Ndërlidhjet

Shkeljet e të drejtave civile dhe Eurovizioni

  • RFE /RL

Eurovizion 2012

Eurovizion 2012

Sonte në Azerbajxhan do të zhvillohet nata finale e Festivalit Evropian të Këngës, pavarësisht protestave të gjera në vend, që kërkojnë respektimin e të drejtave të njeriut.

Qeveria autoritare në Azerbajxhan është munduar që për garën e këngës të prezantohet si vend modern dhe i begattë dhe ka shpenzuar miliona dollarë për renovime në kryeqytet.

Por, aktivistët, në anën tjetër, kanë organizuar një sërë protestash antiqeveritare për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar kundër shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut.

Ali Kerimli, udhëheqës i partisë opozitare “Fronti Popullor”, thotë se autoritetet nuk kanë bërë asgjë për të përmirësuar situatën e të drejtave civile.

“Kemi pritur që Eurovizioni të tërhiqte vëmendjen në Azerbajxhan dhe kjo ka ndodhur. Në muajt e fundit, shumë media me ndikim në Evropë u kanë kushtuar vëmendje problemeve në Azerbajxhan. Por, për fat të keq, autoritetet azerbajxhanase nuk kanë bërë asgjë për të përmirësuar situatën në vend dhe këtë shans e kanë shfrytëzuar si mundësi për t’i treguar botës së Azerbajxhani po reformohet. Por, kjo nuk ndodh”, thotë Kerimli.

Grupet për të drejtat e njeriut, përfshirë dhe organizatën Amnesty International, vazhdimisht e radhisin poshtë Azerbajxhanin sa i përket respektimit të të drejtave civile.

Ato citojnë kufizime në lirinë e shprehjes dhe të tubimit, arrestime për shkak të kundërshtimeve të qeverisë dhe tortura që ushtron policia.

Xhon Dalluizën, zëvendësdrejtor për Evropën dhe Azinë Qendrore pranë organizatës Amnesty Interantional, thotë se shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut kanë vazhduar deri në fillimin e Eurovizionit.

“Amnesty International, për kohë të gjatë, ka ngritur zërin për shkelje serioze të të drejtave humane në Azerbajxhan. Shtypja e lirisë së shprehjes, disidentëve, organizatave joqeveritare, gazetarëve kritikë dhe kujtdo që kritikon presidentin Ilham Alijev, ka vazhduar deri në garën e Eurovizionit”, thotë Dalluizën.

Qeveria ka hedhur poshtë akuzat për shkelje të tilla, duke thënë se grupet për të drejta duan të dëmtojnë imazhin e Azerbajxhanit.

Fqinji i tij, Armenia, që është në konflikt me Azerbajxhanin për shkak të territorit separatist të Nagorno Karabakut, ka bojkotuar garën e këngës.

Në skenën e sotme do të ngjiten 26 finalistë – në mesin e tyre edhe përfaqësuesja e Shqipërisë, këngëtarja kosovare, Rona Nishliu, me këngën Suus.

Azerbajxhani ka siguruar të drejtën e nikoqirit pasi dueti azerbajxhanas, Edgar dhe Nigar, kanë fituar garën e vitit të kaluar në Gjermani.

Festivali Evropian i Këngës zakonisht ndiqet nga një audiencë televizive prej më shumë se 100 milionë shikuesish në mbarë botën.(v.t.)
XS
SM
MD
LG