Ndërlidhjet

Gruevski akuzon NATO-n, partitë shqiptare kërkojnë distancim


Flamuri i Maqedonisë

Flamuri i Maqedonisë

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, në një intervistën për agjencinë shtetërore të lajmeve, ka theksuar se Maqedonia pa të drejtë ka mbetur pas dyerve të Aleancës Veriatlantike.

"Maqedonia në mënyrë të padrejtë nuk do të marrë ftesë për pranim në Çikago, e cila edhe sipas të drejtës ndërkombëtare, por edhe sipas parimeve morale dhe arritjeve e meriton për shkak të bllokimit të njohur mirë nga Greqia. Por kjo nuk është problem vetëm i Maqedonisë dhe i Greqisë, por është problem thelbësor edhe i aleancës nga natyra politike, morale dhe të drejtës ndërkombëtare. Dhe NATO-ja nuk ka përgjigje për këtë", është shprehur Gruevski.

Sipas kryeministrit Gruevski asnjë konkluzion nga Samiti i NATO-s nuk zëvendëson ftesën, që duhej dhënë Maqedonisë.

Lidhur me përfaqësimin e Maqedonisë në Samit dhe mospjesëmarrjen e tij, Gruevski shtoi se prezenca e krerëve shtetëror nga Shkupi është në nivelin më të lartë se sa duhet.

Gruevski ka theksuar se NATO udhëheq politikën e standardeve të dyfishta, andaj po të ishte në vendin e presidentit Gjorgje Ivanov, nuk do të shkonte në këtë Samit.

Pas këtyre deklaratave të kryeministrit Gruevski, partitë shqiptare kanë reaguar.

PDSH-ja ka reaguar, duke kërkuar që partia shqiptare në pushtet (BDI), të prononcohet publikisht “nëse do të vazhdoj të jetë me Gruevskin, apo me popullin shqiptar, i cili i do integrimet”.

PDSH distancohet nga fjalori i përdorur nga ana e kryeministrit Nikolla Gruevski, kundër NATO-s, vendeve anëtare të NATO-s, si dhe vendeve fqinje. Fjalor që nuk përkon me kërkesën, pritjet dhe ëndrrën e shqiptarëve për integrim në NATO dhe BE. Të njëjtën gjë kërkojmë edhe nga BDI-ja, të prononcohet pas mosmarrjes për anëtarësim në NATO në Samitin e Çikagos dhe deklarimeve publike të kryeministrit të tyre Nikolla Gruevski kundër NATO-s, se a janë me Gruevskin apo janë me NATO-n dhe shqiptarët”, ka deklaruar Imer Aliu, nënkryetar i PDSH-së.

Ai ka kërkuar shpërbërjen e Parlamentit dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, menjëherë pasi shtetet anëtare të NATO-s nuk dhanë ftesë për anëtarësim të Maqedonisë në Aleancën Veriatlantike.

Kërkojmë që të thirret seancë urgjente e Parlamentit lidhur me mosmarrjen e ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e Çikagos, seancë kjo që do të rezultonte me shpërbërje të Parlamentit dhe zgjedhje të parakohshme, si e vetmja zgjidhje për dalje nga kjo situatë e krijuar”, u shpreh Aliu.

Ai kërkoi dorëheqjen urgjente të zëvendëskryeministres për Çështje Evropiane, Teuta Arifi dhe të ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Besimi.

Kërkojmë dorëheqje urgjente nga zëvendëskryeministrja Teuta Arifi dhe ministri i Mbrojtjes Fatmir Besimi, si eksponentë kryesorë të dështimit dhe mashtrimit të madh që iu është bërë shqiptarëve gjatë këtyre viteve. Kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare të ndihmojnë që urgjentisht të hapet dialogu politik në mes katër forcave më të mëdha politike në vend”.

Ngjashëm ka reaguar edhe partia tjetër shqiptare në opozitë, Rilindja Demokratike Kombëtare, prej ku i bëjnë thirrje BDI-së që të përcaktohet mes Gruevskit dhe popullit shqiptar.

"Në vend që kryeministri të jetë autokritik për mos-integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike, ai merret me kritika të ashpra kundër institucioneve ndërkombëtare, posaçërisht kundër NATO-s dhe institucioneve tjera. Në këtë situatë, kur populli shqiptar, mbi 99 për qind është për integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike, është më imanente çështja se BDI-ja duhet të jap përgjigje se a është me popullin shqiptar apo me Gruevskin”, është shprehur deputeti i RDK-së, Izet Zeqiri.

Gjersa partia më e madhe maqedonase në opozitë LSDM, përmes një letre ku janë nënshkruar të gjithë deputetët e partisë, ka theksuar se kryeministri Gruevski në deklarimin e fundit, qartë reflekton agresivitet dhe frustrim, sa i përket procesit euro-integrues të Maqedonisë.

Marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe NATO-n nuk janë punë e juaj private dhe ato nuk guxojnë të jenë trajtim i juaj emocional. Përderisa jeni kryeministër, obligimi juaj është që t’i përfaqësoni dhe të punoni në interes të të gjithë qytetarëve, te të cilët ekziston shkallë e lartë e konsensusit se integrimet euroatlantike janë prioritet i lartë strategjik për vendin tonë".

"Prej këtu pyesim kë e përfaqësoni me sulmet kundër partnerëve tanë strategjik dhe kush ua dha të drejtën që në emër të dy milionë qytetarëve t’i prishni raportet me tërë bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në letrën e hapur të LSDM-së, e cila i është dërguar qeverisë dhe deputetëve të Parlamentit të Maqedonisë.

Por paria shqiptare BDI, që është pjesë e koalicionit qeveritar, të hënën ka theksuar se pavarësisht sfidave dhe vonesave të Maqedonisë , kjo parti mbetet e përkushtuar në integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.

Sa u takon prononcimeve të kryetarit të VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski, lidhur me zhvillimet në samitin e NATO-s, BDI pajtohet me qëndrimin në pjesën ku thuhet se Maqedonia i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe meriton anëtarësimin në aleancën veriatlantike, dhe për këtë, ne si parti kemi dhënë një kontribut të pamohueshëm".

"Ne nuk pajtohemi me qëndrimin se komuniteti ndërkombëtar, përfshi këtu NATO-n dhe BE-në, kanë standarde të dyfishta ndaj Maqedonisë, ngase parimi i konsensualiteit është parim konsistent për të gjitha vendet të cilat synojnë integrimin në NATO dhe BE. Me këtë rast, mendojmë se rënia nën emocione dhe dëshpërim nuk është e dobishme për interesat shtetërore”, është shprehur Bujar Osmani zëdhënës i BDI-së.
XS
SM
MD
LG