Ndërlidhjet

UNDP: Pulsi i pakënaqësisë së kosovarëve


Anketa e radhës së Pulsit Publik e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Anketa e radhës së Pulsit Publik e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Janë rritur pakënaqësitë e kosovarëve për punën e institucioneve ekzekutive, legjislative, gjyqësore, por edhe për orientimin politik e ekonomik të vendit, vë në pah anketa e radhës së Pulsit Publik e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Papunësia dhe korrupsioni mbesin, sipas vlerësimeve të 1280 qytetarëve të anketuar, problemet kryesore në Kosovë.

Siç ishte pasqyruar në anketën e nëntorit të vitit të kaluar, kosovarët ende besojnë se lidhjet familjare dhe ryshfeti janë faktor i rëndësishëm për punësim, ndërsa shprehen pesimistë lidhur me mundësitë për punësim bazuar në merita.

Një gjë që, sipas përfaqësueses së përhershme të UNDP-së, Osnat Lubrani, mund të vërehet në rezultatet e kësaj ankete është rritja e numrit të qytetarëve që nuk kanë ndonjë pikëpamje të caktuar për çështje të ndryshme.

Lubrani tha se kjo u lë hapësirë institucioneve vendimmarrëse të formojnë opinionin publik të vendit.

“Disa nga gjetjet na tregojnë se pikëpamjet e njerëzve nuk janë të saktësuara për këtë apo atë çështje. Andaj, ky është një sinjal që flet se ka një mundësi për institucionet qeveritare të përpiqen që të formojnë mendimet në një mënyrë që do të ishte pozitive për stabilitetin në Kosovë”, tha Lubrani.

Mungesa e një qëndrimi të qartë të qytetarëve, sipas anketës së Pulsit Publik, vërehet në pyetjen që ka të bëjë me zgjidhjet eventuale për problemin e veriut të Kosovës.

Derisa pjesa më e madhe e të anketuarve thuhet se është shprehur në favor të zbatimit të plotë të Kushtetutës dhe Planit të Ahtisarit në veri të Mitrovicës, rreth 6 për qind e qytetarëve janë shprehur në favor të mosndryshimit të situatës në veri.

Serbët e anketuar, ndërkaq, thuhet se me 28 për qind preferojnë që “situata në veri të mbetet e njëjtë siç ishte që nga viti 1999” dhe për një ndarje të veriut, ndërsa mësohet se shumica e serbëve të Kosovës ishin neutral ndaj opsioneve eventuale për zgjidhjen e çështjes së veriut.

Ky “neutralitet” i vërejtur edhe në pyetjen drejtuar serbëve kosovarë se a do t’u paguanin tatimet institucioneve të Kosovës, sipas sociologëve në Prishtinë, flet për mungesën aktuale të vizionit që ka shoqëria.

Sociologu, Ismail Hasani, vlerësoi se mungesa e qëndrimit të qytetarëve për shqetësimet e tyre dëshmon rënien e optimizmit për të ardhmen.

“Abstinenca është rezultat i mungesës që kanë njerëzit për të parë perspektivën se ku shkojnë proceset më tutje dhe cilat janë kahet e zhvillimit të shoqërisë kosovare - si në planin e përmirësimit të gjendjes në aspektin ekonomik, ashtu dhe në planin e zhvillimeve politike që, në një mënyrë ose tjetër, determinojnë të ardhmen e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Hasani.

Ai shtoi se rezultatet që flasin për rritjen e pakënaqësisë së qytetarëve për funksionimin e shumë segmenteve shtetërore e shoqërore nuk janë befasuese nëse merret parasysh gjendja aktuale ekonomike e politike në Kosovë.
XS
SM
MD
LG