Ndërlidhjet

Maqedonia dhe Kosova zotohen për forcim bashkëpunimi


Ilustrim
Ilustrim
Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka pranuar letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Republikës së Kosovës, Ylber Hysa.

Ivanov, me këtë rast, ka shprehur kënaqësinë nga zhvillimi i deritanishëm pozitiv i marrëdhënieve me Kosovën, ndërsa ka theksuar përkushtimin për zhvillimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe projekteve infrastrukturore.

“Në periudhën që vjen, pres të vazhdojmë të përmirësojmë dialogun politik në çdo nivel, ndërsa bashkëpunimin e deritanishëm bilateral ta pasurojmë me përmbajtje të reja, në frymën e miqësisë, fqinjësisë dhe kuptimit të ndërsjellë”, ka thënë Ivanov.

Ai po ashtu ka deklaruar se për Maqedoninë dhe vendet e rajonit nuk ka alternativë tjetër pos integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe se Maqedonia kundërshton çdo ide për ndryshimin e kufijve.

“Maqedonia është kundër çdo ndryshimi të kufijve në Ballkan, ndërsa pyetjet e hapura në rajon mund të tejkalohen vetëm me dialog dhe vetëm nëse shtetet ecin përpara me përkushtim te procesi reformues - për çka integrimi në NATO dhe në BE nuk ka alternativë”, ka thënë Ivanov.

Nga ana e tij, ambasadori Hysa, gjatë takimit, i ka përcjellë presidentit Ivanov përshëndetjet e presidentes Atifete Jahjaga dhe të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur dëshirën për bashkëpunim të sinqertë ndërmjet dy vendeve.

“Për ne, Republika e Maqedonisë, me proceset e përfunduara integruese euro-atlantike, me integritet territorial, stabilitet të brendshëm të bazuar në Marrëveshjen e Ohrit, është një politikë dhe interes nacional”, ka deklaruar ambasadori Hysa.

“Kosova është partneri i dytë ekonomik i tregtisë së jashtme të Maqedonisë. Ekziston një komunikim tradicional me prodhimet dhe shërbimet që ofrohen në Maqedoni për qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe shëndetësinë. Për ne është me rëndësi që këto qarkullime të njerëzve, të vlerave dhe të kapitalit të jenë moment i afërsisë, bazuar në vlerat evropiane”, është shprehur Hysa.
XS
SM
MD
LG