Ndërlidhjet

logo-print

Altman dhe Server: Kohë e rëndë për Serbinë

  • RFE /RL

Beograd...

Beograd...

Pjesëmarrja e ulët e votuesve nuk e vërteton tezën për fitoren e nacionalistëve në Serbi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë Franc Lotar Altman, ish drejtor i degës së Ballkanit në Institutin për çështje ndërkombëtare dhe të sigurisë nga Berlini.

Njerëzit janë të lodhur dhe të pakënaqur. Ata kanë pritur përparim më të shpejtë dhe për shkak se kjo nuk ndodhi, ata kanë dëshiruar që diçka të ndryshojnë, ka thënë Altman.

Në Evropë, Nikolliqi do të vlerësohet në bazë të veprave dhe jo retorikës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Daniel Server, eksperti amerikan nga Qendra për marrëdhënie transatlantike me seli në Uashington.




Nëse Serbia dëshiron që ta vazhdojw rrugën drejt Bashkimit Evropian, Nikolliq duhet ta zgjidhë kundërthënien e politikës “Edhe Evropa edhe Kosova“, gjë që Tadiqi nuk pati sukses.

Altman konsideron se fitorja e Nikolliqit, gjithsesi që është befasi.

“Një prej sqarimeve për fitoren e tij është niveli i ulët i daljes së votuesve, të pakënaqur, para së gjithash, me shpejtësinë që Partia Demokratike dhe Partia Socialiste paralajmëruan se janë marrë vesh për formimin e qeverisë. Do të thotë, kemi të bëjmë me protestë të heshtur”.

“Gjithashtu, qytetarët janë të lodhur. Ndoshta ata kanë menduar në mënyrën ‘kemi votuar, qeveria nuk do të ndryshojë’. Të gjitha hulumtimet e opinionit publik i kanë dhënë përparësi Tadiqit, kështu që disa nga pasuesit e tij kanë menduar se fitorja e tij është e sigurt dhe se nuk ka nevojë të votojnë përsëri. Fakti se edhe në këto zgjedhje, sipas të dhënave jozyrtare, kishte rreth 100 mijë fletëvotime të pavlefshme, tregon se njerëzit janë të pakënaqur”, vlerësoi Altman.

Disa media të huaja, fitoren e Nikolliqit e interpretojnë si ngritje të nacionalistëve.

Në anën tjetër, ekziston mendim i gjerë se shumë qytetarë, të cilët i kanë përkrahur forcat pro-evropiane në kohën e rrëzimit të Millosheviqit, tash janë mjaft të zhgënjyer me efektet, para së gjithash me korrupsionin, sjelljet jodemokratike, situatën e keqe ekonomike dhe se për këtë shkak e kanë dënuar Tadiqin.

Daniel Server

Daniel Server

Server thekson se të dyja pikëpamjet janë valide.

“Nuk ekziston demokraci e mirëfilltë pa mundësinë për të ndryshuar pushteti. Situata tash është mjaft e komplikuar. Në njërën anë, Nikolliqi është zgjedhur për kryetar, e në anën tjetër, është paralajmëruar koalicioni i Partisë Demokratike dhe e Socialistëve të Daçiqit, gjë që do ti komplikojë bisedimet për formimin e qeverisë. Megjithatë, është mirë që procesi demokratike ka mbetur i padëmtuar”.

“Nacionalistët e fituan rastin që të tregojnë se në pushtet mund të bëjnë gjëra më të mira se Tadiqi. Thënë sinqerisht, Tadiqi nuk ka arritur që në masë të mjaftueshme të distancohet ose të prezantohet në një pamje tjetër në raport me nacionalistët, gjë që e tregon edhe këtë mungesë të entuziazmit të qytetarëve dhe nivelin e ulët të daljes në zgjedhje’.

Por, Altman shpreh mendimin se nuk është e arsyeshme të flitet për fitore të nacionalistëve.

“Niveli i ulët i pjesëmarrjes së votuesve nuk e vërteton tezën për ngritjen e nacionalistëve. Njerëzit janë të pakënaqur. Ata kanë pritur përparim më të shpejtë, dhe pasi që kjo nuk u realizua, ata dëshiruan që të ndryshojnë diçka“, tha Altman.

Ndryshe, Altman konsideron se Nikolliqi ka pak gjasa që t’ia mundësojë partisë së formimin e qeverisë.

Kështu që, më tepër është e besueshme bashkëjetesa me demokratët dhe socialistët, gjë që do të krijojë vështirësi në funksionimin e sistemit politik.

“Partia Përparimtare Serbe është më e fuqishmja, dhe ajo, si opozitë, do të veprojë në mënyrë aktive në Parlament, e që në kombinim me Nikolliqin si kryetar, do ta vështirësojë funksionimin e koalicionit qeverisës të demokratëve dhe socialistëve”.

“Kjo është lojë ë hapur, me një rezultat të pasigurt. Ndërkohë, në muajt në vijim, Serbia do të ballafaqohet me sfida të mëdha. Ajo po këmbëngulë që ta fitojë datën e fillimit të bisedimeve. Duhet gjithashtu t’i vazhdojë bisedimet me Kosovën“, ka përkujtuar Altman.

Nikolliqi e ka ndryshuar retorikën dhe pas shpalljes së rezultateve, ka paralajmëruar se do ta vazhdojë rrugën evropiane të Serbisë dhe do të përpiqet që t’i kultivojë marrëdhëniet e mira me faktorët kyç ndërkombëtarë si dhe me fqinjët.

Server shpreson që Nikolliqi ta mbajë fjalën.

“Shpresoj që do ta mbajë fjalën”, tha Server.

A do të jetë ndoshta i vendosur duke ndjekur këtë kurs të ri në mënyrë që t’ua heqë dilemat atyre që dyshojnë.

Ndoshta edhe më i vendosur se Tadiqi, i cili është frikësuar që të bëjë disa lëshime, duke pasur drojën se mos do të akuzohet përsëri për tradhti kombëtare.

“Këtë do ta shohim së shpejti. Është e rëndësishme që t’i mundësohet vlerësimi lidhur me veprimet konkrete. Nuk është aq e rëndësishme retorika e tij zgjedhore, aq sa mënyra me të cilën do të qeverisë”, ka shtuar Server.

Qëndrim të njëjtë ka edhe Altman.

Franc Lotar Altman

Franc Lotar Altman

“Mendoj se qeveritë evropiane do të presin që t’i shohin lëvizjet konkrete të Nikolliqit edhe kur bëhet fjalë për BE-në, por edhe për marrëdhëniet me fqinjët, për mënyrën se si do të reagojë në bisedimet me Kosovën”.

“Jam i sigurt që Brukseli, Berlini, Parisi dhe Londra do t’i presin hapat e parë të Nikolliqit dhe do të jenë të hapura për bashkëpunim nëse nismat e tij dhe qasja do të jenë pozitive. Pse jo. Atë e kanë zgjedhur qytetarët”, ka thënë Altman.

Tadiqi ka qenë i mirëpritur në kryeqytetet evropiane. A do të jetë BE-ja e kujdesshme ndaj Nikolliqit apo do të provojnë që me nxitje të ndryshme ta trimërojnë në rrugën evropiane?

Server thotë se institucionet evropiane do të presin dhe mbikëqyrin se çfarë politike do të udhëheqë Nikolliqi, gjegjësisht nuk do ta krijojnë qëndrimin në bazë të retorikës së deritashme të tij.

“Konsideroj që zyrtarët evropianë janë mjaft të zhgënjyer me performancën e Tadiqit, dhe ata do të presin që të shohin nëse Nikolliqi mundet që në mënyrë të kënaqshme ta zgjidhë kundërthënien në politikën e deritashme të Serbisë. Nëse nuk do të mundet, atëherë rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian do të jetë më e gjatë dhe më e rëndë”.

“Ndryshe, do të jetë shumë mirë nëse ai e shfrytëzon fitoren e tij si mjet për t’u shkëputur me të kaluarën e Serbisë. Por, siç thash, është vështirë të parashikohet se çfarë politike do të udhëheqë, përveç se e dimë se çfarë ka premtuar. Ajo çfarë ka premtuar është kundërthënëse, ngjashëm si në rastin e Tadiqi”, theksoi Server.

Sipas Altmanit, e kaluara e Nikolliqit tregon se ai nuk është politikan i besueshëm, për shkak se shpesh i ka ndryshuar qëndrimet, por që në rastin e tanishëm mund të jetë pozitive, sepse ai e sheh se nuk ekzistojnë opsione tjera, përveç bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, si dhe kultivimi i marrëdhënieve të mira me fqinjët.

“Por, pengesë e madhe në këtë rrugë do të jetë Kosova. Deri më tash, ai ka qenë i vendosur në qëndrimin se Kosova është pjesë e Serbisë. Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian pa mëdyshje ka vënë në pah se një marrëveshje të qartë të Beogradit dhe Prishtinës rreth statusit të Kosovës, Serbia nuk mund të llogarisë për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ky do të jetë vërtetë problem për Nikolliqin”, theksoi Altman.

Duke pasur parasysh që pas hyrjes së Kroacisë në Bashkimin Evropian, do të jetë një pushim i gjatë deri te pranimi i vendeve tjera, a do të përpiqet Nikolliqi që ta balancojë politikën ndërmjet asaj evropiane dhe asaj kombëtare.

Server thekson se Nikolliqin e kanë zgjedhur njerëzit që kanë pritje të caktuara.

“Megjithatë, problemi është në atë se këto pritje janë kundërthënëse. Ata dëshirojnë që ta mbajnë Kosovën dhe njëkohësisht të hyjnë në Bashkimin Evropian. Kjo kundërthënie mbetet pavarësisht se a ka fituar Nikolliqi apo Tadiqi. Shpresoj se Nikolliqi do ta vendosë aksentin në dimensionin evropian”, u shpreh Server.
Ndryshe, gjatë gjithë këtyre viteve, kjo ka qenë edhe politika e Tadiqit – edhe Kosova edhe BE-ja.

“Tadiqi nuk arriti që ta zgjidhe këtë kundërthënie. Do ta shohim nëse Nikolliq do të jetë më i suksesshëm në këtë çështje”, tha Server.

Altman konsideron se tash ka nisur pauza në çështjen e integrimeve evropiane të Serbisë.

“Në njërën anë, duhet të konstituohen institucionet në Serbi dhe të shihet se çfarë politike do të udhëheqin. Në anën tjetër, siç thash, Brukseli do të presë që të shohë se çfarë politike do të udhëheqë pushteti i ri në Beograd ndaj fqinjëve, para së gjithash ndaj Kosovës”.

“Jam skeptik se Serbia do ta marrë datën për fillimin e bisedimeve për Bashkimin Evropian deri në fund të vitit. Në Evropë ekziston një skepticizëm i madh për shkak se marrëveshjet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës po zbatohen vetëm në mënyrë sporadike. Tash pritet të shihet se në çfarë mase janë autoritetet në Beograd të angazhuara për zbatimin e marrëveshjeve dhe i takon Nikolliqit dhe pushtetit të ri që t’i përmbushin ato“, përfundoi Altman.(b.b.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG