Ndërlidhjet

Shkup: Opozita kërkon qeveri teknike


Parlamenti i Maqedonisë (Foto nga arkivi).

Parlamenti i Maqedonisë (Foto nga arkivi).

Kryetari i Parlamentit nuk i është përgjigjur kërkesës së frontit opozitar të partive politike maqedonase për thirrjen e një seance urgjente pas dështimit të Maqedonisë samitin e Çikagos.

Ndryshe, në letrën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanovski, fronti opozitar kërkon seancë urgjente, për t’i kërkuar llogari presidentit Gjorgje Ivanov dhe kryeministrit Nikolla Gruevski.

Në këtë seancë do të diskutohej “vetëm për një pikë të rendit të ditës: ‘përkufizimi i planit dhe aktiviteteve të ardhshme të krerëve shtetërorë për realizimin e prioriteteve dhe interesave strategjike të qytetarëve, për integrimin e Maqedonisë në NATO, pas samitit të Çikagos”.

Ndërkaq, partia shqiptare në opozitë, Rilindja Demokratike Kombëtare, vlerëson se çelësi i vetëm për zhbllokimin e procesit integrues është formimi i një qeverie teknike, ku do të përfshihen të gjitha partitë parlamentare, Qeveri kjo që do të marrë për obligim t`i hapë rrugë procesit të negociatave rreth kontestit të emrit për t`u arritur një zgjidhje e pranueshme mes Greqisë dhe Maqedonisë.

“Është bërë më se e qartë se tani nuk ka asnjë problem sa i përket procesit të integrimeve, pos zgjidhjes së çështjes së emrit - çështje kjo që realisht ka dalë në sipërfaqe si pasojë e një politike agresive, nacionaliste antikvizuese të paargumentuar dhe të paqëndrueshme në të dhënat historike, udhëhequr nga Qeveria e aktuale e kryeministrit Nikolla Gruevski”.

“Heqja dorë nga kjo politikë do të çonte popullatën në përgjithësi në Maqedoni, pa marrë parasysh maqedonas apo shqiptarë të hapej një perspektivë më e mirë ekonomike dhe integruese”, thekson Artan Dika, zëdhënës i partisë.

Ndërkohë, PDSH-ja vlerëson se kjo Qeveri ka humbur legjitimitetin, andaj duhet shkuar sa më parë në zgjedhje të parakohshme.

Ziadin Sela, deputet nga radhët e PDSH-së, thotë se krahas procesit integrues për një kohë të gjatë mbetet peng edhe realizimi i kërkesave të shqiptarëve. PDSH-ja, thotë Sela, do të bashkëpunojë me të gjitha partitë politike, të cilat janë të gatshme të pranojnë nevojën e një marrëveshjeje të re politike mes maqedonasve dhe shqiptarëve.

“Ne nuk kemi nevojë të heqim Gruevskin për të vendosur Cërvenkovskin, por kemi nevojë që në parim të fillojnë të zgjidhen problemet në Maqedoni”.

“Pra, në momentin që dështoi një nga synimet kryesore të kësaj përbërjeje qeveritare nuk shohim asnjë zgjidhje tjetër të problemeve përpos që kjo Qeveri të japë dorëheqje, të realizohet një dialog politik mes liderëve ku do të arrihet ujdi për zgjedhje të parakohshme në mënyrë që të zhbllokohet procesi i integrimit, proces ky që mban peng zhvillimet demokratike të vendit për më shumë se një dekadë”, thekson Sela.

Por, partia shqiptare në pushtet, BDI, idenë për formimin e qeverisë teknike, e sheh si strategji politike për rikthim të opozitës në pushtet, gjithnjë duke përdorur shqiptarët për arritjen e qëllimeve të tyre.

“Vlerësojmë se kërkesa e opozitës maqedonase, respektivisht LSDM-së drejtpërdrejt, por kryesisht nëpërmjet disa individëve shqiptarë të angazhuar nga ta, që luajnë rolin e marionetave dhe megafonëve të tyre, që BDI-ja ta lëshojë Qeverinë, nuk ka për qëllim tejkalimin e kontekstit dhe zhbllokimin e integrimeve, por është pjesë e strategjisë politike për rikthim në pushtet duke i përdorur shqiptarët për të arritur qëllimet e tyre”, shprehet Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Osmani i bëri thirrje opozitës që të dalë me platformë konkrete për zgjidhjen e kontestit me Greqinë dhe zhbllokimin e procesit integrues, duke premtuar se në atë rast BDI-ja do të mbështesë një platformë të tillë.

Duke komentuar kërkesat e partive politike në opozitë që të shpërbëhet parlamenti, të formohet një qeveri teknike përkatësisht në një seancë të jashtëzakonshme kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, qartë të sqarojë para opinionit se çka paraqet synim i Maqedonisë pas bllokimit të procesit integrues për një kohë më të gjatë, analistët politikë vlerësojnë se kjo në masë të konsiderueshme shpreh unitetin e partive politike shqiptare dhe atyre maqedonase, kur bëhet fjalë për zhbllokimin e integrimeve euro-atlantike, por dallojnë format e realizimit drejt këtij synimi.

“Kërkesat e opozitës në vete ngërthejnë një pakënaqësi ekstreme nga situata e krijuar aktualisht dhe posaçërisht qeverisja e VMRO DPMNE-së me BDI-në. Megjithëse mosunifikimi i kërkesave mes opozitës shqiptare dhe maqedonase shpreh frikën që realisht të përballen me zgjedhje. Pra, ata kërkojnë kohë ashtu siç kërkon kohë dhe mazhoranca deri në zgjedhjet lokale që duhet të mbahen për më pak se një vit”.

“Ndërkohë, delegjitimimi i platformave zgjedhore të VMRO DPMNE-së dhe BDI-së është i tërësishëm, dhe tani e tutje ai pushtet, ajo mazhorancë është jolegjitime, ngase harxhoi platformën e elektoratit përmes së cilës i mori votat që ta integrojë vendin në BE dhe NATO”, vlerëson analisti Alajdin Demiri.

Nga ana tjetër, analistja maqedonase, Sonja Stojadinoviq, konsideron se formimi i një qeverie teknike nuk paraqet formulë, përmes së cilës mund të zhbllokohet procesi i integrimit, siç shprehet ajo, në njërën anë për shkak të mungesës së legjitimitetit të qeverisë teknike që të bartë procese të mëdha, dhe së dyti, për shkak të zhvillimeve në Greqi.

“Për momentin ajo që më së paku i duhet vendit është që udhëheqësit e shtetit të aktrojnë dëshpërim, sepse është koha e fundit që partitë politike që morën legjitimitetin e elektoratit të angazhohen për zgjidhjen e problemeve reale në vend, raportet ndëretnike, si dhe gjendjen e rëndë ekonomike. Derisa mbetet vendi i bllokuar jashtë strukturave euro-atlantike, këto çështje vështirë se do të gjejnë zgjidhje”, konsideron Stojadinoviq.
XS
SM
MD
LG