Ndërlidhjet

logo-print

Kuvendi ratifikon marrëveshjen SOFA me SHBA-të


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës


Kuvendi i Kosovës me unanimitet të plotë ka ratifikuar Marrëveshjen SOFA, përmes Projektligjit për ratifikimin e këmbimit të Notave Diplomatike për statusin e forcave të huaja mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me 98 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, të gjitha partitë parlamentare kanë miratuar këtë marrëveshje duke besuar se vota e tyre shkon në shërbim të avancimit të marrëdhënieve të mira me Shtetet e Bashkuara, aleatin kryesor të shtetit më të ri evropian.

Në emër të qeverisë, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj tha se duke e ratifikuar këtë marrëveshje, Kosova pajtohet për imunitetet dhe privilegjet e personelit civil e ushtarak të forcave amerikane, e cila tashmë është realizuar përmes këmbimit të notave me Ambasadën Amerikane në Prishtinë në shkurt të këtij viti.

Marrëveshja për statusin e forcave siguron kornizën ligjore brenda së cilës personelit civil të Ushtrisë Amerikane dhe Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së e të cilët nuk janë pjesë e misionit të NATO-s mund të veprojnë në Kosovë”, tha Hoxhaj.

Marrëveshje të ngjashme me Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar shumica e vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Ministri Hoxhaj në vijim përmendi edhe katër fushat e angazhimit të personelit amerikan në Kosovë që rregullohen me këtë marrëveshje.

Ky personel do të punojë me pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për të zhvilluar tutje aftësinë në kryerjen e katër misioneve të saja thelbësore: zjarrfikjen, kërkimin dhe shpëtimin, largimin e materialeve të rrezikshme dhe largimin e mjeteve eksplozive”, tha në vijim Hoxhaj.

Ratifikimi i Marrëveshjes SOFA është mbështetur unanimisht edhe nga opozita.

Kurse, vërejtjet e parashtruara kryesisht ishin të karakterit teknik e që kishin të bëjnë me përpilimin e tekstit.

Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputetja Vjosa Osmani tha se Projektligji nuk ka pasur nevojë të përcillet edhe me letrën mbështetëse të presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, pasi që Kuvendi, theksoi ajo, është i vetëdijshëm për rëndësinë që ka ruajtja, kultivimi dhe avancimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Shpresoj që të kihen parasysh procedurat e parapara me Kushtetutë në të ardhmen dhe të mos ketë letra nga presidentja ku kërkohet nga presidentja të ratifikohet një marrëveshja që shumë qartë kërkohet të vjen drejtpërdrejtë në Kuvend. LDK natyrisht që do ta përkrahë këtë marrëveshje”, tha Osmani.

Mbështetje ratifikimit të marrëveshjes SOFA i kanë dhënë edhe Lëvizja Vetëvendosje si dhe grupet parlamentare të minoriteteve.

Ndërkaq, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë Kosovës, Ardian Gjini, tha se deputetët janë të bindur që me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje po shtyjnë përpara marrëdhëniet me shtetin alet dhe përkrahës të vazhdueshëm të shtet-ndërtimit të Kosovës.

Kjo votë sot do të jetë element i thellimit të mëtejmë të miqësisë dhe të partneritetit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Gjini.

Pas votimit me unanimitet dhe pa asnjë votë kundër, sipas procedurave, Marrëveshja SOFA u ratifikua nga Kuvendi duke mos pasur nevojë për shqyrtimin e dytë të Projektligjit me anë të cilit u fuqizua kjo marrëveshje.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG