Ndërlidhjet

Edhe pse ligji për sigurimet shëndetësore është miratuar në vitin 2007, ai asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi.

Më vonë, ky ligj ishte tërhequr për shkak të implikimeve buxhetore, me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, ka deklaruar se ligji për sigurime shëndetësore, do të miratohet në fillim të vitit 2013.

Drejtori për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti ka thënë se ligji për sigurime shëndetësore do të miratohet vitin që vjen, por që reforma e tij do të jetë graduale.

Ligji për sigurime shëndetësore pritet të miratohet vitin që vjen, por që reforma e sistemit shëndetësor do të jetë graduale. Nuk ka reformë të menjëhershme. Ministria e Shëndetësisë, në krye me ministrin Agani, gjatë gjithë kësaj periudhe 15 mujore, prej kur edhe ka marrë mandatin ministri, ka qenë e fokusuar që ligji për sigurime shëndetësore të jetë në pajtueshmëri me rekomandimet që japin Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar”, u shpreh Hoti.

Ndërkaq, drejtuesi i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ) Behxhet Shala, njëherësh anëtar i grupit punues për draftimin e ligjit për sigurime shëndetësore dhe atë për shëndetësi, tha për Radion Evropa e Lirë, se sipas parashikimeve dhe gjendjes reale në Kosovë, ky ligj nuk do të jetësohet edhe tri vjetët e ardhshme.

KMLDNJ ka qenë pjesë e përgatitjes së ligjeve për shëndetësi dhe sigurime shëndetësore, dhe ka zgjatur me vite të tëra. Por, ne kemi pasur rezerva gjithmonë. Unë mendoj se as që ka gjasa që ky ligj të fillojë të zbatohet së shpejti, me mundësitë që ka buxheti i Kosovës, dhe e ka të pamundur zbatimin, për shkak se e ka një kosto shumë të lartë, dhe një model që është propozuar në këtë ligj nuk është i zbatueshëm në Kosovë. Unë mendoj që ky ligj nuk mund të jetësohet së paku para tri vjetëve. Por edhe po të fillojë zbatimi, nuk do të mund të jetë qind për qind funksional”, tha Shala.

Edhe sindikalistët e shëndetësisë mendojmë se ky ligj është larg implementimit.

Blerim Syla, drejtuesi i sindikatës së shëndetësisë, është skeptik se edhe në një të ardhme të afërt, qytetarët do ta kenë ligjin për sigurime shëndetësore.

Unë mund të them se grupi vendor e ka përfunduar punën e vet në hartimin e ligjit për sigurime shëndetësore, por me ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare, si Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, është ndryshuar në thelb ky ligj. Andaj, ne si sindikatë kemi reaguar, sepse kjo shkon në dëm të popullatës”.

Si do që të jetë nuk është bërë ndonjë punë që po na bind se ky ligj do të kalojë, si nga bashkësia ndërkombëtare, po ashtu edhe Parlamenti i Kosovës. Andaj unë me sigurinë më të madhe them se ky ligj as sivjet nuk do të kalojë, sepse nuk janë paraparë mjete në fillim në projektbuxhetit për vitin 2012”, thekson Syla.

Ndërsa, Behxhet Shala përmendi edhe një fakt, si pengesë e moszbatimit të ligjit për sigurime shëndetësore.

"Ne kemi kontestuar si KLMDNJ, në kuptimin që në komunave me shumicë serbe u jepej kompetenca që nuk e ka as Ministria e Shëndetësisë, dhe ky ligj e legalizon paralelizmin shëndetësor në Kosovë. Ndërkaq ne kemi qenë skeptikë që ligji për sigurime shëndetësore mund të zbatohet në një të ardhme të afërt”, tha ai.

Sidoqoftë, Faik Hoti ka deklaruar se ligji për shëndetësi pritet të miratohet në mbledhjen e qeverisë gjatë kësaj jave.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG