Ndërlidhjet

logo-print

Obama: Konsensus i G8-s për Eurozonën

  • RFE /RL

Udhëheqësit e G8-s në Kamp Dejvid, SHBA, 19 maj, 2012

Udhëheqësit e G8-s në Kamp Dejvid, SHBA, 19 maj, 2012

Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se po “shfaqet një konsensus” se duhet bërë më shumë për të promovuar rritjen e vendeve të punës në Evropë, derisa kontinenti po përballet me krizën e borxheve.

Obama i bëri këto komente para gazetarëve në fund të samitit të G8-s në Kamp Dejvid, afër Uashingtonit.

“Të gjithë liderët këtu janë pajtuar se rritja ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës duhet të jenë prioritetet tona kryesore. Një ekonomi evropiane në rritje dhe e qëndrueshme është në interes të secilit, e edhe në interes të Amerikës. Evropa është partneri ynë më i madh ekonomik. Thënë thjesht, po qe se një kompani detyrohet të bëjë shkurtime në Paris ose Madrid, kjo nënkupton më pak biznes për fabrikat në Pitsburg, apo Milvauki”, tha Obama.

Ai tha se Evropa ka edhe shumë punë për të bërë, por Uashingtoni beson se Evropa ka kapacitetet për të tejkaluar sfidat ekonomike.

“Situata e Evropës, natyrisht se është e komplikuar. Ata kanë një krizë politike dhe ekonomike, me të cilën përballet Greqia; një rritje të ngadaltë; papunësi shumë të madhe në disa shtete. Dhe, për më tepër, po qe se vendosin ta zgjedhin një rrugë, janë 17 shtete në BE, që duhet të arrijnë marrëveshje për këtë. Ne e dimë dhe e respektojmë këtë. Por, drejtimi aktual i debatit në Evropë duhet të na japë besim”.

“Evropa ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të menaxhuar krizën. Shtetet individuale dhe Bashkimi Evropian, si tërësi, janë angazhuar në reforma të rëndësishme që do të rrisin perspektivën e rritjes ekonomike në planin afatgjatë. Dhe, tani po arrijmë një konsensus se duhet bërë më shumë për të nxitur rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, në kontekst të këtyre reformave fiskale dhe strukturore”
, u shpreh nikoqiri i samitit të tetë vendeve më të industrializuara.

Obama tha se ai dhe kolegët e tij të Tetëshes nga Britania, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Rusia dhe Kanadaja i kuptojnë sakrificat e dhimbshme të popullit në Greqi, që kanë ardhur si pasojë e presioneve ekonomike të vendit.

“Ne ramë dakord se është e rëndësishme që eurozona të jetë e fortë dhe e bashkuar, dhe u shprehëm se është në interesin tonë që Greqia të qëndrojë në Eurozonë dhe ndërkohë të respektojë angazhimet e saj”, theksoi Obama.

Ai tha se udhëheqësit botërorë kanë bërë përparim edhe për një sërë çështjesh ndërkombëtare, përfshirë Iranin, Sirinë dhe Korenë Veriore.

Liderët e Tetëshes, po ashtu, sinjalizuan gatishmërinë për të hapur rezervat kombëtarë të naftës për të adresuar çfarëdo telashe në tregjet botërore, kur të hyjnë në fuqi sanksionet ndaj eksportit të naftës iraniane.(a.i.)
XS
SM
MD
LG