Ndërlidhjet

logo-print

Rezultatet preliminare: Aliu 57.59%, Salihaj 42.41%


Kuti votimi e mbyllur...

Kuti votimi e mbyllur...

Rezultatet preliminare të raundit të dytë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës në Ferizaj, kanë nxjerr fitues kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Agim Musliu.

Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë se në këto zgjedhje kanë votuar 27, 49 për qind prej 95,449 votuesve me të drejtë vote në komunën e Ferizajt.

“Sipas subjekteve politike, Partia Demokratike e Kosovës, me kandidatin Agim Aliu, ka marrë gjithsej 14 mijë e 832 vota apo 57. 59 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës me kandidatin Adem Salihaj, ka marrë gjithsej 10 mijë e 922 apo 42.41 për qind. Këto janë rezultatet preliminare dhe nuk janë përfshirë votat me kusht dhe votat e ekipeve mobile”, ka thënë Daka.

Dakaj ka sqaruar se këto rezultate janë nga projekt ploti “K-Vote”, i cili është aplikuar për këto zgjedhje. Sipas saj, pas daljes së rezultateve nga Komisioni Komunal Zgjedhor i Ferizajt dhe pas verifikimit nëse ka pasur ankesa për procesin zgjedhorë, si dhe pas marrjes së vërtetimit nga Gjykata Supreme dhe Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa, do të bëhet certifikimi i rezultateve.

Ndryshe, procesi zgjedhor në komunën e Ferizajt, sipas zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është zhvilluar normalisht. Ata kanë raportuar se të gjitha vendvotimet në Ferizaj janë hapur me kohë dhe janë mbyllur në orën 19:00.

Ndërkaq, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, gjatë ditës, zëdhënësi i KQZ-së, Fehmi Ajvazi, e ka vlerësuar të ulët daljen e qytetarëve në votime deri në orën 15.

“Deri në orën 15, kanë votuar 16. 98 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Prej 95 mijë e 449 votuesve me të drejtë vote, deri më tash kanë votuar 16 mijë e 205 votues”, ka thënë Ajvazi.

Kurse, përfaqësuesit e koalicionit të OJQ-ve, Demokracia në Veprim, që monitoruan zgjedhjet në Ferizaj, kanë bërë të ditur se janë vërejtur disa parregullsi në vendvotime, por të cilat nuk e pengojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Besnik Ramadanaj nga Demokracia në Veprim ka thënë se parregullsitë e shënuara gjatë orëve të para janë të karakterit dytësor.

“Parregullsi tjetër që e kemi evidencuar është trendi i rasteve të votimeve familjare. Pastaj, prezenca e personit të paautorizuar, i cili ka qarkulluar nëpër vendvotimet e një qendre”, ka thënë Ramadanaj.

Demokracia në Veprim, gjithashtu, ka shfaqur shqetësim për nivelin e ulët të daljes së votueve në zgjedhjet e së dielës në Ferizaj.

Ndryshe, rrethi i parë i votimeve është mbajtur më 29 prill. Rezultatet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë treguar se kandidati i PDK-së, Aliu, kishte fituar 40.7 për qind të votave, kurse Salihaj i LDK-së 24.09 për qind të votave.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG