Ndërlidhjet

Kombëtarja e Kosovës, e gatshme


Topi i Artë
Topi i Artë
Mundësia që Federata Ndërkombëtare e Futbollit, e njohur si FIFA, ia ka dhënë Kosovës që të zhvillojë ndeshje futbolli miqësore me kombëtaret e 208 vendeve anëtare të kësaj federate, në Kosovë është pritur me mjaft entuziazëm nga dashamirët e sportit dhe institucionet përgjegjëse të sportit, përkatësisht të futbollit.

Agim Ademi, nënkryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, thotë se kjo ngjarje Kosovën e sjellë para hapit të fundit drejt pranimit të saj si anëtare me të drejta të plota në FIFA, por edhe në Federatën Evropiane të Futbollit apo UEFA.

Duke u nisur nga fakti se tash e një kohë të gjatë kosovarët janë duke lobuar për të arritur rezultatin, i cili tashmë është arritur, Ademi thekson se Federata e Futbollit të Kosovës ka krijuar potencialin, që të jetë e gatshme për ndeshje ndërkombëtare të përfaqësueses së Kosovës.

Presidenti i FIFA-s, Sep Blater dhe ai Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, 11 maj 2012
Presidenti i FIFA-s, Sep Blater dhe ai Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, 11 maj 2012
“Ne e kemi krijuar reprezentacionin tonë. E kemi edhe përzgjedhësin dhe Federata e Futbollit është marrë vazhdimisht me këtë punë, duke e ditur se do të vijë kjo ditë”.

“Jemi parapërgatitur aq sa ne kemi pasur mundësi dhe besoj që mund të them se jemi nën ato shtetet me kombëtaret më të mira, por jemi të denjë në mesin e të gjithë atyre 205 federatave, që edhe ne me siguri se nuk do të jemi ata të fundit dhe më të dobëtit”, thotë Ademi.

Mendim të ngjashëm ka edhe Bilbil Sokoli, trajner i futbollit dhe profesor në Universitetin e Prishtinës. Ai vlerëson se Kosova ka mjaft potencial që të krijojë një përfaqësuese të dinjitetshme për takimet ndërkombëtare.

“Këto relacione do të reflektohen në atmosferën e krijuar për formulimin e një përbërjeje të fuqishme që do ta prezantonte Kosovën në arenën ndërkombëtare. Prandaj, tash duhet menduar për një përbërje perspektive, do të thotë, me futbollistë të rinj, të moshës diçka më të re”.
Sa i përket nivelit, unë mendoj se që në këtë moment kemi përbërje, e cila do të jetë e denjë të prezantohet.


“Ne kemi shumë futbollistë, të cilët në kohëra të vështira kanë migruar dhe tash janë në kulmin e karrierës së tyre. Sa i përket nivelit, unë mendoj se që në këtë moment kemi përbërje, e cila do të jetë e denjë të prezantohet”, shprehet Sokoli.

Por, jo rrallë, deri më tash, është shfaqur droja se Kosovës do t’i mungojë infrastruktura teknike në rast se ajo fiton mundësinë për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare të futbollit, qoftë edhe të formatit miqësor.

Ademi thotë se infrastruktura e Federatës së Futbollit të Kosovës, në të cilën përfshihet pjesa administrative, ligjore, ajo e trajnerëve të licencuar dhe e futbollistëve, është e përgatitur. Por, sipas tij, mbetet ende për t’u bërë në infrastrukturën teknike që përfshijnë terrenet dhe stadiumet e futbollit.

“Mund të themi që ndoshta nuk kemi infrastrukturë teknike, në njëfarë forme, ta quajmë kështu, të terreneve. Por, unë shpresoj që ato do të rregullohen shumë shpejt, sidomos dy stadiumet që i kemi thuajse të përafërta për atë punë, stadiumi i qytetit të Prishtinës dhe stadiumi i Mitrovicës. Këto dy stadiume besoj se do të jenë shumë shpejt të gatshme për t’u pranuar për ndeshjet ndërkombëtare miqësore”, thekson Ademi.

Ndryshe, Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, thotë se infrastruktura teknike për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit do të jetë shumë shpejt e gatshme.

Sipas tij, dy stadiumet, në Prishtinë dhe Mitrovicë, kanë terrene të përshtatshme dhe të cilat i përmbushin kriteret e FIFA-s dhe UEFA-s, por vetëm kërkohen renovime në objektet përcjellëse të terreneve.

Ai pret që Qeveria e Kosovës, marrë parasysh rrethanat e krijuara, do të ndajë fonde për përmbushjen e kritereve të plota infrastrukturore të stadiumeve në Prishtinë dhe Mitrovicë.

“Sa i përket zhveshtoreve dhe sanitarisë së brendshme, mendoj që duhet një intervenim emergjent që të plotësohen edhe ato kritere, të cilat i kërkon UEFA dhe FIFA. Por, meqenëse na është hapur rruga, besoj se do të sigurohet një fond i mjaftueshëm që në njërin prej këtyre stadiumeve të investohet në mënyrë emergjente dhe një fond, ndoshta prej 1 ose 2 milionë (euro) të investohet menjëherë në njërin prej këtyre stadiumeve, që t’i plotësojë kriteret për zhvillimin e garave”, thotë Alaj.

Por, a pritet tash së shpejti ndonjë ndeshje miqësore e futbollit ndërmjet përfaqësueses së Kosovës dhe ndonjë vendi tjetër?

Ademi thotë se po:
Ndeshje miqësore do të kemi shumë shpejt.
“Ndeshje miqësore do të kemi shumë shpejt. Deri tash nuk e kemi të përcaktuar, por besoj që do të jetë një kombëtare shumë prestigjioze. Ndoshta edhe Turqia”.

Ndryshe, deri më tash, FIFA dhe UEFA nuk ia kishin mundësuar Kosovës takimet ndërkombëtare të futbollit, për shkak se shtetësia e saj nuk njihet në Kombet e Bashkuara. Ishte vetë presidenti i FIFA-s, Sep Blater, i cili ka propozuar këtë formë të ndryshimit të politikave.

Tetë votat e UEFA-s, kundrejt panelit 24 anëtarësh të FIFA-s, dështuan ta bllokojnë këtë nismë dhe Kosova fitoi të drejtën që të luajë ndeshje ndërkombëtare miqësore.
XS
SM
MD
LG