Ndërlidhjet

Çikago gati për Samitin e NATO-s

  • RFE /RL

Pano reklamuese për samitin e ardhshëm të shefave të NATO-s në Çikago.

Pano reklamuese për samitin e ardhshëm të shefave të NATO-s në Çikago.

Shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, kanë filluar të mblidhen në Çikago, qytetin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, ku nesër dhe pasnesër zhvillohet samiti i NATO-s në 63-vjetorin e ekzistimit të kësaj aleance.

Një varg temash janë caktuar për këtë samit, ndërsa në deklaratën përfundimtare të tij pritet të vlerësohet edhe puna e deritashme e NATO-s në Kosovë, ku përmes operacionit të KFOR-it, aleanca me partnerët e vet është duke vazhduar të krijojë një ambient të sigurt.

Rajoni i Ballkanit do të jetë temë e diskutimeve, po ashtu, edhe në disa takime në margjinat e këtij samiti të NATO-s dhe atë në takime të ndara të ministrave të Mbrojtjes dhe ministrave të Jashtëm.

Pritet që edhe nga ky samit NATO-ja të përsërisë përkushtimin për të vazhduar kontributin në rajonin e Ballkanit, por edhe për të vazhduar procesin e zgjerimit të aleancës përmes vazhdimit të politikës së dyerve të hapura.

Sa i përket rajonit të Ballkanit, në NATO pohojnë se pavarësisht sfidave që ekzistojnë ende në këtë rajon, ai është i qetë dhe është arritur përparim i dukshëm në aspektin e sigurisë.

Si dëshmi e suksesit të NATO-s përmendet edhe fakti se tashmë Shqipëria dhe Kroacia janë vende të barabarta anëtare të NATO-s, të cilat ndihmojnë në operacionet e tjera nëpër botë. Ndërkohë që vendet tjera të rajonit janë ose në procesin e planit të veprimit për anëtarësim ose partnerë të NATO-s.

Por, tema më të vështira sesa Ballkani në këtë samit, do të jenë Afganistani dhe plani i NATO-s për të përmbyllur operacionin ushtarak në këtë shtet deri në vitin 2014.

Angazhimi kryesor i shefave të shteteve të NATO-s në këtë samit do të jetë edhe transformimi i aleancës për t’u përgatitur për përballjen me sfidat e reja të sigurisë, të cilat janë të ndryshme nga ato që ishin në rastin e ndërhyrjeve në Bosnje dhe Kosovë.

Presidenti amerikan, Barak Obama, është shprehur jashtëzakonisht i lumtur se pikërisht nën qytetin e tij zhvillohet samiti i NATO-s. Ai ka thënë se Çikago është një vend i përsosur për të forcuar lidhjen ndërmjet SHBA-së e Kanadasë me partnerët e tyre në Evropë.

Edhe ky samit është duke u zhvilluar nën masa të rrepta të sigurisë, ndërsa në qytet gjatë ditës ka pasur disa protesta.
XS
SM
MD
LG