Ndërlidhjet

NATO hap samitin në Çikago

  • RFE /RL

Barak Obama dhe Hamid Karzai Çikago, 20 maj 2012.

Barak Obama dhe Hamid Karzai Çikago, 20 maj 2012.

Në Çikago të SHBA-ve sapo ka filluar samiti i vendeve anëtare të NATO-s ku mikpritës është presidenti Barak Obama, pikërisht në qytetin e tij.

Kosova dhe rajoni i Ballkanit, janë tema të këtij samiti dhe pritet që të figurojnë edhe në komunikatën zyrtare që do të miratohet në fund të samitit.

Pritet që rreth Kosovës NATO-ja të referohet në misionin e KFOR-it dhe të ripërsërisë përkushtimin që ky mision të vazhdojë të ofrojë një ambient të sigurt në Kosovë.

Po ashtu, pritet që Serbia dhe Kosova të ftohen që të vazhdojnë dialogun dhe që në mënyrë konstruktive, përmes dialogut, t’i zgjidhin problemet.

Sa i përket procesit të zgjerimit të NATO-s në rajonin e Ballkanit, gjithashtu, pritet që NATO-ja të ripërsërisë qëndrimin se do t’i mbajë të hapura dyert për vendet që dëshirojnë t’i bashkohen kësaj aleance.

Mirëpo, NATO-ja do t’u bëjë ftesë vendeve si Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, se duhet t’i përmbushin kriteret e nevojshme nëse duan që një ditë të bëhen anëtare të NATO-s.

Sa i përket Republikës së Maqedonisë, nuk pritet të ketë ndonjë qëndrim të ri, por pritet që NATO të përsërisë se është e gatshme të ftojë Maqedoninë për t’u anëtarësuar në aleancë, posa të zgjidhet çështja e emrit që është në kontest ndërmjet Maqedonisë dhe fqinjit të saj jugor, Greqisë.

Kosova përmendet në samit edhe në aspektin e bashkëpunimit të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ky është një element ku shihet se bashkëpunimi i aleancës së NATO-s me Bashkimin Evropian sjell fryt edhe në terren, kanë thënë zyrtarë nga edhe nga BE-ja edhe nga NATO-ja.

Në mesin e më shumë se 50 liderëve pjesëmarrës të samitit, janë edhe krerët shtetërorë dhe të qeverive të 28 vendeve anëtare të NATO-s, si dhe presidenti afgan Hamid Karzai e homologu i tij pakistanez, Ali Zardari.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, duke folur në një konferencë për gazetarë në Çikago tha se NATO është fuqishëm e përkushtuar për misionin në Afganistan.

“Mesazhi i qartë nga ky samit është se ne do të qëndrojmë të përkushtuar për operacionet tona në Afganistan, derisa vazhdojmë transfrimin, dorëzimin e përgjegjësive te afganët, sipas planit të arritur në samitin e Lisbonës në vitin 2010”, tha Rasmusen.

Në javën e kaluar, Rasmusen tha se pret që NATO të vazhdojë trajnimin, këshillimin dhe ndihmën për forcat afgane të sigurisë edhe pas vititi 2014.

Shtetet e Bashkuara shpresojnë se presidenti Zardari i Pakistanit do të pajtohet që të rihapë rrugët për kamionët furnizues të NATO-s për të hyrë në Afganistan, të cilat qenë bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar, si hakmarrje ndaj një sulmi të SHBA-së, që pat vrarë trupat pakistaneze.

Rasmusen ka shfaqur shpresën se rrugët do hapen së shpejti.

“Ne për një kohë kemi zhvilluar dialog me Pakistanin. Kemi negocuar. Këto negociata do të vazhdojnë dhe shpresojmë se do të përfundojnë pozitivisht, dhe do të shohim rihapjen e rrugëve tranzite në të ardhmen e afërt”, tha Rasmusen.

Në samit, po ashtu do të diskutohet për mburojën raketore të NATO-s në Evropë, e cila kundërshtohet nga Moska.

Samiti po zhvillohet nën masat e ashpra të sigurisë.

Liderët nga lëvizja Occupy kanë thënë se do t’i bashkojnë forcat me protestuesit kundër luftës, të cilët kanë mbajtur protesta para takimit të NATO-s.

Një numër i liderëve të NATO-s kanë arritur në Uashington, ku kanë marrë pjesë në samitin e G8-s, që është fokusuar në krizën në eurozonë.

Grupi i vendeve më të industrializuara në botë ka premtuar se do të nxisë rritjen ekonomike, krahas përgjegjësisë fiskale, dhe ka këmbëngulur se Greqia duhet të vazhdojë të mbetet në eurozonë.

Samiti vazhdon edhe të hënën, ku pritet edhe miratimi i konkluzave nga ky samit.(a.i.)
XS
SM
MD
LG