Ndërlidhjet

Kërkohet transparencë në prokurimin publik


Pamje nga Prishtina
Pamje nga Prishtina
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka bërë thirrje që sa më shpejt të miratohet Plani i Veprimit Kundër Korrupsionit 2012 – 2016.

Ajo ka bërë këto komente në takimin e tretë të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, që u përqendrua në temën e “Korrupsionit në fushën e prokurimit publik”.

“Sistemi i prokurimit publik duhet të jetë transparent dhe paraja publike duhet të menaxhohet në mënyrë efikase”, ka thënë Jahjaga për të shtuar se është e nevojshme ngritja e fushatave të vetëdijesimit që ndërlidhen me korrupsionin, me qëllim të shtrirjes së ndikimit sa më të gjerë tek të gjitha shtresat e shoqërisë, përfshirë edhe komunitetin e biznesit.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës theksuan nevojën e fuqizimit të institucionit qendror të prokurimit i cili do të merrej me shqyrtimin e rasteve dhe monitorimin e zbatimit të ligjit të prokurimit publik.

Jahjaga në përmbyllje të takimit theksoi se diskutimi për prokurimin publik do të vazhdojë edhe në takimin e radhës me paraqitjen e rekomandimeve konkrete për këtë fushë.

Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit, i krijuar me dekret nga Presidentja e Republikës së Kosovës, do të vazhdojë punimet e tij me takimin e radhës që është paralajmëruar të zhvillohet pas një muaji.
XS
SM
MD
LG