Ndërlidhjet

G8 nën hijen e krizës në eurozonë


Kamp Dejvid, rezidencë presidenciale e SHBA-së, që këtë vit, shërben si vendtakim i G8-ës

Kamp Dejvid, rezidencë presidenciale e SHBA-së, që këtë vit, shërben si vendtakim i G8-ës

Udhëheqësit e ekonomive kryesore të botës mblidhen sot në verilindje të Shteteve të Bashkuara për një samit dy-ditor të G8-së, në të cilin pritet të dominojë thellimi i krizës në eurozonë.

Qetësia në Kamp Dejvid, rezidencë presidenciale e SHBA-së, që këtë vit, shërben si vendtakim i G8-ës, bie ndesh me panikun që kërcënohet të shkaktohet nga kriza, me Greqinë në prag të falimentimit dhe ekonomitë botërore që po përgatiten për më të keqen.

Më 17 maj, kryeministri britanik Dejvid Kameron paralajmëroi për rrezikun potencial.

"Eurozona është në një udhëkryq. Ajo ose duhet të zgjidhë problemet e saj, ose do të përballet më shpërbërjen e saj eventuale”, ka thënë Kameron.

Presidenti amerikan Barak Obama do të presë Kameronin, sikurse edhe krerët e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë. Në mungesë të presidentit rus Vlladimir Putin, numri dy në Moskë, kryeministri Dimitri Medvedev, do të jetë gjithashtu i pranishëm.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit e disa organizatave ndërkombëtare do të jenë atje po ashtu.

Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësimin se kriza e borxhit në Evropë mund të rrezikojnë rimëkëmbjen e brishtë amerikane, dhe Kanadaja e Japonia po ashtu do të theksojnë para evropianëve në samit, se edhe ato shqetësohen rreth pasojave globale të asaj që po ndodh.

Në të vërtetë, kriza ka vazhduar të dalë në pah në ditët e fundit.

Grekët kanë tërhequr rreth 3 miliardë euro nga bankat që nga zgjedhjet e 6 majit, të cilat nuk nxorën fitues vendimtar.

Me rritjen e votave për partitë, që kundërshtojnë masat shtrënguese, analistët paralajmërojnë se nëse qeveria e re që del nga zgjedhjet e qershorit, kundërshton kushtet e planit ndërkombëtar të shpëtimit, është e mundshme dalja e Athinës nga eurozona.

Rezultati do të ishte katastrofik, dhe do të minonte besimin e investitorëve në Itali e Spanjë, ku kostoja e huamarrjes ka prekur qiellin.

Nga atje, efekti do të përhapej globalisht, dhe zyrtarët evropianë, tashmë kanë folur, për “pasojat e paparashikueshme”.

Në Kamp Dejvid, nuk mund të arrihet ndonjë përparim i shpejtë.

Qasja e Oabmës pro-rritjes ekonomike për të tejkaluar problemet financiare do të marrë një nxitje me debutimin e kryeministrit italian Mario Monti dhe presidentit të ri francez Fransua Holland në samitin e G8-ës.

Shtëpia e Bardhë tha se Obama dhe Monti ranë dakord “mbi nevojën për intensifikimin e përpjekjeve për të nxitur rritjen” në një bisedë telefonike të zhvilluar më 15 maj.

Menjëherë para samitit, Obama do të takohet me Holland, i cili është zotuar për zbutjen e masave shtrënguese, të cilat kontribuuan në humbjen e paraardhësit të tij, Nikolas Sarkozi.

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të jetë e shtyrë të tregojë fleksibilitet më të madh në ritmin dhe mjetet me të cilat anëtarët e eurozonës i trajtojnë borxhet e tyre masive, thotë Uri Dadush, ish-drejtor i politikave ekonomike në Bankën Botërore:

"Unë pres një presion më të madh mbi zonjën Merkel, veçanërisht në lidhje me një politikë më ekspansioniste monetare, dhe gjithashtu, pres një presion, që t’i lejohet një liri veprimi Bankës Qendrore Evropiane në lidhje me politikat e veta ekspansioniste. Por, më duhet të them, se të gjithë në këtë takim do të jenë të vetëdijshëm për faktin se Gjermania, mund të bëjë vetëm kaq”, tha Dadush.

Obama gjithashtu do të diskutojë me udhëheqësit evropianë reagimet potenciale ndaj presionit në tregjet e naftës, duke përfshirë, ndoshta, lirimin e rezervave strategjike të naftës, para se sanksionet e reja kundër naftës që importohet nga Irani, të hyjnë në fuqi në këtë verë.

Shfaqja e fytyrave të reja në G8 këtë vit vjen së bashku me mungesën e dukshme të një të vjetre – atë të presidentit rus Vlladimir Putin, i cili tha se është i zënë me formimin e qeverisë të në Moskë.

Shumë vëzhgues thonë se veprimi i tij është një mospërfillje, që vjen në mesin e tensioneve të vazhdueshme me Perëndimin në lidhje me mburojën raketore dhe të drejtat e njeriut.

Xhejms Kollins nga i institutit Carnegie, ka qenë ambasador i SHBA-së në Rusi nga viti 1997 deri në vitin 2001. Ai thotë se mungesa e Putinit do të ndihet në një tubim ku avancimi i marrëdhënieve personale është objektivi qendror:

Dërgimi i Medvedevit, supozoj se është një sinjal se ai dëshiron të marrë pjesë, edhe pse në mënyrë indirekte. Në anën tjetër, mungesa e tij, nënkupton se në këtë takim të G8-ës po mungon një aktor serioz i ri në bllok, ku mendoj se njerëzit, do të kishin qenë të interesuar të dëgjonin pikëpamjet e tij”, tha Kollins.

Analistët tjerë sugjerojnë se Putini mund të ketë vendosur që të shmangë diskutimet për hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren në lidhje me Iranin, dhe në veçanti, aleaten e Moskës, Sirinë.

Liderët e G8-ës pritet të karahasojnë qëndrimet mbi Lindjen e Mesme dhe të riafirmojnë mbështetjen e tyre për tranzicionin demokratik.

Prania e Rusisë në G8 do të nënkuptojë se asnjë dënim për presidentin sirian Bashar al-Asad nuk pritet në konkluzat e samitit.

Në rrafshin e zhvillimit, samiti i këtij viti do të fokusohet në sigurinë e ushqimit, duke mbajtur një sy kah Afrika.

Obama i ka ftuar liderët e Beninit, Etiopisë, Ganës dhe Tanzanisë në Kamp Dejvid, ku G8 do të rishqyrtojë zotimet e 2009-ës mbi zhvillimin e bujqësisë, shumica nga të cilat ende nuk janë përmbushur.

Ndryshimet klimatike, mospërhapja e armëve bërthamore dhe Koreja Veriore, po ashtu do të jenë subjekt bisedimesh.

Afganistani do të jetë në qendër të bisedimeve në samitin e NATO-s në Çikago, që nis të dielën më 20 maj, menjëherë pas mbylljes së samitit të G8-ës.(a.i.)
XS
SM
MD
LG