Ndërlidhjet

logo-print

Këshilli i Sigurimit "s'ka qenë efektiv" në mbrojtjen e të drejtave civile


Amnesty International

Amnesty International



Në raportin vjetor për të drejtat e njeriut, organizata Amnesty International thotë se kryengritjet e Pranverës Arabe e kanë bërë 2011-ën “një vit vendimtar për aktivistët”.

Pjesa për Kosovën përmban një përshkrim të gjendjes gjatë vitit 2011. Përmbledhja për Kosovën është përfshirë në kuadër të kategorisë për Serbinë.

Lexoni këtu arsyet e këtij kategorizimi dhe vlerësimin për Shqipërinë dhe Kosovën, në intervistën që Zëri i Amerikës ka zhvilluar me zëvendës drejtoren e Programit për Evropën dhe Azinë Qendrore në këtë organizatë, Jezerca Tigani.

Në aspektin global ndërkaq, AI vlerëson se pavarësisht protestave në rritje kundër abuzimeve me të drejtat e njeriut, organizata vlerëson se qeveritë e të gjitha ngjyrave politike kanë vazhduar të operojnë në mënyrë selektive.

Duke vënë në pah se Qeveria siriane është një blerëse e madhe e armëve ushtarake, të prodhuara nga kompanitë ruse, Amnesty International kritikon Rusinë dhe Kinën për bllokimin e aksionit ndërkombëtar kundër shtypjes që u bën regjimi sirian disidentëve.

Raporti thotë se Rusia dhe Kina kanë bërë që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të duket “i lodhur dhe gjithnjë e më shumë i papërshtatshëm” për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Drejtorja për ligjin dhe politikat ndërkombëtare pranë Amnesty International, Uidnej Braun, shpjegon më shumë:

Ajo çfarë kemi pasur gjatë 12 muajve të fundit – me rreth 9,000 sirianë të vrarë nga qeveria e tyre – ka qenë paaftësia e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të vepruar në mënyrë efektive. Rusia dhe Kina kanë bllokuar çdo rezolutë që është sjellë para Këshillit”.

Në këtë rast, kjo tregon se si dy vendet, të cilat janë në mesin e gjashtë tregtarëve më të mëdhenj të armëve në botë, kanë votuar duke pasur xhepin e tyre në kokë dhe jo idenë e përgjegjësisë për paqe dhe siguri ndërkombëtare”.

Raporti po ashtu kritikon Arabinë Saudite dhe vendet perëndimore se kanë mbyllur njërin sy ndaj abuzimeve të protestuesve në Bahrejn.

Sekretari i përgjithshëm i Amnesty International, Salil Sheti, thotë se “është koha që të drejtat e njeriut të vihen para përfitimeve”.

Mesazhi i Amnesty International nuk është vetëm për udhëheqësit e një pjese të botës. Udhëheqja e dështuar ka qenë një fenomen global në vitin e kaluar dhe ky mesazh është për krerët e të gjitha qeverive, sidomos të atyre në zhvillim”.

Mesazhi është se ato duhet të dinë se kanë përgjegjësi ndërkombëtare. Njerëzit e këtyre vendeve kërkojnë fundin e shtypjes dhe respektimin e të drejtave të tyre”, thotë Sheti.

Raporti i Amnesty International kritikon edhe politikat e brendshme të autoriteteve në Rusi, Bjellorusi, Uzbekistan, Turkmenistan dhe Azerbajxhan, që kanë çuar në goditje të protestuesve, arrestime të udhëheqësve opozitarë dhe heshtje të mospajtimeve.

Xhon Dalluizen është drejtor i Programit për Evropën dhe Azinë Qendrore pranë organizatës Amnesty International.

2011-a nuk ka qenë vit i mirë për lirinë e shprehjes në ish-Bashkimin Sovjetik. Në Bjellorusi, kemi parë masa të ashpra nga viti 2010, të cilat vazhdojnë dhe sot; në Azerbajxhan, protestuesit janë arrestuar dhe paraburgosur”.

Rusia paraqet një tablo me më shumë nuanca, ku njerëzit kanë mbushur rrugët, me numrin më të madh të tyre që nga rënia e komunizmit, porse shumë protesta të vogla edhe janë shtypur”, thotë Dalluizen.

Përparimi në të drejtat e njeriut, sipas raportit, përfshin prirjen globale drejt heqjes së dënimit me vdekje, ashtu si edhe “hapat historikë drejt drejtësisë në Evropë”, me arrestimin e të dyshuarve të fundit për krime lufte në ish-Jugosllavi, Ratko Mlladiq dhe Goran Haxhiq.
  • 16x9 Image

    Valona Tela

    Si përgjegjëse për web-faqen e Radios Evropa e Lirë, ekipit në Prishtinë i është bashkuar në vitin 2007. Nga viti 2011 është redaktore emisionesh në selinë qendrore në Pragë.

XS
SM
MD
LG