Ndërlidhjet

VOX

Pengesat përballë të rinjve


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë


Janë një varg fenomenesh, me të cilat të rinjtë në Kosovë ndeshen aktualisht dhe që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi ndikojnë në jetën dhe ambiciet e tyre.

Por, disa prej tyre, janë pengesë për të rinjtë ose ndikojnë negativisht në perceptimin e perspektivës së të rinjve.

Në rubrikën tonë të përjavshme VOX, disa të rinj të Kosovës, thonë se fenomenet negative, të cilat kanë hyrë në poret e jetës shoqërore në vend, siç janë korrupsioni, nepotizmi, keqpërdorimi i pozitës zyrtare e të tjera, krijojnë pakënaqësi tek ata dhe, si të tilla, i bëjnë që të reagojnë duke adresuar kritika lidhur me vetë këto fenomene, por edhe shkaqet që i kushtëzojnë ato.

Andi Domi, maturant, thotë se fakti që korrupsioni e nepotizmi që ka pllakosur edhe sistemin arsimor në Kosovë, është dekurajues për të dhe i ka krijuar dilema nëse duhet tentuar të konkurrojë për t’u regjistruar në universitet.

“Më së shumti nuk po më pëlqen mosorganizimi dhe gjithçka që shkon me të njohur këtu, nepotizmi. Ka shumë familjarizim në gjithçka. Korrupsioni është shumë i shprehur. Do të thotë, ne përtojmë që të konkurrojmë për punë, për fakultet, shkaku i kësaj”, shprehet Andi Domi.



Edhe Hashim Kajtazi, student, thotë se ajo që nuk i pëlqen fare si dukuri, është nepotizmi në sistemin arsimor, por edhe pamundësia për t’u punësuar pas përfundimit të studimeve:

“Për shembull, në fakultet ka familjarizim goxha shumë. Neve na hedh në pozitë të keqe edhe pse ne angazhohemi me të gjitha, në fund ne mbesim, ndërsa ai që ka të njohur, shkon tutje. Për të rinjtë nuk ka perspektivë këtu. E përfundon fakultetin dhe rri në shtëpi. Kot... Ne nuk kemi vullnet për ta vazhduar fakultetin kur i shohim gjeneratat e mëhershme, që kanë përfunduar studimet dhe thonë se s’kanë punë”.

Donjeta Asllani, absolvente në Fakultetin Ekonomik, thotë se në Kosovë pothuajse është bërë rutinë që për çfarëdo pune, duhet të intervenosh përmes të njohurve që janë në institucione.

“Më së shumti që nuk më pëlqen te shoqëria kosovare, si te të rinjtë ashtu edhe te të vjetrit, janë intervenimet e shumta që bëhen për punësim, si në institucionet publike ashtu edhe në ato private. Edhe pse ka studentë shumë të mirë dhe shumë të aftë, por që nuk e kanë dikë që t’i përkrahë, mbesin pa punë, rrugëve, duke u sjellë me diploma në xhep, e disa të tjerë që nuk kanë fakultet fare, punojnë në pozita shumë të larta”, thotë Donjeta Asllani.

Ermira Rexha, studente në Fakultetit Ekonomik, thotë se nuk i pëlqen rutina, me të cilën zhvillohet jeta e të rinjve në Kosovë:

“Këtu ka plot gjëra që nuk të pëlqejnë për momentin, por... Çdo ditë është e njëjta rutinë. Ne, si absolventë, tash i kemi përfunduar ligjëratat dhe ndoshta qoftë edhe një praktikë do të kishte kryer punë. Por, as atë shumica e institucioneve nuk janë duke e mundësuar. Duhet që edhe për një praktikë diku, me muaj të tërë të çosh lutje dhe ndodh që merr përgjigjen negative ose nuk ke përgjigje fare”.

Shega Krasniqi, maturante, thotë se ajo që nuk i pëlqen te shoqëria kosovare, e sidomos te të rinjtë, në përgjithësi, është pasiviteti në jetën e përditshme, por edhe mosmbështetja nga institucionet.

“Mungojnë shumë aktivitetet rinore. Ndërkaq, në shkollë kryesisht mungojnë mjetet shkollore. Më shumë mësojmë vetëm teori se sa praktikë. Nuk kemi shumë mbështetje prej institucioneve”, shprehet Shega Krasniqi.

Arian Vranica, maturant, thotë se për shkak të nepotizmit, që, sipas tij, është në institucionet arsimore, ai ka vendosur që të shkojë për shkollim universitar në Tiranë. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk është e vetmja gjë që nuk i pëlqen te shoqëria kosovare. Ai thotë se fjalori dhe sjellja e politikanëve nuk është fare e pëlqyeshme:

“Të themi drejt, çdo deklaratë del jo e sinqertë, jo origjinale, gjithmonë ka ndryshime”.

Por, të rinjtë shohin me sy kritik edhe fenomenet negative, të cilat kanë bërë vend në disa mjedise të të rinjve. Për Ilmi Krasniqin, student, është brengosës fenomeni i narkomanisë.

“Kjo është një brengë e madhe për ne. Jemi shtet i sapoformuar dhe sa i përket drogës, po kalojnë ditë të këqija. Kanë filluar tash edhe në shkolla fillore dhe të mesme. Sidomos në të mesmet, po përdoret shumë. Kjo më pengon pa masë”, thekson Ilmi Krasniqi.

Ndryshe, Arbër Berisha, student në Universitetin Amerikan në Prishtinë, thotë se përgjegjësinë për pasivitet e kanë vetë të rinjtë. Ai, madje, e kritikon gjeneratën e tij, duke i ironizuar edhe situatat.

“Duke qenë vetë i ri, sa i shoh moshatarët e mi, nuk po ju pengon asgjë. Vetëm po flenë dhe asgjë nuk po bëjnë. Nuk janë aktivë dhe nuk e kanë marrë jetën seriozisht, sepse shumica i kanë të gjitha kushtet e mundësuara nga prindërit dhe nuk përpiqen. Shoqëria jonë, sidomos mosha jonë, e kanë humbur aspektin e shoqërisë duke ndenjur shumë nëpër rrjetet sociale, facebook, MSN, telefon... Kështu që edhe takimet, ashtu siç janë bërë para shumë vitesh, më nuk po bëhen”, kritikon Arbër Berisha.

Ndërkaq, për Reis Avdullahun, student, është krejtësisht e papëlqyeshme që gjatë tërë kohës, siç thotë, kafiteritë janë përplot me të rinj:

“Më pengon dembelizmi. Nuk kanë ku ta kanalizojnë energjinë e tyre dhe kjo energji përfundon në kafiteri. Kjo është ajo kryesorja që më pengon. Motivi është, por puna nuk është. Por, ndoshta mund të jetë edhe pse Qeveria nuk e bën ndonjë sistem që ta harmonizojë dhe kanalizojë këtë energji të shoqërisë. Kështu që ajo asgjë nuk ka bërë. Ka vetëm kafe dhe krejt energjia shkon duke pirë kafe”.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG