Ndërlidhjet

logo-print

G8: Trajtohen shqetësimet ekonomike

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Liderët e ekonomive të mëdha botërore janë takuar në ditën e dytë të samitit të G8-s, që është dominuar nga kriza e borxheve e eurozonës.

Bisedimet në rezidencën e presidentit amerikan, Barak Obama, në Kamp Dejvid afër Uashingtonit, vijnë pasi në Greqi u shpërbë parlamenti, derisa u konfirmuan zgjedhjet e reja më 17 qershor.

Frika se bllokada politike do ta largojë këtë vend nga eurozona ka dominuar dhe në samit.

Me të ardhmen e euros në dyshim, liderët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Britanisë, Japonisë, Rusisë, Italisë dhe Kanadasë do të përpiqen që të peshojnë kërkesat për rritje të shpenzimeve me qëndrimin e vazhdueshëm të Gjermanisë për masat shtrënguese.

Para fillimit të sesionit të parë të punës të shtunën, Obama u tha gazetarëve se të gjitha vendet e G8-s janë “absolutisht të përkushtuar” për qëllimet e rritjes, stabilitetit, si dhe konsolidimin fiskal, derisa udhëheqësit u përpoqën që të kapërcejnë ndasitë në lidhje me tejkalimin e krizës së eurozonës.

“Të gjithë ne jemi absolutisht të përkushtuar që të sigurojmë edhe rritjen dhe stabilitetin, por edhe konsolidimin fiskal si pjesë e një pakoje të përgjithshme, që të gjithë ne duhet ta ndjekim me qëllim të arritjes së një lloj prosperiteti për qytetarët tanë”, tha Obama.

Duke folur pas një takimi bilateral me Obamën, mëngjesin e së shtunës, kryeministri britanik Dejvid Kameron, vendi i të cilit nuk është pjesë e eurozonës, bëri thirrje për banka të forta dhe reduktim të deficitit.

Në Shtëpinë e Bardhë të premten Obama dhe homologu i tij francez, Fransua Holland, thanë se qëllimi i takimit ishte për të nxitur disiplinën fiskale si dhe shtytja e një ”agjende të rritjes së fortë ekonomike”.

Presidenti francez, i cili u inaugurua në këtë post këtë muaj, tha se ai dhe Obama ndajnë “bindjen e njëjtë se Greqia duhet të qëndrojë në eurozonë.”

Ndërkohë, presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, tha se Bashkimi Evropian do të bëjë gjithçka që nevojitet për ta stabilizuar Greqinë:

“Ne po punojmë për një Plan A. Plani A është që Greqia të qëndrojë në eurozonë, Greqia të respektojë premtimet e veta dhe, natyrisht, të gjithë anëtarët tjetër të respektojnë të njëjtat. Ky është plani ynë”.

Kriza e gjatë ekonomike e Greqisë, është shndërruar edhe në krizë të plotë politike, meqë partitë që kundërshtojnë kushtet e pakos së shpëtimit në vlerë prej 130 miliardë eurosh, kanë shënuar rritje në zgjedhjet e 6 majit, duke e lënë vendin pa një qeveri dhe duke rritur shanset e mospërmbushjes së kushteve.

Zgjedhjet e reja priten më 17 qershor, derisa sërish pritet që partitë kundërshtuese të pakos, të shënojnë rritje tjera.

Analistët thonë se një refuzim i Athinës që të bëjë shkurtimet e kërkuara mund të rezultojë me largimin e saj nga blloku 17-anëtarësh që përdorin valutën euro. Një lëvizje e tillë do të dobësonte edhe më shumë shtetet e mëdha si Spanjën dhe Italinë, që po luftojnë ndaj borxheve të tyre masive.

Bisedimet raportohet se kanë prekur edhe programin kundërthënës bërthamor të Iranit, trazirat e vazhdueshme në Siri si dhe Korenë Veriore.

Pas samitit të G8-s që përfundon të shtunën në mbrëmje, shumica e liderëve, nga Kamp Dejvid do të vazhdojnë për në Çikago, ku do të marrin pjesë në samitin dy-ditor të NATO-s, i cili pritet të nisë punimet të dielën.(a.i.)
XS
SM
MD
LG