Ndërlidhjet

logo-print
Në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel është konfirmuar të premten se kah mesi i muajit qershor, kur do të merret vendim për vazhdimin e mandatit të misionit të EULEX-it në Kosovë, do të miratohen edhe vendimet për zvogëlimin e këtij misioni.

Duke folur të premten me një grup gazetarësh në Bruksel, Hansjorg Haber, që është komandant për operacionet civile të Bashkimit Evropian, ka thënë se në të ardhmen misioni i EULEX-it në Kosovë do të jetë më i lehtë, më i vogël, por më fleksibil dhe më efikas.

Ai ka thënë se EULEX-i në të ardhmen do të përgatitet edhe për të dorëzuar disa fuqi ekzekutive, të cilat i ka, por, sipas tij, kjo nuk do të ndodhë brenda ditës.
Haber ka sqaruar se do të kalojë një kohë derisa të mos krijohen kushtet në terren që autoritetet e Kosovës t’i marrin të gjitha përgjegjësitë që sot i ka EULEX-i në disa fusha të caktuara.

Sipas Haberit, fokusi i EULEX-it do të jetë në të ardhmen më pak në komponentin policore, e më shumë në atë të gjyqësorit. Pra, ai ka thënë se fokusi do të jetë fusha e drejtësisë, e sidomos rastet e krimit të organizuar, korrupsionit në nivel të lartë dhe krimeve të luftës.

Haber ka theksuar se pret që kosovarët, në të ardhmen, misionin e EULEX-it ta shohin si rrugë drejt Bashkimit Evropian, dhe jo vetëm si mbikëqyrje të pavarësisë së Kosovës, duke marrë parasysh se përparimi i Kosovës në fushën e rendit dhe ligjit është një kusht edhe në procesin e përmbushjes së kritereve për integrimet evropiane.

Ai ka theksuar se do të vazhdohet bashkëpunimi me autoritetet e Kosovës në të gjitha fushat, ndërsa ka pranuar se problem mbetet çështja e veriut, mirëpo duke thënë se EULEX-i këtu nuk mund të bëjë më shumë në situatën aktuale politike.

Burimet në BE ka në pohuar se EULEX-i nuk do t’i dorëzojë të gjitha fuqitë ekzekutive, derisa të mos zgjidhet politikisht edhe çështja e veriut.

Në Bruksel është hedhur poshtë që EULEX-i të përfundojë para se autoritetet e Kosovës të mos kenë mundësi që të kontrollojnë tërë territorin e Kosovës dhe që ketë vetëm një sistem unik të gjyqësorit dhe të Policisë së Kosovës në tërë territorin e vendit.

Sipas burimeve të BE-së, zvogëlimi i EULEX-it do të jetë në masën diku 25- 30 për qind dhe maksimumi i pjesëtarëve ndërkombëtarë në këtë mision do të jetë 1200,ndërsa pjesa tjetër do të jetë nga stafi lokal në Kosovë.

Sipas të njëjtave burime, dorëzimi i fuqive ekzekutive nuk do të ndodhë në një afat më të shkurtër sesa dy vjet, por sa do të zgjasë nuk dihet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG