Ndërlidhjet

Lunaçek: Udhërrëfyesi brenda pak javësh


Pasaporta e Kosovës
Pasaporta e Kosovës

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulerike Lunaçek ka thënë se Kosova shumë shpejt do të merr udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Këto komente, Lunaçek i ka bërë përmes një video mesazhi drejtuar studentëve të Universitetit “AAB & Riinvest”.

Ajo tha se në Parlamentin Evropian, shumë nga eurodeputetët janë të përkushtuar që t’i afrojë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimorë sa më afër Bashkimit Evropian.

Si raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian unë dhe shumë nga kolegët e mi jemi të përkushtuar që ta sjellim Kosovën bashkë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor sa më afër Bashkimit Evropian”, tha Lunaçek.

Mirëpo një përqendrim i veçantë i kosovarëve këto dy vitet e fundit ka qenë çështja e liberalizimit të vizave.

Kosova ka mbetur e fundit në këtë proces, përderisa vendet e rajonit tashmë lëvizin lirshëm për në vendet e BE-së pa pasur nevojë për regjimin e vizave.

Brukseli i kishte premtuar qeverisë së Kosovës se do t’i dorëzonte udhërrëfyesin si hapi i parë në drejtim të liberalizimit.

Lunaçek tha se beson që ky udhërrëfyes do t’i dorëzohet Kosovës brenda pak javësh.

Pasi që mesazhi i saj u drejtohej studentëve, Lunaçek tha po ashtu se ata duhet të mësojnë për integrimet evropiane dhe se sa herë që udhëtojnë jashtë vendit, ata janë ambasadorët më të mirë të Kosovës.

Ne në Parlamentin Evropian luftojmë për të drejtat tuaja që të udhëtoni lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian ngjashëm me qytetarët tjerë të Ballkanit Perëndimor të cilët tashmë udhëtojnë lirshëm”, tha Lunaçek.

Ndërkohë, zëvendësministri për Integrime Evropiane, Gëzim Kasapolli rikujtoi se BE-ja ka premtuar se udhërrëfyesin do t’ia dorëzojë Kosovës gjatë kësaj pranvere.

Kemi marrë një zotim nga zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian që udhërrëfyesi në Kosovë do të arrijë para fundit të pranverës. Si duket ata nuk e kanë kuptuar që dimri ka mbaruar, por megjithatë kemi edhe një afat kohor prej një muaji që BE-ja ta plotësojë këtë zotim”, ka thënë Kasapolli.

Sfidat kryesore të cilat Kosova duhet t’i tejkalojë që të sigurojë lëvizjen pa viza për qytetarët e saj kanë të bëjnë me sigurinë e dokumenteve personale, menaxhimin e integruar të kufirit si dhe me riatdhesimin dhe ri-integrimin, marrë parasysh një numër tejet të madh të kosovarëve kanë ende statusin e azilit nëpër vende të ndryshme anëtare të BE-së, të cilët do të duhet që të kthehen dhe riatdhesohen në Kosovë.
XS
SM
MD
LG