Ndërlidhjet

NATO hap samitin në Çikago


Logo e samitit të NATO-s në Çikago
Logo e samitit të NATO-s në Çikago
Liderët e NATO-s janë mbledhur në Çikago në samitin që do të dominohet nga tërheqja nga Afganistani.

Më shumë se 50 liderë janë duke marrë pjesë. Në mesin e tyre janë krerët shtetërorë dhe të qeverive të 28 vendeve anëtare të NATO-s, si dhe presidenti afgan Hamid Karzai e homologu i tij pakistanez, Ali Zardari.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, duke folur në një konferencë për gazetarë në Çikago tha se NATO është fuqishëm e përkushtuar për misionin në Afganistan.

“Mesazhi i qartë nga ky samit është se ne do të qëndrojmë të përkushtuar për operacionet tona në Afganistan, derisa vazhdojmë transfrimin, dorëzimin e përgjegjësive te afganët, sipas planit të arritur në samitin e Lisbonës në vitin 2010”, tha Rasmusen.

Në javën e kaluar, Rasmusen tha se pret që NATO të vazhdojë trajnimin, këshillimin dhe ndihmën për forcat afgane të sigurisë edhe pas vititi 2014.

Shtetet e Bashkuara shpresojnë se presidenti Zardari i Pakistanit do të pajtohet që të rihapë rrugët për kamionët furnizues të NATO-s për të hyrë në Afganistan, të cilat qenë bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar, si hakmarrje ndaj një sulmi të SHBA-së, që pat vrarë trupat pakistaneze.

Rasmusen ka shfaqur shpresën se rrugët do hapen së shpejti.

“Ne për një kohë kemi zhvilluar dialgo me Pakistanin. Kemi negocuar. Këto negociata do të vazhdojnë dhe shrpesojmë se do të përfundojnë pozitivisht, dhe do të shohim rihapjen e rrugëve tranzite në të ardhmen e afërt”, tha ai.

Në samit, po ashtu do të diskutohet për mburojën raketore të NATO-s në Evropë, e cila kundërshtohet nga Moska.

Samiti po zhvillohet nën masat e ashpra të sigurisë.

Liderët nga lëvizja Occupy kanë thënë se do t’i bashkojnë forcat me protestuesit kundër luftës, të cilët kanë mbajtur protesta para takimit të NATO-s.

Një numër i liderëve të NATO-s kanë arritur në Uashington, ku kanë marrë pjesë në samitin e G8-s, që është fokusuar në krizën në eurozonë.

Grupi i vendeve më të industrializuara në botë ka premtuar se do të nxisë rritjen ekonomike, krahas përgjegjësisë fiskale, dhe ka këmbëngulur se Greqia duhet të vazhdojë të mbetet në eurozonë.
XS
SM
MD
LG