Ndërlidhjet

Gjonbalaj: Hapësira e lartë ajrore hapet në qershor, 2013


Ilustrim

Ilustrim

“Hapësira e lartë ajrore e Kosovës, e cila ka qenë e mbyllur që nga viti 1999 përfundimisht do të hapet për mbikalime komerciale në qershor të vitit të ardhshëm. Në këtë hapësirë ajrore, përkohësisht do të ofrojë shërbime të navigacionit ajror, një shtet anëtar i NATO-s. Ky shtet padyshim do të jetë mik i Kosovës”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Dritan Gjonbalaj.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gjonbalaj, NATO ka nisur identifikimin e një shteti anëtar të saj që do të ofronte përkohësisht shërbime të navigacionit ajror në hapësirën e lartë ajrore të Kosovës. Kur pritet të bëhet kjo?

DRITAN GJONBALAJ
Që nga shpallja e pavarësisë, autoritetet e Republikës së Kosovës, janë duke punuar ngusht me NATO-n, KFOR-in, BE-në, Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil dhe hisedarët tjerë në rajon, për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit, dhe në veçanti, për hapjen e hapësirës së lartë ajrore të Republikës së Kosovës, për mbikalimet e avionëve civilë.

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të nismës së NATO-s, “Balkans Airspace Normalization Meeting”, pra Mbledhja Ballkanike për normalizimin e Hapësirës Ajrore. NATO, njësoj sikur edhe autoritetet e vendit tonë, është shumë e përkushtuar për hapjen e hapësirës së lartë ajrore të Kosovës.

Interesim të madh kanë edhe kompanitë ajrore, sepse mbi Kosovë, kalojnë disa rrugë që historikisht janë shfrytëzuar shumë në trafikun ajror ndërkombëtar. Kohëve të fundit, janë intensifikuar takimet e udhëhequra nga NATO, dhe aktivitetet e autoriteteve të Republikës së Kosovës, për hapjen e hapësirës sonë të lartë ajrore.

Dritan Gjonbalaj

Dritan Gjonbalaj


RADIO EVROPA E LIRË
Pse Kosova nuk mund të bëjë mbikëqyrjen e lartë të hapësirës së saj ajrore?

DRITAN GJONBALAJ
Zgjidhja ideale do të ishte që kontrollin e hapësirës së lartë ajrore të Kosovës, ta fillojë që nesër Agjencia Kosovare e Shërbimeve të Aviacionit Ajror, mirëpo, që kjo të ndodhë, duhet kohë. Për këtë arsye do të ketë një periudhë kalimtare, një zgjidhje e përkohshme, përmes së cilës Republika e Kosovës do të përkrahet nga një shtet partner, nën delegimin e NATO-s, për t’i ofruar shërbimet e navigacionit ajror në hapësirën tonë të lartë ajrore për mbikalime.

Pra, ky shtet partner, ky shtet anëtar i NATO-s, pa dyshim që do të jetë një shtet mik i Kosovës. Për të ndodhur kjo, pra, për t’iu dhënë përgjegjësia menjëherë agjencisë tonë të navigacionit ajror, duhet të ketë ngritje të kapaciteteve njerëzore dhe gjithashtu përmirësim në teknologjinë, e cila përdoret tash për tash në Kosovë. Pra, duhet një periudhë kalimtare, gjatë së cilës agjencia jonë e navigacionit ajror, në partneritet me një agjenci të një shteti të NATO-s, do të ngritet në nivelin që shumë shpejt të jetë e gatshme t’i ofrojë vetë këto shërbime në hapësirën e lartë ajrore të Kosovës.

Dua ta përmend edhe faktin që agjencia jonë e navigacionit ajror, tash e disa vite, me kompetencë të plotë, ofron shërbime në hapësirën e ulët ajrore të Kosovës, për aterimin në aeroportin e Prishtinës, dhe për nisjen nga aeroporti i Prishtinës. Deri më tani, shërbimet për mbikalime nuk i kanë ofruar, për shkak se hapësira e lartë e Kosovës ka qenë e mbyllur, dhe vazhdon ende të jetë e mbyllur.

Do të thotë, pas hapjes së hapësirës ajrore të Kosovës, nevojitet një periudhë transitore, deri sa agjencia jonë të jetë plotësisht e gatshme për ofrimin e këtyre shërbimeve. Përveç kësaj, ekziston edhe një arsye tjetër shumë e rëndësishme, sepse hapësira e lartë e Republikës së Kosovës, është e mbyllur për mbikalime nga NATO-ja. Kjo ka qenë zgjidhja më e mirë e mundshme në vitin 1999. NATO-ja ka përgjegjësi shumë të rëndësishme në hapësirën ajrore të Kosovës, në bazë të marrëveshjes tekniko-ushtarake dhe marrëveshjes së Helsinkit të vitit 2009.

Ne, në partneritet me NATO-n, punojmë në vazhdimësi. Edhe në kontrollin e hapësirës së ulët ajrore, ne kemi përkrahje të vazhdueshme të NATO-s, dhe ushtrimi i këtyre përgjegjësive nga agjencia jonë e shërbimit të navigacionit ajror dhe nga autoriteti i aviacionit civil si rregullator, bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për aviacionin civil, gjithmonë duke pasur parasysh edhe përgjegjësitë shumë të rëndësishme që i kanë NATO-ja dhe KFOR-i në hapësirën tonë ajrore, bazuar në dokumentin ndërkombëtar në fuqi.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur, konkretisht, do të hapet hapësira e lartë ajrore e Kosovës?

DRITAN GJONBALAJ
Për shkak se hapja e hapësirës ajrore kërkon një punë të madhe përgatitore në aspektin teknik, në nënshkrimin e marrëveshjeve të ndryshme teknike, protokolleve të ndryshme që e përcaktojnë në detaje çdo element të kalimit të avionëve nga një juridiksion në tjetrin, ne besojmë që hapësira e lartë ajrore përfundimisht do të hapet për mbikalime komerciale diku në maj apo qershor të vitit të ardhshëm. Pra, pak a shumë pas një viti, në qiellin e Kosovës do të shohim edhe aeroplanë duke mbikaluar.

RADIO EVROPA E LIRË
Me hapjen e hapësirës së lartë ajrore, cilat do të ishin përfitimet e Kosovës?

DRITAN GJONBALAJ
Qielli i Kosovës po hapet. Kjo ka rëndësi të madhe edhe për faktin se hartës evropiane të mbikalimeve ajrore, po i kthehen 10 mijë kilometra katrorë qiell, ku kalojnë rrugë shumë të rëndësishme. Hapja e hapësirës ajrore ka rëndësi edhe për zhvillimin dhe forcimin e agjencisë tonë të shërbimeve të navigacionit ajror, sepse nga këto shërbime që do të ofrohen në partneritet me një shtet të tretë në hapësirën e lartë, do të gjenerohen edhe të ardhura financiare.

RADIO EVROPA E LIRË
Prej vitit 1999, korridori me Serbinë, i cili lidh Evropën Perëndimore me atë Juglindore, edhe më tutje është i pezulluar. Cilat kanë qenë angazhimet e Aviacionit Civil në këtë drejtim?

DRITAN GJONBALAJ
Që nga përfundimi i luftës, hapësira e lartë e Republikës së Kosovës është e mbyllur. Hapësira 9 kilometra, pra, ajo që quhet hapësira e ulët ajrore e Kosovës, kontrollohet nga ofruesi i shërbimit të navigacionit ajror, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës "Adem Jashari". Kontrollorët tanë të trafikut ajror ofrojnë shërbime për ngritje dhe aterime nga Prishtina, si dhe për fluturime tjera brenda territorit të Republikës së Kosovës, në të shumtën e rasteve, helikopterë të KFOR-it.

Tash për tash, hyrje - daljet nga Kosova, bëhen përmes dy korridoreve ajrore, që na lidhin me Maqedoninë. Ju e përmendët korridorin me Serbinë, por unë do ta përmendja korridorin me Shqipërinë fillimisht, dhe korridorin me Malin e Zi. Në prioritetet e institucioneve tona, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të autoriteteve të aviacionit civil, si trup ekzekutiv përgjegjës për sigurinë e aviacionit civil në Republikën e Kosovës, e edhe të ofruesit të shërbimit të navigacionit ajror, jemi duke punuar që një kohë, për hapjen e korridoreve të hapësirës së ulët ajrore me Malin e Zi dhe me Shqipërinë.

Këto dy korridore do ta shkurtonin dukshëm fluturimin e kompanive ajrore që vijnë në aeroportin e Prishtinës nga Evropa Perëndimore. Natyrisht që ne jemi të interesuar të hapim korridore me të gjitha shtetet fqinje, sepse në këtë do të përfitojnë, mbi të gjitha, pasagjerët që fluturojnë në Republikën e Kosovës. Çështja e korridorit me Serbinë nuk është në mesin e prioriteteve të menjëhershme, të cilat ne i kemi identifikuar.

Çështja me korridorit me Serbinë është një çështje që lidhet gjithashtu edhe me zonën e sigurisë ajrore, midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Pra, është një zonë ndalim - fluturimi në kufi me Kosovën, që futet në brendinë e territorit të Serbisë, 5 kilometra. Këtë zonë të sigurisë ajrore e ka vendosur NATO-ja, ende është aty, dhe çështja e zonës së sigurisë ajrore, pa dyshim që do të diskutohet në nivele tjera. Mirëpo, teknikisht, ne nuk shohim probleme, që korridoret të hapen me Shqipërinë dhe me Malin e Zi.

Janë bërë të gjitha përgatitjet teknike, dhe besojmë që shumë shpejt, në vazhdën e veprimeve drejt normalizimit të hapësirës ajrore të Kosovës, duke përfshirë edhe hapësirën e ulët, këto dy korridore mund të hapen.

RADIO EVROPA E LIRË
Autoriteti i Aviacionit Civil bën auditimin për siguri në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” . A i plotëson standardet ndërkombëtare për siguri ky aeroport?

DRITAN GJONBALAJ
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është i certifikuar si aeroport ndërkombëtar në përputhje me standardet e aneksit 14, të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil. Standardet e aneksit 14 janë standarde të aplikueshme në të gjitha vendet e botës, gjithashtu edhe në aeroportin e Prishtinës. Autoriteti i Aviacionit Civil është i kënaqur që punon dhe me një staf aq të përkushtuar dhe profesionist, siç është stafi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Natyrisht, në kuadër të angazhimeve tona si rregullatorë të sigurisë së aviacionit civil, ne bëjmë auditime dhe inspektime të vazhdueshme për të garantuar për udhëtarët dhe kompanitë ajrore që shfrytëzojnë këtë aeroport, se operimet kryhen në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

Mund të them se aeroporti i Prishtinës është një aeroport i sigurt dhe këtë e ka dëshmuar edhe fakti se me vite e vite operime, nuk ka shfaqur ndonjë aksident serioz. Por, sidoqoftë kjo nuk na relakson dhe në vazhdimësi kryejmë punën tonë të rregullatorit për të garantuar zbatim të standardeve në aeroport.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG