Ndërlidhjet

Politika serbe ndaj Kosovës "nuk ndryshon"


Beograd

Beograd

Shefi i Zyrës për Informim në Qeverinë e Serbisë, Millivoje Mihajlloviq, ka shprehur bindjen se nuk do të ketë ndryshime të politikës serbe ndaj Kosovës.

Mihajlloviq ka thënë se duhen kërkuar zgjidhje pragmatike për të përmirësuar jetën e njerëzve dhe se nuk duhen pritur “ndryshime të papritura të politikës”.

Duke folur për mediat serbe, ai ka thënë se “problemi i Kosovës nuk është cilësuar rastësisht si interesi më i madh kombëtar dhe shtetëror, andaj zgjidhjen e tij nuk mund ta vërë në pikëpyetje ndryshimi i qeverisë në Beograd”.

Sipas Mihajlloviqit, Serbia ka dëshmuar se është e mundur formula “Edhe Kosova, edhe Evropa” dhe se me një politikë të tillë duhet të vazhdohet.

“Kjo është e vetmja formulë që mund ta lërë Serbinë në lojë kur janë në pyetje edhe Bashkimi Evropian, edhe Kosova. Qëllimi i Serbisë nuk është vetëm anëtarësimi në BE. BE-ja është instrument serioz për zgjidhjen e problemeve në Kosovë”, ka thënë Mihajlloviq.

Serbia është në pritje të formimit të qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare të 6 majit.
XS
SM
MD
LG