Ndërlidhjet

Serbët në veri të Kosovës nuk e duan Zyrën Administrative


Veri...

Veri...

Paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës për hapjen e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës hasi në rezistencën e banorëve lokalë dhe udhëheqësve politikë serbë të asaj pjese të vendit.

Ata thanë se do të vazhdojnë kundërshtimin e deritashëm ndaj institucioneve shtetërore të Kosovës, ndërsa hodhën poshtë mundësitë që në të ardhmen të bashkëpunojnë me zyrën në fjalë.

Danica Markoviq nga veriu i Mitrovicës, e quajti të panevojshme hapjen e Zyrës Administrative në veri të qytetit, duke shfaqur bindjen se me të do të bashkëpunojnë vetëm individë të caktuar dhe jo shumica e serbëve të veriut.

Mendoj se një institucion i këtillë në veriun e Mitrovicës absolutisht nuk është i nevojshëm për këtë popull. Tentime të ngjashme ka pasur tashmë, do të thotë ka një zyrë që merret me çështje të këtilla administrative dhe natyrisht do të ketë disa individë që do ta pranojnë atë për shkaqe të përfitimit material. Por, megjithatë qëndrimi i asaj që njihet si shumicë e banorëve në veri të Kosovës është se institucionet e të ashtuquajturit shtet të Kosovës nuk janë të pranueshme”, u shpreh Markoviq.

Një ditë më parë, Qeveria e Kosovës vendosi që në veri të vendit të hap një Zyre Administrative me përkushtimin për t’u ofruar banorëve “shërbime më të mira me përgjegjësi më të madhe, si dhe investime në infrastrukturë duke u bazuar në prioritetet e qytetarëve në veriun e Mitrovicës”.

Autoritetet nuk caktuan ndonjë afat kohor për hapjen e kësaj zyre, por shprehën interesimin për alokimin e më shumë fondeve në veri të Kosovës me qëllim të plotësimit të nevojave që kanë qytetarët në veri.

Por, Milosh Bullatoviq, po ashtu banor i veriut të Mitrovicës, u shpreh pesimist për suksesin e zyrës, ndërsa theksoi se serbët e veriut nuk mund të blihen me para.

Me sa e di unë, ata edhe në të kaluarën kanë bërë përpjekje të hapin disa zyra dhe nuk kanë pasur sukses. Mendoj se edhe kësaj radhe nuk do të kenë sukses. Serbët e veriut të Kosovës nuk mund të blihen me para, ndoshta disa individë po, siç kanë bërë deri më tash, por jo shumica. Unë personalisht nuk kam letërnjoftim të Kosovës dhe as që më bie ndërmend të kem një”, tha ai.

Vendimit të ekzekutivit kosovar për themelimin e një zyre në veri iu përgjigjën me tone më kritike aktivistët politikë të veriut të Mitrovicës.

Njëri nga ata, Milan Ivanoviq, kërkoi parandalimin e hapjes së zyrës meqë me të, sipas tij, synohet jetësimi i planit për shpërnguljen etnike të serbëve.

Plani nuk do të ketë sukses, ky është plan i shpërnguljes etnike të serbëve dhe nuk do të ketë sukses pavarësisht një numri të kriminelëve dhe mendoj se bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptoj këtë dhe ta parandaloj”, theksoi Ivanoviq.

Në Qeverinë e Kosovës vlerësuan të mërkurën se hapja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës është një hap teknik drejt krijimit të komunës së re të Mitrovicës Veriore që parashihet dhe në planin e Ahtisaarit.

Marko Jakshiq, një tjetër përfaqësues i serbëve të veriut tha se me krijimin e një komune sipas planit të Ahtisaarit do të largoheshin lidhjet me shtetin serb, gjë të cilën sipas tij, nuk e duan serbët e veriut të Mitrovicës.

Mendoj se serbët do të jenë të lidhur (bashkuar) siç vepruan me referendumin dhe absolutisht do të injorojnë një institucion të tillë që do të thotë largimin nga shteti ynë amë e që quhet Serbia”, tha Jakshiq.

Edhe pse e cilësuan si nismë pozitive për “tu zgjatur dorën e bashkëpunimit” serbëve lokalë, njohësit e zhvillimeve politike në Beograd thanë se hapja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës nuk do të jetë e mjaftueshme për ta zgjidhur problemin e veriut të cilën e konsideruan më shumë si problem politik se sa teknik.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko, tha se integrimi i pjesës veriore të Kosovës në jetën shoqërore e institucionale të Kosovës do të varet nga klima politike në Serbi.

Synimi i Prishtinës zyrtare për vendosjen e një dialogu të brendshëm me serbët e veriut, sipas Biserkos, nuk mund të realizohet duke përjashtuar Beogradin.

Rrjedhimisht, tha ajo, duket pritur formimin e qeverisë së re në Serbi.

Ky kontekst i ri politik është shumë i rëndësishëm, sepse blloku që po merr pushtetin në Beograd është i njohur për rezistencën e tij ndaj këtyre integrimeve pavarësisht retorikës së tyre para dhe pas fushatës zgjedhore. Pra, mbetet të shihet”, tha Biserko në një prononcim dhënë Radios Evropa e Lirë.

Ndikimi i Beogradit mbi serbët lokalë në veri të Mitrovicës vlerësohet të ketë qenë një nga pengesat kryesore për integrimin e asaj pjese të vendit.

Për të realizuar synimin për integrim në Bashkimin Evropian, qeverisë në Serbi i është kërkuar zhbërja e strukturave të saj paralele në Kosovë.

Analistët thonë se duhet pritur zhvillimet e muajve të ardhshëm për të parë se a do të jetë e gatshme qeveria serbe të heqë dorë nga këto struktura si shkëmbim me avancim në procesin e integrimit evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG