Ndërlidhjet

Menduh Thaçi: Tendencë groteske për t'i nxirë shqiptarët


Kreu i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi.
Kreu i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi.
" Faktori ndërkombëtar është i informuar shumë mirë, unë besoj se ata e shohin me një dozë të qeshure këtë tendencë groteske të Qeverisë së Maqedonisë për të nxirë shqiptarët", thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, kreu i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi.


RADIO EVROPA E LIRË
Fillimisht, si do ta kishit vlerësuar gjendjen e sigurisë në vend? Kur e bëj këtë pyetje kam parasysh, në njërën anë organizimin e protestave nga ana e dhjetëra mijëra qytetarëve shqiptarë, për të shprehur pakënaqësi, mosbesim ndaj veprimeve të institucioneve të shtetit, dhe në anën tjetër, konstatimin e numrit një të dikasterit të policisë së në Maqedoni, se veprojnë grupe të organizuara të islamit radikal.

MENDUH THAÇI
Sigurisht se situata është shumë e komplikuar, si pasojë e mosfunksionimit normal të këtij shteti, si pasojë e një politike agresive nga ana e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë ndaj shqiptarëve. Më pastaj, Qeveria, si pasojë e mospasjes së përgjigjes së vërtetë për këto projekte për këto ngjarje, merret me etiketa të kohës së Millosheviqit, apo të kuzhinave të shërbimeve sekrete serbe dhe maqedonase, duke inskenuar skena si ato të islamit radikal etj. Janë deklarata koti, që fare s`kanë të bëjnë me të vërtetën, është një tendencë ashiqare.

Sa u përket protestave, unë nuk do të thosha se këto protesta shprehin mosbesim ndaj institucioneve të shtetit, ky është një informacion i vonshëm. Informacioni më i ri është se protestat janë shprehje e revoltës ndaj mosbesimit të madh që iu bën BDI-ja shqiptarëve dhe vetë zoti Ali Ahmeti.

Në protesta kryesisht dolën mbi 90 për qind njerëz të kësaj partie politike, pra BDI, si pasojë e asaj se janë shumë të zhgënjyer dhe sigurisht kjo paraqet rrezik në një shkallë të lartë. Njeriu që është i zhgënjyer mund të bëjë shumë probleme.

Unë, megjithatë, do të apeloja që të jemi shumë të kujdesshëm, sepse nuk duhet t`i mundësojmë Qeverisë(maqedonase) që të ketë alibi se këtu ka edhe një fajtor. Fajtori i vërtetë i kësaj situate të rëndë, në të cilën ndodhet vendi është Qeveria, që pos politikës agresive ndaj shqiptarëve, ka edhe një politikë shumë kokëfortë që e bllokon Maqedoninë si shtet të ecë drejt proceseve integruese në BE dhe NATO.

Është një kohë shumë e rëndë dhe nuk mund të flas me optimizëm, sepse para nesh kemi ditë shumë të rënda, të vështira dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju theksoni se në Maqedoni nuk ka “islam radikal”, atëhere infiltrimi i këtyre tezave, sa paraqet rrezik, si për raportet ndëretnike në Maqedoni, por dhe për raportet dhe zhvillimet brenda shqiptarëve në rajon kundrejt faktorit ndërkombëtar?

MENDUH THAÇI
Jo, faktori ndërkombëtar është shumë mirë i informuar, unë besoj se ata e shohin me një dozë të qeshure këtë tendencë groteske të Qeverisë së Maqedonisë për të nxirë shqiptarët. Nuk ka të bëjë aspak, mund të ekzistojnë grupe të ndryshme të kriminalizuara, të cilat i ka në dorë shërbimi sekret maqedonas dhe ai serb dhe tentojnë të luajnë lojëra të tilla.

Përfundimisht e theksoj pa ndërprerë se shqiptarët, këtu në Maqedoni, nuk kanë probleme fetare - kanë probleme etnike dhe i gjithë sulmi është ndaj shqiptarisë dhe jo myslimanizmit, ndryshe si do të sqarohej grafiti në xhaminë e Manastirit “Smërt na shiptari” (Vdekje për shqiptarët), pse nuk është shkruar “Smërt za muslimanite” (vdekje për myslimanët).

Pra, nuk u funksionojnë aspak tezat si duhet, dhe unë mendoj se nuk kanë kurrfarë ndikimi te ndërkombëtarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Zhvillimet e fundit në Maqedoni sa mund të jenë të ndërlidhura me ato në rajon, meqë ka një tendencë nga qarqe të caktuara të krijojnë një lidhshmëri mes zhvillimeve në vend me ato në Luginën e Preshevës dhe Veriun e Kosovës?

MENDUH THAÇI
Është matrica e strukturës politike të njëjtë dhe struktura mentale e njëjtë , edhe në Serbi e Maqedoni asgjë nuk ka ndryshuar, megjithëse te shqiptarët kanë ndryshuar shumë gjërat, ne kemi ecur shumë para.

Shqipëria është një vend stabil anëtare e NATO-s, derisa Kosova tani është shtet i pavarur që ka marrë rrugën e vet drejt perëndimit, Evropës dhe NATO-s. Natyrisht kjo i zhgënjen shumë sllavët, maqedonasit dhe serbët, sepse nuk arrijnë të na provokojnë . Megjithatë, unë mendoj se kjo situatë do të ketë fund; unë kam shumë shpresa dhe besim te bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht te SHBA-ja se do t`i ndëshkojnë aktorët e këtyre lojërave të fëlliqura.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto protesta, të cilat për herë të parë vetorganizohen dhe kanë kaq masivitet - disa mijëra qytetarë, nga qarqe të caktuara vlerësohen si tendencë për të shpërthyer një forcë e re politike si shprehje e pakënaqësisë së qytetarëve ndaj politikës së partive politike aktuale. Si mendoni ju?

MENDUH THAÇI
Të flasim me një fjalor të qartë, këta njerëz janë të zhgënjyer dhe kanë shumë të drejtë të protestojnë. Është më se e qartë se ata nuk dinë politikë, nuk bëjnë politikë, po është fakt se ua vënë thikën në palcë Ali Ahmeti dhe BDI-ja prapa shpine, kjo është.

Megjithëse nuk e mohoj që ka grupe të caktuara njerëzish, të cilët duan t`i përdorin politikisht këto protesta, por nuk do të ishte mirë. Skena politike shqiptare duhet të jetë demokratike, megjithatë duhet të jepen cilat janë arsyet, ku duan të nisen ata të cilët duan të bëjnë parti dhe ku duan të dalin. Nëse bëhen eksperimente të tipave të viteve të fundit, unë do t’u sugjeroja mos të lodhen dhe aq shumë, ngase u provuan shumë parti ta mundin apo shkatërrojnë PDSH-në, si lider i pakontestueshëm i opozitës , po qartë u pa se ishte pa rezultat e gjithë ajo tendencë.

RADIO EVROPA E LIRË
Jemi në prag të samitit të NATOS-s që po mbahet në Çikago, ku për Maqedoninë dyert duket se mbeten të mbyllura. Sipas jush, sa ka kapacitet që Maqedonia, duke pasur parasysh zhvillimet në vend dhe rajon, të mbetet edhe një kohë të gjatë jashtë strukturave të sigurisë së Aleancës veri-atlantike?

MENDUH THAÇI
Nuk ka aspak kapacitet. Por, mendoj se faktori ndërkombëtar, veçanërisht SHBA-ja ka përdorur fenomenin e mobilizimit të Maqedonisë nga jashtë. Domethënë Maqedonia nga jashtë tani rrethohet nga shtete stabile, si Shqipëria, Greqia, Bullgaria - flas në aspektin e sigurisë, janë anëtare të NATO-s, dhe ka fqinj Serbinë, politika zyrtare e të cilit shtet e vështirëson, po megjithatë merr rrugën e vërtetë të integrimit. Derisa Kosova është e mbushur me protektorat dhe vëzhgim mendoj se përgatitet një situatë, që edhe nëse ka turbullira në Maqedoni, ato të jenë asgjë më shumë se “një stuhi në gotë”, e cila nuk do të derdhet.

Po çështja tjetër, e cila tentohet të futet nën “rrogoz” dhe është shumë serioze si problem, është aspekti ekonomik. Qytetarët e Maqedonisë dita-ditës varfërohen gjithnjë e më shumë dhe kjo mund t`i komplikojë situatat shumë. Megjithatë duhet pritur 21 majin.

Unë pres që politika, gjegjësisht hipokrizia e BDI-së dhe Ali Ahmetit, të vuloset pas dështimit të integrimit në NATO, sepse ata na kanë premtuar me vite, decenie tanimë se do ta zhbllokojnë procesin e integrimeve euroatlantike. Në emër të këtij premtimi, morën votat dhe mandatin për të qeverisur. Andaj mendoj se është koha e fundit që t’u japin një përgjigje të sinqertë njerëzve që i kanë mbështetur.

Partia Demokratike Shqiptare do të vazhdojë rrugën e saj të veprimit me një politikë konstruktive, me një rezistencë të madhe paqësore dhe demokratike pa u pajtuar në asnjë moment të lëshojë pe për kërkesat e veta.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, keni theksuar se Samiti i NATO-s në Çikago do të heqë maskën partisë shqiptare në pushtet, BDI. Nëse do të jetë kështu, kjo heqje maskash mund të rezultojë dhe me zgjedhje të parakohshme?

MENDUH THAÇI
Nuk e di! Kjo mbetet në duart e atyre; në duart e tyre është të vendosin se do të shkojnë ose jo në zgjedhje të parakohshme, sepse kanë gishtat e nevojshëm në Parlament për të aprovuar ose jo një vendim të këtillë. Megjithatë, ne jemi pro që kjo qeveri të ikë, edhe pse nuk jemi aq të uritur që të vijmë sa më shpejt në pushtet.

Preferojmë lojën demokratike, të ketë kapacitet të realizohen mandate të plota, dhe ma merr mendja se do të krijohet një pjekuri politike te qytetarët të jenë të vetëdijshëm se ditën që votojnë dhe ia japin mandatin dikujt, brenda disa sekondave, ai mandat do të realizojë politika katër vjet dhe nuk mund të ndërrohet brenda pak sekondash.

Ka rregulla dhe ne jemi të gatshëm t`i respektojmë ato rregulla.

RADIO EVROPA E LIRË
Është rregull në demokraci se për rritjen e rejtingut apo besimit tek elektorati, nuk mjafto vetëm të detektohen problemet, por edhe të ofrohet zgjidhje konkrete për të njëjtat. Cila është oferta e PDSH-së, të cilën e drejtoni ju, për t’u zgjidhur çështjet e hapura?

MENDUH THAÇI
Seriozisht, ne mendojmë se problemi më i madh në Maqedoni janë raportet e brendshme ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, sesa integrimi në NATO dhe BE. Renditja e prioriteteve duhet të jetë e këtillë, duhet të ketë një marrëveshje të re politike ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, në kuadër të së cilës marrëveshje duhet të definohet mekanizmi i vendimmarrjes, që të jetë me konsensus të plotë në të gjitha institucionet.

Duhet të definohet çështja e ndarjes së drejtë dhe në formë proporcionale e buxhetit të shtetit dhe shumë çështje të tjera ngërthen kjo marrëveshje që s’i përmend dot si pasojë e kohës. Po këto dy çështje paraqesin shtyllat bazë, paralelisht me këtë agjendë duhet të zhbllokohet me shpejtësi procesi i integrimit në NATO e BE, dhe atëherë mund të themi se kalojmë në fazën e një shteti normal ku mund të ketë për të zgjidhur vetëm probleme të vogla.
XS
SM
MD
LG