Ndërlidhjet

Pensionistët s’duan lëmoshë, kërkojnë respekt


Pensionistët protestojnë
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:58 0:00

Pensionistët protestojnë

Hasan Blaku, rreth të 70-ve ishte njëri nga qindra pensionistët e Kosovës, të cilët kanë protestuar të premten në qendër të Prishtinës. Blaku tha se gjendja ekonomike dhe sociale e tij është shumë e vështirë. Shuma e parave që ai merr si pensionist kontribut-dhënës nuk mjafton për të blerë as gjërat elementare për të jetuar.

“Si mund t’ia dalë njeriu me 40 euro në muaj?! Nuk mund të paguash as ujë, as mbeturinat, as bukë se lëre gjërat tjera. Ky është mjerim”, u shpreh Blaku.

Ndërkaq, Zenun Rexhepi, po ashtu pensionist, ish-profesor i Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, tha se nuk kërkojnë lëmoshë, por duan që të respektohen dhe të mbrohen të drejtat e tyre.

“Nuk kemi dalë që të protestojmë se nuk kemi çka hamë, shumë prej nesh nuk e kanë këtë problem. Por, kemi dalë këtu që të protestojmë kundër padrejtësive që po na bëhen”, theksoi Rexhepi.

Gjatë protestave në Prishtinë pensionistët kërkuan aprovimin e Ligjit mbi sigurimin pensional dhe invalidor në bazë të punës dhe kontributeve të paguara nga puna, formimin e Fondit Pensional dhe Invalidor, pjesëmarrjen e pensionistëve dhe invalidëve në mjetet e privatizimit të pasurisë shoqërore dhe shtetërore, e cila është ndërtuar me punën e tyre 40-vjeçare.

Pensionistët kontribut-pagues, po ashtu, kërkuan që pensionet të jenë deri në 60 për qind të vlerës së pagës mesatare në Kosovë.

Riza Shala, nga qendra e pensionistëve në Prishtinë, tha se deri më tani pensionistët kosovarë janë duke jetuar në një gjendje të mjerueshme:

“Kjo shkelje shumëvjeçare e të drejtave elementare njerëzore dhe ligjore keqëson gjendjen e pensionistëve dhe të invalidëve të punës prej ditës në ditë, pa shpresë se do të përmirësohet duke shkaktuar ngritjen e pakënaqësisë dhe të revoltës që sinjalizon fundin e durimit”.

Pensionistët, në përmbyllje të protestës, thanë se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, protestat mund të radikalizohen në mënyra të ndryshme

“Nëse Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, heshtin si deri më tani, protestat e ardhshme të pensionistëve dhe të invalidëve do të radikalizohen dhe nuk do të ndërpriten deri në realizimin e kërkesave”, deklaroi Shala.

Në protestë, në përkrahje të pensionistëve ishte edhe deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Visar Ymeri. Ai tha se janë kundër tendencës së Qeverisë së Kosovës, që pensionet të rriten njëherë 20, pastaj 30, e ndoshta më vonë edhe 50 euro. Sipas tij, Qeveria nuk po u jep lëmoshë pensionistëve, por po ua paguan kontributet e punës së tyre 40-vjeçare.

“Ne duhet ta kemi parasysh një gjë - pensioni nuk është lëmoshë apo favor që ua bën shteti pensionistëve, por pensioni është e drejtë që e gëzojnë pensionistët dhe rrjedhimisht as Qeveria dhe as një institucion shtetëror nuk ka të drejtë të luajë me fatin e tyre”, u shpreh Ymeri.

Protesta të pensionistëve u mbajtën në të gjitha qendra e komunave të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, në Kosovë llogariten të jenë 160 mijë pensionistë; ata të cilët kanë mbi 65 vjet, marrin nga 45 euro në muaj, ndërsa ata që kanë paguar kontributet, marrin nga 85 euro.

Pensionistët kërkojnë rritje të pensioneve
Jeta me 80 euro në muaj
XS
SM
MD
LG