Ndërlidhjet

Abdullah Gyl: Drejtimi i ri i Turqisë


Turqi...

Turqi...


“Project Syndicate”

Shkruan: Abdullah Gyl, president i Turqisë



Turqia, kohët e fundit, ka qenë në ballë të debateve ndërkombëtare - ekonomike dhe politike. Në njërën anë, pavarësisht krizës ekonomike që ka përfshirë Evropën fqinje, Turqia mbetet ekonomia me rritje më të shpejtë në botë, pas Kinës. Në anën tjetër, nuk ka pothuajse asnjë çështje në agjendën globale – Iraku, Afganistani, Somalia, Irani, Pranvera Arabe – në të cilën Turqia nuk luan një rol të dukshëm.

Ky është një fenomen mjaft i ri. Deri para një dekade, Turqia është konsideruar si jo më shumë se një aleat i patundur i NATO-s. Kjo ka nisur të ndryshojë në vitin 2002, kur ka aguar era e stabilitetit politik, duke i dhënë jetë vizionit për një Turqi më të fortë.

Për këtë qëllim, qeveritë e Turqisë, nga viti 2002, kanë zbatuar reforma të guximshme ekonomike, që i kanë shtruar rrugën rritjes së qëndrueshme dhe kanë siguruar barriera kundër krizës financiare, që ka goditur më 2008.

Si rezultat, në më pak se një dekadë, bruto prodhimi vendor është trefishuar, duke e bërë Turqinë ekonominë e 16-të në botë. Për më tepër, vendi përfiton nga financat e forta publike, politika e kujdesshme monetare, dinamika e qëndrueshme e borxhit, sistemi i shëndoshë bankar dhe funksionimi i mirë i tregjeve kreditore.

Në të njëjtën kohë, ne kemi zgjeruar fushën e të drejtave individuale, e cila u nënshtrohej shqetësimeve të sigurisë. Kemi zbutur marrëdhëniet civile-ushtarake, kemi garantuar të drejta sociale dhe kulturore dhe kemi ndjekur problemet e pakicave etnike dhe fetare.

Këto reforma e kanë transformuar Turqinë në një demokraci më të gjallë dhe në një shoqëri më të qëndrueshme – në paqe me vetveten dhe në gjendje për të parë ambientin e saj të jashtëm me tjetër sy.

Thjesht, kemi ndaluar të shohim gjeografinë dhe historinë tonë si mallkim apo dëm. Përkundrazi, lokacionin në udhëkryq të Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme, kemi nisur ta shohim si mundësi për të bashkëvepruar njëkohësisht me lojtarë të shumtë.

Si rezultat, kemi nisur të arrijmë në vendet fqinje dhe më gjerë. Jemi përpjekur të zgjerojmë dialogun politik, të rrisim varësinë e ndërsjellë ekonomike dhe të forcojmë mirëkuptimet kulturore dhe sociale.

Dhe, ndonëse dhjetë vjet janë kohë e shkurtër për një vlerësim përfundimtar të politikës së tillë ambicioze, ne, padyshim, kemi mbuluar terren të konsiderueshëm. Për shembull, ne kemi katërfishuar vëllimin tonë të tregtisë vetëm me fqinjët.

Në disa raste, kemi qenë po ashtu të rëndësishëm në lehtësimin e paqes dhe të pajtimit. Por, çfarë është më e rëndësishme, Turqia është bërë model i suksesit, që shumë vende përreth e kërkojnë.

Megjithatë, deri para një ose dy viti, disa ekspertë politikë kanë pyetur: “Kush e humbi Turqinë?” ose “Për ku është nisur Turqia?” – supozim se Turqia kishte zhvendosur aksin e politikës së jashtme larg Perëndimit.

Në fakt, orientimi i jashtëm i Turqisë ka mbetur konstant, sepse ai mbështetet në vlerat që ndajmë me botën e lirë. Ajo që ka ndryshuar është këmbëngulja jonë më e madhe në përpjekjet për të siguruar stabilitet më të madh dhe mirëqenie njerëzore në rajonin tonë – mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe përgjegjësi jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët.

Kjo qasje është reflektuar në Pranverën Arabe, të cilën Turqia e ka mbështetur me entuziazëm nga fillimi. Nuk kemi hezituar të anohemi kah ata që luftojnë për të drejtat dhe dinjitetin e tyre.

Në të vërtetë, për vendet si Tunizia, Egjipti, Libia dhe Jemeni, të cilat tani përpiqen të institucionalizojnë ndryshimet, Turqia është partneri më aktiv, duke ndarë përvojën dhe duke ofruar ndihmë konkrete në formën e bashkëpunimit ekonomik dhe në ndërtimin e kapaciteteve politike.

Në Siri, në anën tjetër, revolucioni nuk ka përfunduar ende, për shkak të shtypjes brutale të regjimit ndaj kundërshtarëve të tij. Çdo ditë, atje vdesin njerëz në ndjekje të dinjitetit.

Turqia po bën gjithçka të mundur të lehtësojë vuajtjet e njerëzve sirianë. Për fat të keq, komuniteti ndërkombëtar, si tërësi, deri më tash ka vepruar dobët për të siguruar përgjigje efektive ndaj krizës.

Pozicioni i Turqisë në programin bërthamor të Iranit ka qenë i qartë: ne kundërshtojmë kategorikisht praninë e armëve të shkatërrimit në masë në rajonin tonë. Përpjekjet për krijimin e tyre mund të shkaktojnë garë armësh në rajon, çfarë shpie në destabilizim të mëtejshëm dhe kërcënim të paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare.

Ne mbështesim të drejtën e Iranit për të përdorur energji bërthamore për qëllime paqësore. Por, programi i Iranit duhet të jetë transparent dhe udhëheqësit e tij duhet të sigurojnë komunitetin ndërkombëtar për natyrën jo-ushtarake të tij.

Është thelbësore mbyllja e çarjes së besimit dhe hapja e rrugës për dialog kuptimplotë. Në prill, ne kemi organizuar raundin inaugurues të ringjalljes së bisedimeve ndërmjet komunitetit ndërkombëtar dhe Iranit.

Të jemi të qartë: nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë problem. Ndërhyrja ushtarake mund ta ndërlikojë edhe më tej këtë çështje, duke krijuar shtresa të reja të konfliktit në rajonin tonë dhe më gjerë.

Në këtë dhe çështje të tjera, Turqia përpiqet të veprojë si një “fuqi e virtytshme”, e cila kërkon të rreshtojë interesat tonë kombëtarë me vlerat si: drejtësia, demokracia dhe dinjiteti njerëzor, si dhe të arrijë qëllimet e politikës së jashtme përmes bashkëpunimit të ndërsjellë dhe jo forcës.

Multikulturalizmi efektiv është aspekt kyç i këtij vizioni. Turqia ka shërbyer si anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në periudhën 2009-2010 dhe kërkon një tjetër mandat më 2015-2016. Marrë parasysh rëndësinë thelbësore të zhvillimeve në pjesën tonë të botës, kontributi i Turqisë në punën e Këshillit premton të jetë shumë i vlefshëm.

Për më tepër, në vitin 2015, ne do të marrim presidencën e G20-ës dhe jemi të përkushtuar për të përdorur mjetet dhe aftësitë tona për ta bërë atë një organ më efektiv të qeverisjes globale.

Transformimi i brendshëm i Turqisë gjatë dekadës së kaluar, e ka vendosur atë në një pozitë ideale, në dobi të rajonit dhe, në këtë mënyrë, edhe të komunitetit ndërkombëtar.

Ndonëse tashmë kemi arritur shumë, nga ne kërkohet edhe më shumë. Duke pasur parasysh sfidat e fqinjësisë sonë dhe rolin kryesor të rajonit në çështjet globale, Turqia nuk do të përmbahet nga marrja e përgjegjësive të reja.(v.t.)
XS
SM
MD
LG