Ndërlidhjet

Lajçak paralajmëron format të ri të dialogut Kosovë-Serbi


Miroslav Lajçak
Miroslav Lajçak
Pas formimit të qeverisë në Serbi, do të pasojë një format i ri i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, thotë ministri i Punëve të Jashtme i Sllovakisë, Miroslav Lajçak.

Ai, megjithatë, nuk zbulon detaje të këtij koncepti, por komenton se diçka duhet të ndryshojë, në mënyrë që dialogu të jetë efektiv.

Lajçak i ka bërë këto komente për të përditshmen e Beogradit, "Veçernje Novosti".

Vazhdimi i dialogut me Kosovën është një nga kushtet që Bashkimi Evropian ia ka vënë Serbisë, para se t’ia caktojë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim.

Serbia ka marrë tashmë statusin e kandidates për në BE, dhe një nga kriteret e plotësuara ka qene dialogu me Kosovën i zhvilluar në Bruskel, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Kosova, si shpërblim për këtë dialog, ka marrë studimin e fizibilitetit.

Dialogu aktualisht është pezulluar për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Serbi.

Ndryshe, në 9 raunde negociatash në Bruksel, janë arritur 7 marrëveshje, zbatimi i të cilave edhe më tej lë shumë për të dëshiruar, me palët që fajësojnë njëra-tjetrën për ngecjen e tyre.(a.i.)
XS
SM
MD
LG