Ndërlidhjet

Serbët e Kosovës votojnë për presidentin e Serbisë


Serbët e Kosovës duke votuar për zgjedhjet e Serbisë më 6 maj 2012. Mitrovicë

Serbët e Kosovës duke votuar për zgjedhjet e Serbisë më 6 maj 2012. Mitrovicë

Edhe raundi i dytë i zgjedhjeve për presidentin e Serbisë, në Kosovë po organizohet nga ana e OSBE-së, ashtu siç ishin pajtuar paraprakisht Qeveria në Prishtinë dhe ajo në Beograd.

Misioni i OSBE-së ka njoftuar se deri në orën 7 e 15 minuta, në 28 lokacione në Kosovë janë hapur të gjitha vendvotimet, gjithsej 90, për t’u mundësuar serbëve lokalë që të votojnë për zgjedhjen e presidentit të ri të Serbisë.

“Kam kënaqësinë të raportoj për hapjen me kohë të gjitha vendvotimeve këtë mëngjes”, ka thënë shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Verner Almhofer. Për t’u njoftuar nga afër me ecurinë e këtyre zgjedhjeve, ambasadori Almhofer ka vizituar vendvotimet në Graçanicë, por edhe në pjesën veriore të Kosovës, në Zveçan.

“Kemi diku rreth 110 persona me të drejtë vote. Juve ju kujtohet që herën e kaluar kishim disa probleme me hapjen e disa qendrave të votimit, por kësaj radhe kemi arritur që të gjithat t’i hapim me kohë”, ka thënë ambasadori Almhofer, gjatë vizitës që i bëri një qendre të votimit në Graçanicë.

Nga aspekti i sigurisë, për mbarëvajtjen e zgjedhjeve po përkujdeset edhe Policia e Kosovës. Një kujdes i shtuar po u kushtohet sidomos viseve të banuara me popullatë të përzier. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Policia e Kosovës ka një plan veprimi enkas për këto zgjedhje. Deri më tani, nga aspekti i sigurisë, ai ka konfirmuar se nuk është shënuar asnjë incident dhe se, sipas tij, nuk ka indikacione që mund të ketë ndonjë tensionim apo përshkallëzim të situatës.

Besim Hoti

Besim Hoti

“Vlen të theksohet se nga aspekti i sigurisë nuk është shënuar apo regjistruar asnjë incident i vetëm. Që nga orët e hershme të mëngjesit i kemi ofruar asistencën e nevojshme OSBE-së me përcjelljen e materialit zgjedhor deri në qendrat e votimeve, në gjithsej 13 lokacione të votimeve".

"Policia e Kosovës do të jetë e pranishme për të ofruar sigurinë, e veçanërisht shtimin e prezencës në zonat e banuara me popullatë të përzier për të evituar çfarëdo lloj eksesi të çfarëdo lloj karakteri”
, ka deklaruar Hoti.

Pas mbylljes së vendvotimeve në Kosovë, sipas marrëveshjes, materiali zgjedhor dërgohet për në Serbi nga ana e Misionit të OSBE-së.

Më 6 maj, po nën organizimin e OSBE-së, territorin e Kosovës u mbajtën edhe zgjedhjet parlamentare, përderisa ato lokale, nuk kishin mbështetjen ndërkombëtare, kështu që ato u zhvilluan vetëm në dy komuna veriore të populluara me shumicë serbe nën organizimin e strukturave paralele serbe që veprojnë atje.

Gjetja e formulës për organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë përmes misionit të OSBE-së ishte mirëpritur nga Qeveria e Kosovës dhe ishte përshëndetur nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, përderisa është kundërshtuar nga opozita në Prishtinë, e cila ka vlerësuar se në këtë formë, autoritetet e Prishtinës po legjitimojnë strukturat e Serbisë brenda territorit të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG