

Sipas rregullave në fuqi, mbrojtja duhet të ketë të drejtën të studiojë provat e prokurorisë, para fillimit të gjykimit.

Nuk dihet saktësisht e për çfarë provash bëhet fjalë.

Ori ka thënë se gjykatësit janë duke analizuar pasojat e këtij veprimi.

Gjykatësi ka thënë gjithashtu se gjykimi do të vazhdojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Prokuroria ka pranuar gabimet që ka bërë dhe nuk është ankuar në vendimin për të shtyrë gjykimin.

Mbrojtja e Mlladiqit, ndërkaq, ka kërkuar një pushim gjashtëmujor të gjykimit.

Në ditën e dytë të gjykimit të ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, prokurorët e Tribunalit të Hagës kishin paralajmëruar paraqitjen e provave që tregojnë se trupat e komanduara nga ai, kanë qenë përgjegjëse për vrasjen e rreth 8,000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë.

Masakra në qytetin verilindor të Bosnjës është vlerësuar si mizoria më e madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Mlladiq, 70 vjeç, përballet me 11 akuza, që përfshijnë edhe gjenocidin në Srebrenicë.

Prokurorët po ashtu kanë thënë se ai ka udhëhequr fushatën kriminale për shfarosjen e myslimanëve, kroatëve dhe joserbëve të tjerë nga Bosnja, si dhe për krijimin e “Serbisë së Madhe”.

Mlladiq i ka hedhur poshtë akuzat si të pabaza. Nëse shpallet fajtor, Mlladiq mund të përballet me burgim të përjetshëm. (a.v.)
XS
SM
MD
LG