Ndërlidhjet

Kushtetuta e Maqedonisë duhet të rifreskohet


Kuvendi i Maqedonisë. (Foto nga arkivi)

Kuvendi i Maqedonisë. (Foto nga arkivi)

Margarita Caca-Nikollovska, ish-gjykatëse në Gjykatën e Strasburgut, thotë se Kushtetuta e Maqedonisë duhet të rifreskohet sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ku në shumë dimensione, siç shprehet ajo, ka “vrima të errëta”, përmes së cilave krijohen mundësi të amnistohen institucionet që bëjnë shkelje në këtë drejtim.

”Sa u përket ndryshimeve kushtetuese, si çështje që kërkon zgjidhje emergjente, është aspekti i të drejtave të njeriut. Mendoj se këtu duhet bërë disa ndryshime; t’u mundësohet institucioneve të veprojnë konform Kushtetutës, nëse në forma të caktuara në shoqëri kërcënohen të drejtat e njeriut”, thotë Margarita Caca-Nikollovska, eksperte për çështje juridike.

Ndërkaq, Osman Kadriu, ligjërues i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin Shtetëror të Tetovës, konsideron se Kushtetuta e Maqedonisë në shumë pjesë të saj gjeneron krizë, veçanërisht sa i përket çështjeve që prekin interesat e shqiptarëve.
Ka nevojë për disa ndryshime, veçanërisht pjesët që prekin statusin juridik dhe politik të shqiptarëve në Maqedoni.


“Ka nevojë për disa ndryshime, veçanërisht pjesët që prekin statusin juridik dhe politik të shqiptarëve në Maqedoni. Çështja e gjuhës duhet të precizohet saktë në Kushtetutë, ngase në këtë formë siç është e definuar, parashtrohet pyetja nëse është ose jo e garantuar si gjuhë e dytë zyrtare gjuha shqipe. Pra, ajo taksativisht duhet të emërohet me emër dhe mbiemër dhe jo të definohet si ‘edhe gjuha e popullsisë, të cilën e flasin mbi 20 për qind’ “.

”E dyta, çështja e simboleve nuk është e definuar mirë. Dhe, e treta, që është çështje shumë delikate, është çështja e miratimit të vendimeve të karakterit juridik dhe politik që kanë të bëjnë me çështjet nacionale. Aty duhet të theksohet se duhet të zbatohet shumica e Bandinterit (Parimi i Badinterit- votimi i dyfishtë), gjatë vendimmarrjes në të gjitha institucionet shtetërore”, vlerëson Kadriu.

Ndryshe, partitë shqiptare janë paraqitur të ndara lidhur me propozimin e LSDM-së, për ndryshime kushtetuese.

Partia shqiptare në pushtet, BDI, konsideron se nuk është koha për iniciativa e ndryshime në Kushtetutë. Deputetja e kësaj partie, Suzana Saliu, thotë se më e rëndësishme se ndërhyrjet në pjesën e privatizimit, është inkorporimi i dispozitave të qarta ligjore në Kushtetutë.

Me këtë, do të definohej përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare, me qëllim që të eliminohen barrierat e ndryshme si pasojë e mungesës së vullnetit politik që ajo të mos implementohet në praktikë ashtu siç parashihet me Ligjin e përdorimit të gjuhëve.

Ndërsa, partia shqiptare në opozitë, PDSH, në parim është shprehur pro ndryshimeve kushtetuese, por kërkon që marrëveshja politike që ofron kjo parti, të jetë pjesë e ndryshimeve kushtetuese dhe pastaj edhe ligjore, e që ka të bëjë me funksionimin e Maqedonisë në mënyrë konsensuale ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, njëherësh duke garantuar të gjitha të drejtat e bashkësive tjera etnike që jetojnë në Maqedoni.

Kushtetuta e Maqedonisë është miratuar në vitin 1991. Brenda 20 vjetëve ka pësuar 7, gjegjësisht 8 herë ndryshime. Pjesa më e madhe e këtyre ndryshimeve është bërë gjatë inkorporimit të Marrëveshjes së Ohrit në Kushtetutë, me ç’rast janë shtuar disa dispozita ligjore që kanë të bëjnë me karakterin multi-etnik të shtetit.
XS
SM
MD
LG