Ndërlidhjet

Hyseni: Nikolliqi apo Tadiqi, për Kosovën njësoj


Skender Hyseni

Skender Hyseni

Fitorja e Tomislav Nikolliq, nga Partia Përparimtare Serbe në garën për president të Serbisë, nga komentet e para në Prishtinë, vlerësohet se nuk do të ndryshojë shumë politikën e këtij vendi në raport me Kosovën.

Ndërsa nga qeveria aktuale e Kosovës nuk ka ende komente, ish-ministri i jashtëm Skender Hyseni, thotë se nuk duhet të jetë prioritet dhe as shqetësim i Kosovës se kush është president i Serbisë.

Në raport me Kosovën, edhe presidenti i deritashëm Boris Tadiq ka udhëhequr politika të mentalitetit ballkanik, pavarësisht se në opinionin ndërkombëtar mendohej se ai po luante një politikë demokratike, thotë Hyseni.

“Nuk e besoj që karshi Kosovës do të ketë ndonjë ndryshim substancial në qasje, sepse bindja ime gjithherë ka qenë që presidenti Tadiq ka qenë evropian në Bruksel, por në Beograd dhe në Ballkan ka qenë ka qenë shumë ballkanas. Sidomos karshi Kosovës ka qenë po aq ballkanas sa edhe pararendësi i tij, me një dallim të vogël që ky nuk i ka përdorë armët, ndërkaq ai që ka shkuar i ka përdorur edhe armët kundër Kosovës”.

“Unë nuk dua të paragjykoj që Kosova do ta ketë shumë më vështirë me këtë apo atë president sepse se çfarë do të jenë raportet e Kosovës me Serbinë, varët në rend të parë nga vet Kosova”, tha Hyseni.

Kosova fatkeqësisht nuk po sillet si shtet, dhe kjo e bën më të lehtë që të manipulohet nga politikat e Serbisë, thotë Hyseni.

Ndonëse nuk mund të jetë indiferente, Kosova nuk duhet ta ketë prioritet udhëheqësinë në Beograd, vijon Hyseni.

Ai, po ashtu thotë se në Evropë ka hezitime të shumta në lidhje me Nikolliqin.

“Ka një paragjykim të skajshëm në Evropë përgjithësisht ndaj presidentit të zgjedhur Nikolliq. Unë megjithatë, një mendje më thotë, se me këtë president edhe Evropa edhe Ballkani do t’i kenë gjërat pak më të qarta. Do ta dinë pak më qartë se ku qëndrojnë”, vlerësoi Hyseni.

Gjatë ditës mbase mund të pritet që të ketë reagime edhe nga qeveria dhe institucionet tjera të Kosovës.

Duke e shpallur fitoren në selinë e partisë së tij, Nikolliq tha se Serbia nuk do të largohet nga rruga evropiane, si dhe do ta mbrojë popullin në Kosovë.
XS
SM
MD
LG