Ndërlidhjet

Obama mirëpret liderët e G8-s


 Presidenti amerikan, Barak Obama, ai francez Fransua Holland, kryeministri britanik Dejvid Kamerun, ai rus Dmitry Medvedev dhe kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë drekës para samitit të G8-s në Kemp Dejvid.
Presidenti amerikan, Barak Obama, ai francez Fransua Holland, kryeministri britanik Dejvid Kamerun, ai rus Dmitry Medvedev dhe kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë drekës para samitit të G8-s në Kemp Dejvid.
Presidenti amerikan, Barak Obama, mirëpriti liderët botërorë në hapjen e samitit të tetë ekonomive më të mëdha botërore, apo G8, që mbahet në rezidencën presidenciale, Kamp Dejvid.

Takimi dyditor ka të ngjarë që të fokusohet në krizën e borxheve greke dhe krizën e përgjithshme të eurozonës.

Megjithatë, bisedimet e së premtes, raportohet se kanë prekur edhe programin kundërthënës bërthamor të Iranit, trazirat e vazhdueshme në Siri, si dhe Korenë Veriore.

Përpara takimit, Obama sinjalizoi mbështetjen e tij për më shumë stimuj për Evropën e pllakosur nga recesioni. Ai e ka bërë këtë qëndrim të ditur në Shtëpinë e Bardhë gjatë bisedimeve me presidentin e ri francez, Fransua Holland.

“Ne po presim një diskutim të frytshëm më vonë në këtë mbrëmje dhe nesër me udhëheqësit e tjerë të G8-s, se si mund të arrijmë një qasje të përgjegjshme ndaj konsolidimit fiskal të shoqëruar me një agjendë të rritjes së fortë", tha Obama.

Holland i tha presidentit amerikan se si ai do t’i qëndrojë besnik premtimit bërë gjatë fushatës se do të tërheqë trupat franceze nga Afganistani deri në fund të vitit, por sinjalizoi se kjo nuk do të thotë përfundim i përfshirjes franceze në vend.

Në margjinat e samitit, liderët e BE-së kanë shfaqur dëshirën e tyre që Greqia të mbetet edhe më tej në eurozonë.

Presidenti i Këshillit Evropian, Herman van Rompei, tha në një konferencë në Kamp Dejvid të SHBA-së, para nisjes së samitit të G8-s, se Evropa nuk do të heqë dorë nga planet e saj për Greqinë dhe eurozonën.

"Sa i përket Evropës, mesazhi im është i drejtpërdrejtë: Ne jemi të vendosur që të qëndrojmë në këtë rrugë. Do të ndjekim strategji gjithëpërfshirëse për të ulur deficitin dhe borxhet dhe për të rritur ekonominë dhe krijimin e vendeve të punës”, tha Rompei.

Duke folur krahas Rompeit, Hoze Manuel Barroso, presidenti i Komisionit Evropian, kërkoi nga Greqia që t’i përmbushë përkushtimet.

"Dëshiroj të riafirmoj qartë se e duam Greqinë brenda eurozonës. Greqia është pjesë e familjes evropiane, dhe pjesë e projektit të euros dhe e Bashkimit Evropian, dhe jam i sigurt se do të bëjmë gjithçka është e mundur për ta ruajtur këtë. Ne presim që autoritetet greke t’i përmbushin premtimet për marrëveshjen për ndihmë fiskale. Është e rëndësishme që edhe Greqia edhe anëtaret e eurozonës të respektojnë përkushtimet”, theksoi Barroso, duke shtuar se kjo do të ndihmonte në ruajtjen e besimit në eurozonë

Kriza e gjatë ekonomike e Greqisë, është shndërruar edhe në krizë të plotë politike, meqë partitë që kundërshtojnë kushtet e pakos së shpëtimit në vlerë prej 130 miliardë eurosh, kanë shënuar rritje në zgjedhjet e 6 majit, duke e lënë vendin pa një qeveri dhe duke rritur shanset e mospërmbushjes së kushteve.

Zgjedhjet e reja priten më 17 qershor, derisa sërish pritet që partitë kundërshtuese të pakos, të shënojnë rritje tjera.(a.i.)
XS
SM
MD
LG