Ndërlidhjet

Aksidenti në Shqipëri, 13 të vdekur, 25 të lënduar

  • RFE /RL

Marrë nga agjencitë e lajmeve të Shqipërisë

Marrë nga agjencitë e lajmeve të Shqipërisë

Autoritetet e Shqipërisë thanë se autobusi që po transportonte studentë të universitetit ka rënë në humnerë, duke lënë të vdekur 13 persona dhe duke lënduar 25 të tjerë.

Prefekti lokal Edmond Velçani dhe policia kanë konfirmuar shifrat e të vdekurve dhe të të plagosurve.

Ngasësi i autobusit është në mesin e viktimave.

Në mesin e të plagosurve, 10 persona janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe janë duke u mjekuar në spitalin ushtarak në Tiranë.

Autobusi po udhëtonte nga Elbasani për në qytetin e Sarandës.

Këshilli i Ministrave në Shqipëri, ka shpallur 22 majin ditë zie në shenjë nderimi për viktimat e aksidentit të sotëm.

Topi: I tërë shteti është në këmbë


Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta dhe hidhërimin e thellë për të gjitha familjet e studentëve që humbën jetën sot në Himarë.

Ai ka siguruar se ndodhet pranë familjeve në këto çaste të rënda e të vështira.

"Ndihem shumë i trishtuar, ashtu sikurse edhe ju për këtë aksident fatkeq, i cili mori përmasa fatale dhe ju shkaktoi këtë tragjedi të madhe. Duke ju siguruar që të gjitha strukturat e duhura të shtetit shqiptar janë ngritur në këmbë e janë mobilizuar duke punuar me një organizim të shkëlqyer për të administruar situatën dhe minimizuar përmasat e kësaj tragjedie të rëndë, më lejoni t’ju shpreh edhe njëherë solidaritetin njerëzor dhe institucional. Njëkohësisht u uroj shërim sa më të shpejtë studentëve të plagosur," ka thënë Topi.


Berisha: Të bëhet çdo gjë për shpëtimin e jetëve


Kryeministri I Shqipërisë ka porositur ministrin e Shëndetësisë Petrit Vasili të bëhet çdo gjë për t’iu garantuar të lënduarve ndihmën më të kualifikuar në qendrat shëndetësore më të mira brenda vendit dhe jashtë tij, ku të jetë e nevojshme, njoftojnë mediat shqiptare.

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Samitin e NATO-s në Çikago, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse në Tiranë, për operacionin e ndihmës emergjente ndaj të aksidentuarve, për të cilët po kërkon të bëhet çdo gjë, për të shpëtuar jetën e tyre.


Jahjaga ngushëllon Topin


Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka ngushëlluar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, pas aksidentit të rëndë të trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë-Himarë, në të cilin humbën jetën dhe u plagosën një numër studentesh të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.

"Me dhimbje të thellë morëm lajmin mbi vdekjen tragjike, si dhe plagosjen e studenteve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani’ të Elbasanit, në aksidentin e trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë – Himarë. Pranoni ngushëllimet e sinqerta të qytetarëve, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të miat personalisht, për humbjen tragjike të jetëve të studenteve", thuhet ndër të tjera në telegramin e ngushëllimit të presidentes Jahjaga.

"Në këto çaste të rënda për familjarët e viktimave dhe për tërë Republikën e Shqipërisë jemi pranë jush për të ndarë dhimbjen e madhe për këtë tragjedi. Zotëri President, ju shpreh solidaritetin e qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ju ofrojmë përkrahjen e plotë", thuhet në telegram.


Thaçi ngushëllon Berishën


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ngushëlloi kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe familjarët e të aksidentuarve në tragjedinë e Himarës.

“Lajmi për tragjedinë e rrokullisjes së autobusit me studentë, afër Himarës, ku humbën jetën 11 prej tyre, na tronditi të gjithëve. Vrulli i rinisë studentore, që po bëhej gati të bashkohej në përpjekjet për të zhvilluar vendin e tyre, u ndërpre nga një shmangie tragjike nga rruga e autobusit me të cilin po udhëtonin ata", thuhet në telegramin e z Thaçi.

"Më lejoni që në këtë moment pikëllimi dhe dhimbjeje, të ju shpreh Juve, Qeverisë së Shqipërisë dhe gjithë familjeve të studentëve që humbën jetën në këtë tragjedi, ngushëllimet e mija të sinqerta. Populli i Kosovës dhe qeveria e tij, ndiejnë dhembje dhe dëshirojnë të jenë pranë jush dhe familjeve që humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi. Kjo dhimbje duhet të na forcojë kujtimin për ata që humbën jetën, dhe për idealet e tyre për lirinë dhe perspektivën për një jetë më të mirë,” ka thënë kryeministri Thaçi në telegramin e ngushëllimit



Hoxhaj ngushëllon Haxhinaston

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një telegrami ngushëllimi dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ka shprehur tronditjen e thellë të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës, pas ngjarjes tragjike që ka ndodhur në Himarë, ku kanë gjetur vdekjen një numër i të rinjve dhe shumë të tjerë janë plagosur.

“Në këto qaste të rënda, ne i bashkohemi pikëllimit dhe dhimbjes së familjeve që kanë humbur fëmijët e tyre në këtë tragjedi. Populli i Kosovës po ashtu i bashkohet lutjeve për shërim sa më të shpejt të të lënduarve në këtë tragjedi”, thuhet në telegram.

Ministri Hoxhaj ka shprehur solidaritetin dhe gatishmërinë e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të ndihmuar me çdo mjet dhe në çdo formë autoritetet shqiptare dhe familjet e të aksidentuarve për tejkalimin sa më shpejtë të kësaj situate tragjike. (a.i.)


Trego komentet

XS
SM
MD
LG