Ndërlidhjet

SHBA analizon fitoren e Nikolliqit në raport me Kosovën


Filip Gordon

Filip Gordon

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të analizojnë se çfarë do të thotë fitorja e Tomisllav Nikolliqit në Serbi për Kosovën dhe rajonin, por në të njëjtën kohë mirëpresin angazhimin e tij për të ardhmen evropiane të vendit.

Kështu ka deklaruar ndihmësi i sekretares amerikane të shtetit për çështjet evropiane, Filip Gordon, në konferencën vjetore të Qendrës për SHBA-në dhe Evropën, në Uashington.

“Edhe pse vazhdojmë të analizojmë se çfarë do të thotë zgjedhja e Tomisllav Nikolliqit për Kosovën dhe rajonin e gjerë, ne përshëndesim angazhimin e tij të shprehur për të ardhmen evropiane të Serbisë dhe i bëjmë thirrje që të punojë në mënyrë konstruktive me qeverinë e re, për arritjen e këtij qëllimi”, ka thënë Gordon.

Ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre në Evropë duhet të bashkëpunojnë me udhëheqësit e vendeve të rajonit “rreth ideve të reja” për “zgjidhjen e sfidave në veri të Kosovës”.

“Stabiliteti dhe zhvillimi i Ballkanit Perëndimor do të varet nga ajo nëse shtetet e këtij rajoni realizojnë reformat e nevojshme për euro-integrime”, ka thënë Gordon.

Nikolliq ka mundur presidentin e deritashëm të Serbisë, Boris Tadiq, në balotazhin e 20 majit.
XS
SM
MD
LG