Ndërlidhjet

SHBA shkurton ndihmat për Pakistanin


Hillari Klinton në sematin amerikan
Hillari Klinton në sematin amerikan
Një komision i senatit amerikan që përgatit ndihmën buxhetore për Pakistanin për vitin e ardhshëm, ka shkurtuar rekomandimet për 33 milionë dollarë në shenjë proteste ndaj dënimit të mjekut që i ndihmoi CIA-s ta gjejë vendstrehimin e Bin Ladenit në Pakistan.

Reduktimi i rekomanduar prej 33 milionë dollarësh paraqet një milionë për çdo vit të dënimit të Shakil Afridit.

I tërë senati duhet të votojë mbi buxhetin e plotë për ndihmat jashtë vendit, mbase gjatë kësaj vere, dhe vetëm atëherë shkurtimet hyjnë në fuqi.

Afridi ka udhëhequr një program vaksinimi në qytetin pakistanez të Abotabadit, përmes të cilit, i ka ndihmuar CIA-s ta verifikojë praninë e bin Ladenit në një kompleks të atjeshëm.

Forcat speciale amerikane e kanë vrarë liderin e Al Kaidës, në një sulm të kryer gjatë natës, një vit më parë.

Sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton tha se Uashingtoni “nuk beson se ekziston ndonjë bazë” për burgosjen e Afridit.

"Siç kam thënë më parë, Shtetet e Bashkuara nuk besojnë se ka ndonjë bazë për ndalimin e doktor Afridit. Ne shprehim keqardhje edhe për faktin se është dënuar, por edhe për dënimin e egër”, tha Klinton.

Klinton, duke folur në Uashignton, tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ngritin rastin e Shakil Afridit me Islamabadin.

Ne po e ngrisim këtë rast dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, sepse besojmë se ky trajtim është i padrejtë dhe i panevojshëm”, ka thënë Klinton.

Pakistani, ka hedhur poshtë çdo kritikë të SHBA-së në rastin e Afridit duke thënë se procesi gjyqësor ndaj mjekut ka qenë korrekt.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Muazam Kan shpjegon:

Mendoj se sa i përket rastit të Afridit, vendimi do të merret në përputhje me ligjet e Pakistanit dhe gjykatat e Pakistanit. Mendoj se duhet të respektojmë sistemin gjyqësor dhe proceset e njëri-tjetrit”, ka thënë Kan.

Afridi, i akuzuar për tradhti, është gjetur fajtor në procesin gjyqësor, të kryer në rethin e Kyberit, që është një rajon gjysmë-autonom fisnor.

Raportet mes SHBA-së dhe Pakistanit kanë shënuar rënie në vitin e kaluar pjesërisht për shkak të sulmit, që la të vrarë bin Ladenin, por edhe për shkak se Uashingtoni ka refuzuar të kërkojë falje për një sulm ajror të NATO-s, që në nëntorin e kaluar vrau 24 ushtarë pakistanezë.

Si hakmarrje ndaj këtyre vdekjeve, Pakistani bllokoi rrugët furnizuese për NATO-n në Afganistanin fqinj dhe palët ende nuk kanë arritur marrëveshje për hapjen e tyre.(a.i.)
XS
SM
MD
LG