Ndërlidhjet

Maqedoni: Pritjet nga Samiti i Çikagos


Shkup (Foto nga arkivi)
Shkup (Foto nga arkivi)
Maqedonia i ka përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim në NATO, por ky proces po pengohet pa të drejtë nga fqinji jugor, i cili, anëtarësimin e kushtëzon me heqjen dorë nga emri i shtetit dhe identiteti nacional, gjuhësor e kulturor.

Këtë qëndrim, drejtuesit e institucioneve e përsërisin në vazhdimësi, duke mos bërë përjashtim as tani, një ditë para Samitit të NATO-s, në Çikago, ku Maqedonia përfaqësohet nga presidenti Gjorgje Ivanov, i cili, paraprakisht kishte bërë thirrje për zhbllokimin e procesit integrues të Maqedonisë.

Ndërkohë, sa i përket çështjes së emrit, zyrtarët thonë se Maqedonia mbetet e përkushtuar për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme.

“Absolutisht, ne jemi të përkushtuar në procesin e gjetjes së një zgjidhjeje të përbashkët. Kjo është ajo politikë, të cilën në kontinuitet e kemi ndjekur, e që do të vazhdojmë edhe në të ardhmen ta ndjekim”, deklaron ministri i Jashtëm, Nikolla Poposki, duke pritur një qasje realiste ndaj Maqedonisë në Samitin e NATO-s.

Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare thonë se Maqedonia ka bërë shumë pak për arritjen e këtij kompromisi, andaj edhe nuk duhet të presë asgjë spektakulare nga Samiti në Çikago.

“Politika zyrtare maqedonase vlerësonte se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është i mjaftueshëm dhe ajo duhet të paraqesë biletë të drejtpërdrejtë për anëtarësim në NATO. Kurse, nga ana tjetër, të gjitha organizatat tjera relevante ndërkombëtare thoshin se ky vendim, ashtu siç është, duhet të paraqes nxitje për intensifikimin e bisedimeve për zgjidhjen e çështje së emrit, pra jo për anëtarësimin direkt në NATO”, thotë profesori Stevo Pendarovski.

Artan Sadiku, analist politik, thotë se Maqedonia alternativë tjetër përveç NATO-s nuk ka, andaj pas samitit në Çikago duhet të ketë ndryshime rrënjësore në drejtimin e politikës shtetërore.

“Besoj se ardhmëria e Maqedonisë qëndron te guximi i qytetarëve të Maqedonisë që të sfidojnë politikisht klasën e tanishme politike. Gjithë sfida qëndron brenda shtetit që nënkupton një revolucion të brendshëm politik me një klasë të re politike, e cila do ta ndajë çështjen e emrit nga çështja e identitetit dhe do t’i qasej në mënyrë më pragmatike zgjidhjes së çështjes së emrit”, shprehet Sadiku.

Në këtë drejtim, ish-diplomati Nano Ruzhin, shprehet:

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që çdo sinjal që vjen nga samiti ta shqyrtojmë, ta analizojmë dhe njëkohësisht, këtu në Maqedoni, të ketë një ndjenjë më të lartë të përgjegjësisë dhe më shumë aktivitete pasi me sa kam njohuri, Këshilli për euro-integrime, me të cilin kryeson kryeministri Gruevski, shumë rrallë apo fare nuk është takuar në dy vitet e fundit”.

Por, ndryshe mendon Bllagoja Markovski, drejtues i Forumit Ballkanik të Sigurisë.

“Maqedonia duhet që interesat e saj t’i zgjerojë edhe jashtë BE-së dhe NATO-s, përkatësisht edhe çështjet e sigurisë, të demokracisë dhe të ekonomisë t’i zhvillojë në bashkëpunim apo në krijimin e raporteve të reja miqësore dhe të bashkëpunimit edhe me vendet e Evropës Juglindore, me shtetet tjera të Azisë, e pse jo edhe me ato të ish-Bashkimit Sovjetik”, vlerëson Markovski.
XS
SM
MD
LG