Ndërlidhjet

logo-print

Holland diskuton tërheqjen e trupave nga Afganistani


Kabul, 25 maj 2012.

Kabul, 25 maj 2012.

Presidenti i ri i Francës, Fransua Holland, ka bërë një vizitë të papritur në Afganistan, për të diskutuar planin e tij për tërheqjen e trupave franceze në fund të këtij viti.

Holland ka nisur vizitën të premten duke u ndaluar në provincën Kapisa, ku janë të stacionuara shumica e 3,400 forcave franceze.

Ai tha se vendimi për tërheqje para afatit të NATO-s, që është fundi i vitit 2014, është çështje vetëm e Francës.

“Është vendim sovran. Vetëm Franca mund të vendosë për atë që bën Franca”, ka thënë Holland para ushtarëve të tij.

Megjithatë, ai ka theksuar së tërheqja do të realizohet në mirëkuptim me aleatët, “sidomos me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Obama”, dhe në konsultime të ngushta me autoritetet afgane.

Holland më pas ka fluturuar drejt Kabulit për të takuar presidentin afgan, Hamid Karzai.

Në konferencën e përbashkët për gazetarë, Karzai e ka cilësuar Francën si “njërin nga miqtë e vjetër të vendit”.

“Siç e dimë të gjithë këtu në Afganistan, Franca është njëri nga miqtë e vjetër të Afganistanit. Është një vend që ka pasur marrëdhënie me Afganistanin dhe na ka ndihmuar për të paktën 150 vjet. Franca ka ofruar ndihmë gjatë dhe pas xhihadit të Afganistanit kundër komunistëve. Ajo ka ndihmuar në krijimin e shkollave më të mira në Afganistan. Ajo ka ndihmuar që të ndërtohet spitali më i mirë për fëmijët afganë gjatë 10 vjetëve të fundit. Dhe, ushtarët e saj kanë ndihmuar Afganistanin”, ka thënë Karzai.

Vizita e presidentit Holland nuk ishte paralajmëruar paraprakisht.
XS
SM
MD
LG