Ndërlidhjet

BE-ja do që Greqia të mbetet në Eurozonë


Greqi...
Greqi...

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian duan që Greqia të mbetet në Eurozonë, por kërkojnë nga ajo që të përmbushë premtimet për reforma.

Liderët e 27 vendeve anëtare, në samitin që ka përfunduar punimet sot në Bruksel, kanë diskutuar nëse masat e ashpra të kursimit duhet të marrin rolin udhëheqës në përpjekjet për të nxjerrë ekonomitë e BE-së nga kriza.

Diskutimet, megjithatë, janë zbehur me frikën se Greqia mund të mos jetë në gjendje të përmbushë angazhimet e saj dhe, rrjedhimisht, të detyrohet që të lërë Eurozonën.

Raportet thonë se 16 anëtaret tjera kanë përgatitur plane rezervë në rast të largimit të Athinës.

Euroja, të enjten, ka arritur nivelin më të ulët në 22 muaj, përkatësisht në 1.25 dollar, për shkak të pasigurive të vazhdueshme.

Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuj, duke folur në mbyllje të samitit, është zotuar se BE-ja do të ndihmojë Greqinë të kapërcejë problemet e saj të thella ekonomike.

Do të sigurojmë që fondet dhe instrumentet evropiane të mobilizohen për të sjellë Greqinë në rrugë drejt rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të punës”, ka thënë Rompuj.

Ai, megjithatë, ka theksuar se Greqia duhet të kryejë obligimet e saj nëse do që të vazhdojë me marrjen e qindra miliardave euro ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Vazhdimi i reformave jetike për të rikthyer qëndrueshmërinë e borxheve, për të nxitur investimet private dhe për të forcuar institucionet, është garancia më e mirë për një të ardhme më të begattë në zonën e euros. Presim që pas zgjedhjeve, qeveria e re greke do ta marrë këtë vendim”, ka thënë Rompuj.

Greqia ka premtuar se do të zbatojë reforma të vështira ekonomike dhe shkurtime të mëdha buxhetore, në shkëmbim të 240 miliardë eurove ndihma financiare.

Por, nëse partitë që kundërshtojnë këto masa, sigurojnë fitore në zgjedhjet e qershorit, ekzistojnë shqetësime se marrëveshja mund të prishet. Mosmarrëveshjet për masat shtrënguese kanë bllokuar politikanët grekë nga formimi i koalicionit qeveritar pas zgjedhjeve të 6 majit.

Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso, ka thënë se Bashkimi Evropian ka nevojë edhe për masa shtrënguese, edhe për masa pro rritjes, për të shmangur rënien.

Zgjedhja në mes të stabilitetit dhe rritjes nuk duhet të shihet si zgjidhje. Ne kemi nevojë për të dyja”, ka thënë Baroso.

Presidenti i ri francez, Fransua Holland, ka kërkuar politika të orientuara kah rritja, për të balancuar masat e ashpra shtrënguese, të kërkuara nga Gjermania.

Holland, i cili ka ndjekur samitin e parë të BE-së që nga marrja e postit, ka thënë po ashtu se dëshiron të shohë euro-bono në agjendën evropiane.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, kundërshton euro-bonot. Këto të fundit do të ofronin kredi më të lira për ekonomitë e trazuara si Spanja, por më të shtrenjta për shtetet e fuqishme si Gjermania.(v.t.)
XS
SM
MD
LG