Ndërlidhjet

logo-print

Instituti Demokratik i Kosovës / Transparency International Kosova ka shprehur shqetësimet lidhur me rolin e Parlamentit në luftën kundër korrupsionit, raportin vjetor të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, strategjinë kundër korrupsionit dhe deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë.

Në konferencën për media, Merita Mustafa, menaxhere e programit kundër korrupsion të Institutit Demokratik të Kosovës, theksoi se raporti i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsion për vitin 2011, nxjerr në pah, sipas saj, rezultatet minore të kësaj agjencie.

Të gjitha të dhënat në këtë raport tregojnë se ndikimi i kësaj agjencie kundër korrupsionit tek organet e ndjekjes është simbolik e që përfundon me gjithsej 6 arrestime, që nga themelimi i saj”.

Një element tjetër, i cili gjithashtu e vë në pikëpyetje punën e kësaj agjencie dhe pavarësinë e saj, është anashkalimi dhe mos-verifikimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë brenda dy institucioneve kryesore të shtetit, që janë Qeveria dhe Gjyqësori, të cilat njëkohësisht edhe dyshohen se janë dy segmentet më të korruptuara të shtetit tonë”, tha Mustafa.

Menaxherja Merita Mustafa, gjithashtu, kritikoi organin më të lartë ligjvënës të Kosovës, siç tha ajo, për indiferencën ndaj raportit të Agjencisë Kosovare Kundër-korrupsion, raport mbi të cilin Instituti Demokratik i Kosovës i bazon kritikat.

Edhe përkundër këtyre fakteve, Kuvendi i Kosovës ndonëse është organi më i lartë i shtetit tonë, dhe i cili duhet të jetë zëri i qytetarëve, vazhdon të tregojë një indiferencë të skajshme ndaj këtij raporti dhe ndaj këtyre të dhënave, duke e aprovuar këtë raport dhe duke e shqyrtuar atë në prani të vetëm një ministri”.
Ky rast, po ashtu, tregon se lufta kundër korrupsionit në vendin tonë është vetëm një parullë politike dhe asgjë më shumë.


Ndërkohë që diskutimi është bërë vetëm në emër të grupeve parlamentare. Ky rast, po ashtu, tregon se lufta kundër korrupsionit në vendin tonë është vetëm një parullë politike dhe asgjë më shumë”, u shpreh Mustafa.

Ndryshe, Instituti Demokratik i Kosovës kritikoi edhe strategjinë kundër korrupsionit, për, siç është thënë, mangësitë e saj.

Kujtim Bytyçi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, theksoi se strategjia e tanishme ka mangësi në studimin dhe hulumtimin e shkaqeve, natyrës dhe shkallës së korrupsionit në nivel të vendit.

Sfida kryesore që nxirret në këtë strategji është krijimi i besimit të qytetarit në institucionet e vendit. Si mund të krijohet besimi i qytetarëve në institucionet e vendit, përderisa nuk ka vullnet politik dhe mbështetje të këtyre institucioneve karshi luftimit të krimit të organizuar”.

Si rrjedhojë, KDI konsideron se ky dokument është vetëm retorik dhe si i tillë nuk mund ta luftojë dhe as të ndikojë, aspak, në mënjanimin e dukurive korruptive. Kjo situatë na dëshmon se vullneti i Parlamentit dhe Qeverisë për t’u përballur me këtë fenomen nuk ekziston”, tha Bytyçi.

Në anën tjetër, ndaj kritikave të Institutit Demokratik të Kosovës, të cilat i ka bërë në adresë të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, ka reaguar drejtuesi i kësaj të fundit, Hasan Preteni.

Ai i ka quajtur vlerësime joserioze dhe joprofesionale ato të KDI-së lidhur me raportin e kësaj agjencie, duke theksuar se agjencia i kryen të gjitha obligimet, të cilat i ka në përputhje me ligjin.

Hasan Preteni

Hasan Preteni

Agjencia, përfundimisht, i kryen të gjitha obligimet, të cilat i bën në përputhje me Ligjin për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë. Kurse, pjesën e prejardhjes së pasurisë, nuk është çështje që nuk e punon agjencia, por prejardhja e pasurisë, vërtetimi i prejardhjes së pasurisë nuk është e caktuar me ligj”.

Po të shikohet raporti i punës së agjencisë, do të shihet se çka bëjmë ne me ata formularë për deklarimin e pasurisë dhe kërkesat tona të vazhdueshme janë që edhe pjesa e vërtetësisë së prejardhjes së pasurisë të përcaktohet me ligj”, ka deklaruar Preteni.

Ai ka shtuar që adresimi i kritikave nuk duhet të bëhet drejt agjencisë, por drejt Kuvendit të Kosovës, që ai ta ndërrojë legjislacionin, ndërkaq që, siç ka thënë ai, agjencia do ta zbatojë atë legjislacion që është në fuqi.

Ndryshe, përfaqësuesit e Institutit Demokratik i Kosovës theksuan se për të dalë nga situata ku korrupsioni po shndërrohet në kulturë, alternativa e vetme është vullneti politik, i cili mund të shndërrohet në veprime konkrete kundër korrupsionit.

Në këtë kuadër, sipas këtij instituti, duhet bërë: kompletimi i ligjeve kundër korrupsionit, me theks të veçantë, aprovimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, krijimin e një strategjie, e cila do ta adresonte drejtë nivelin dhe shkaqet e korrupsionit, si dhe krijimin e një gjykate speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Lexoni më shumë:
Monitor Corruptus në www.evropaelire.org
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG