Ndërlidhjet

Irani ka hedhur poshtë raportin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sipas të cilit, Teherani ka pasuruar uranium mbi nivelet e lejuara.

I dërguari i Republikës Islamike në Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB), Ali Asgar Solltanieh, tha se gjurmët e gjetura të uraniumit të pasuruar ishin “çështje teknike”.

ANEB ka thënë të premten se inspektorët e tij kanë gjetur disa grimca të uraniumit të pasuruar deri në 27 për qind, në një lokacion të Iranit.

Raporti ka vënë në pah se pasurimi është më i lartë se 20 për qind, siç ka deklaruar Teherani, por, megjithatë, nuk ka përjashtuar mundësinë e gabimeve teknike.

Uraniumi i pasuruar në 20 për qind është i nevojshëm për karburant bërthamor.

Irani ka deklaruar se pasuron uranium për qëllime ekskluzivisht paqësore, por Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe disa vende të tjera dyshojnë se Republika Islamike synon krijimin e armëve bërthamore.
XS
SM
MD
LG