Ndërlidhjet

OSBE: Zgjedhje të qeta në Kosovë


Qendër votimi për zgjedhjet presidenciale serbe
Qendër votimi për zgjedhjet presidenciale serbe
Të gjitha vendvotimet e OSBE-së në Kosovë janë mbyllur të dielën pas përfundimit të rregullt të votimit, tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Uerner Almhofer. Sipas të dhënave të përkohshme të raportuara, pjesëmarrja në votime ishte 23.58 për qind.

“Ashtu sikur edhe në votimet e para dy javëve për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe, edhe kësaj here ishim në gjendje t’u ofrojmë votuesve me të drejtë vote në Kosovë mundësinë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në raundin e dytë për zgjedhjet presidenciale serbe në një ambient të qetë”, tha Almhofer, duke shtuar se: “Të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë dhe janë mbyllur në ora 20:00. Nuk kemi pasur probleme teknike gjatë ditës.”

OSBE është në proces të paketimit dhe transportimit të materialeve zgjedhore për në Vranjë dhe Rashkë, ku do të bëhet numërimi nga Komisioni Zgjedhor i Serbisë.

“Edhe një herë dua të falënderoj stafin e Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe stafin nga misionet dhe zyrat e OSBE-së në rajon për punën e palodhur dhe mbështetjen e tyre. U jam mirënjohës edhe atyre që ofruan siguri, policisë, EULEX-it, dhe KFOR-it,” shtoi Almhofer.


Serbët e Kosovës votuan për presidentin e Serbisë

Edhe rrethi i dytë i zgjedhjeve për presidentin e Serbisë, nën organizimin e OSBE-së, është mbajtur edhe në Kosovë.

Misioni i OSBE-së ka njoftuar se të gjitha 90 vendvotimet, në 28 qendra votimi janë hapur me kohë dhe janë mbyllur sipas parashikimeve.

Sipas një marrëveshjeje që Qeveria e Serbisë, por edhe ajo e Kosovës kishin arritur me OSBE-në, ky mision organizoi këto zgjedhje për t’u mundësuar serbëve lokalë që të votojnë për zgjedhjen e presidentit të ri të Serbisë.

“Kam kënaqësinë të raportoj për hapjen me kohë të gjitha vendvotimeve këtë mëngjes”, ka thënë shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Verner Almhofer. Për t’u njoftuar nga afër me ecurinë e këtyre zgjedhjeve, ambasadori Almhofer ka vizituar gjatë ditës një vendvotim në Graçanicë, por edhe në pjesën veriore të Kosovës në Zveçan.

“Kemi diku rreth 110 persona me të drejtë vote. Juve ju kujtohet që herën e kaluar kishim disa probleme me hapjen e disa qendrave të votimit, por kësaj radhe kemi arritur që të gjithat t’i hapim me kohë”, ka thënë ambasadori Almhofer gjatë vizitës që i bëri një qendre të votimit në Graçanicë.

Nga aspekti i sigurisë, për mbarëvajtjen e zgjedhjeve është përkujdeset edhe Policia e Kosovës. Një kujdes i shtuar u është kushtuar sidomos viseve të banuara me popullatë të përzier. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se Policia e Kosovës ka një plan veprimi enkas për këto zgjedhje. Ai ka konfirmuar se zgjedhjet kanë kaluar qetë dhe pa incidente.

“Vlen të theksohet se nga aspekti i sigurisë nuk është shënuar apo regjistruar asnjë incident i vetëm. Që nga orët e hershme të mëngjesit i kemi ofruar asistencën e nevojshme OSBE-së me përcjelljen e materialit zgjedhor deri në qendrat e votimeve. Në gjithsej 13 lokacione të votimeve. Policia e Kosovës ka qenë e pranishme për të ofruar siguri, e veçanërisht kemi pasur shtim të prezencës në zonat e banuara me popullatë të përzier për të evituar çfarëdo lloj eksesi të çfarëdo lloj karakteri”, ka konfirmuar Hoti.

Pas mbylljes së vendvotimeve në Kosovë, sipas marrëveshjes, materiali zgjedhor dërgohet për në Serbi nga ana e Misionit të OSBE-së.

Më 6 maj, po nën organizimin e OSBE-në territorin e Kosovës u mbajtën edhe zgjedhjet parlamentare, përderisa ato lokale, nuk kishin mbështetjen ndërkombëtare, kështu që ato u zhvilluan vetëm në dy komuna veriore të populluara me shumicë serbe nën organizimin e strukturave paralele serbe që veprojnë atje.

Gjetja e formulës për organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë përmes misionit të OSBE-së ishte mirëpritur nga Qeveria e Kosovës dhe ishte përshëndetur nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, përderisa është kundërshtuar nga opozita në Prishtinë, e cila ka vlerësuar se në këtë formë, autoritetet e Prishtinës po legjitimojnë strukturat e Serbisë brenda territorit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG