Ndërlidhjet

Kosova (s')ka lidhje me zgjedhjet në Serbi


Partia Përparimtare Serbe, me fituesin e saj Tomisllav Nikolliq
Partia Përparimtare Serbe, me fituesin e saj Tomisllav Nikolliq

Fitorja e Tomisllav Nikolliq, nga Partia Përparimtare Serbe në garën për president të Serbisë, në Prishtinë vlerësohet se nuk do të ndryshojë shumë politikën e këtij vendi në raport me Kosovën.

Ish-nënkryetari i radiakalëve në kohën e Vojisllav Sheshelit, i cili aktualisht po gjykohet në Hagë për krime lufte, tani presidenti i zgjedhur i Serbisë Nikolliq, në Kosovë shihet si një prej politikanëve nacionalist në raport me shumicën shqiptare, por megjithatë vlerësohet se zgjedhja e tij, reflekton vullnetin e popullit të Serbisë.

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, ka deklaruar të hënën në Prishtinë se “fati politik, pavarësia e Kosovës dhe zhvillimet e saj, nuk varen nga zgjedhjet politike që mbahen në Serbi”.
Zgjedhjet politike në Serbi janë për popullin serb. Ajo çka mund të them është se Kosova do të prodhojë paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë me të gjithë”, ka thënë Kuçi, në vlerësimin e tij për fitoren e Nikolliqit.

Ish-ministri i jashtëm, Skender Hyseni, thotë se nuk duhet të jetë prioritet dhe as shqetësim i Kosovës se kush është president i Serbisë.

Në raport me Kosovën, edhe presidenti i deritashëm Boris Tadiq ka udhëhequr politika të mentalitetit ballkanik, pavarësisht se në opinionin ndërkombëtar mendohej se ai po luante një politikë demokratike, thotë Hyseni.

Nuk e besoj që karshi Kosovës do të ketë ndonjë ndryshim substancial në qasje, sepse bindja ime gjithherë ka qenë që presidenti Tadiq ka qenë evropian në Bruksel, por në Beograd dhe në Ballkan ka qenë shumë ballkanas".

"Sidomos karshi Kosovës ka qenë po aq ballkanas sa edhe pararendësi i tij, me një dallim të vogël që ky nuk i ka përdori armët, ndërkaq ai që ka shkuar i ka përdorur edhe armët kundër Kosovës”, thotë Hyseni.

Ish ministri Hyseni thotë po ashtu se nuk mund të paragjykohet nëse Kosova do ta ketë shumë më vështirë me këtë apo atë president, duke besuar se raportet e Kosovës me Serbinë varen në rend të parë nga vet Kosova.

Ndonëse nuk mund të jetë indiferente, Kosova nuk duhet ta ketë prioritet udhëheqësinë në Beograd, vijon Hyseni.

Ndryshimet në kreun e shtetit serb komentohen në mënyra të ndryshme edhe nga përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.

Përderisa nga pjesa qendrore e Kosovës ka hezitime e rezerva, në veri në mbrëmjen e së dielës është festuar.

Marko Jakshiq, një përfaqësues nga pjesa veriore thotë se fitorja e Nikolliqit paraqet “një rreze drite për serbët e Kosovës”.

Mendoj se presidenti i ri, marrë parasysh se çfarë dhe si punoi paraardhësi i tij, nuk do të duhej t’i përsëriste të njëjtat gabime”, thotë Jakshiq, duke akuzuar presidentin e deritashëm Tadiq se ka shkelur Kushtetutën e Serbisë duke viktimizuar sidomos serbët e Kosovës.

Megjithatë, për politikat e qarta të shtetit serb, sidomos në raport me Kosovën, do të dihet pasi të formohet qeveria e re atje, thotë Jakshiq.

Në anën tjetër, Rada Trajkoviq, deputete serbe në Parlamentin e Kosovës, tërheq vërejtjen se nën udhëheqjen e Nikolliqit, Serbia ka rrezik të izolohet nga bashkësia ndërkombëtare.

Nuk do të doja ta kuptoj dhe nuk do të dëshiroja ta pranoj se kremtimi në Mitrovicë që u shoqërua me të shtëna armësh është paralajmërim për politikën e ardhshme të Nikolliqit”, thotë Trajkoviq.

Ajo thotë se do të dëshironte që të gjithë ata që presin që me fitoren e Nikolliqit do të fillojë edhe një konfrontim tjetër ndërmjet shqiptarëve dhe serbeve dhe një epokë e izolimit të Serbisë të zhgënjehen, dhe Serbia të vazhdojë rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe përafrimit me NATO-n.

Ndërkohë, analisti Behlul Beqaj konsideron se fitorja e Nikolliqit paraqet një përmbyllje të një lajthitje të zyrtarëve të Bashkimit Evropian të cilët proklamonin reformat dhe orientimin pro-evropian të Serbisë.

Sidoqoftë, ai pret që edhe Nikolliq, në raport me BE-në, do t’i vazhdojë politikat e ndjekura nga Tadiqi.

Përderisa në raport me Kosovën, Beqaj vlerëson se Nikolliqi do të tentojë të udhëheqë politikë agresive karshi veriut të saj.

Besoj se pika nyje e politikës së Nikolliqit do të jetë veriu, dhe se ai besoj se do ta hedh përgjegjësinë për humbjen e Kosovës tek pushtetet paraprake dhe liderët paraprak, ndërkaq do të tenton për t’i marrë ‘meritat’ eventuale për aneksimin e veriut gjatë mandatit të tij”, thotë Beqaj.

Tomisllav Nikolliq fitoi ndaj rivalit të tij Boris Tadiq, pas raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Tani mbetet të shihet se cila do të jetë përbërja e qeverisë së këtij vendi para se të dihen ndryshimet eventuale të politikës së këtij vendi në raport me Kosovën të cilën Serbia nuk e njeh si shtet dhe as që pretendon se do ta njoh në një të ardhme të afërt.
XS
SM
MD
LG