Ndërlidhjet

Damasku mohon përgjegjësinë për masakrën, bota e dënon ashpër


Trupat e 90 civilëve të vrarë në Houla, prej tyre 32 fëmijë...
Trupat e 90 civilëve të vrarë në Houla, prej tyre 32 fëmijë...
Qeveria e Sirisë ka mohuar përgjegjësinë për vrasjen e 92 personave në Houla të Homsit - në mesin e tyre 32 fëmijë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Xhihad al-Makdeshi, ka thënë se “terroristët” janë përgjegjës për vdekjet dhe se Damasku do t’i hetojë ato.

“Ne mohojmë fuqishëm përgjegjësinë e forcave të qeverisë në këtë masakër që ka ndodhur. E dënojmë fuqishëm këtë masakër terroriste që kishte në shënjestër popullin e Sirisë: gratë, fëmijët dhe burrat e vjetër”, ka thënë al-Makdeshi.

Monitoruesit e Kombeve të Bashkuara nuk janë lejuar të hyjnë në Houla të premten dhe të shtunën, kur ushtria siriane ka bombarduar qytetin.

Shefi i misionit vëzhgues, Robert Mud, ka thënë se monitoruesit më pastaj kanë numëruar 92 trupa të pajetë në Houla - në mesin e tyre dhjetëra fëmijë.

“Vdekja e 32 fëmijëve të pafajshëm, humbja e grave dhe burrave, por në veçanti e fëmijëve, është një sulm i papranueshëm për të ardhmen dhe synimet e popullit sirian - pavarësisht se kush e ka nisur, kush i është përgjigjur dhe kush ka kontribuar në të”, u ka thënë Mud gazetarëve në Damask.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, dhe i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe për krizën, Kofi Anan, kanë thënë se Qeveria siriane ka shkelur në mënyrë brutale ligjin ndërkombëtar.

Ata, po ashtu, i kanë bërë thirrje regjimit që të ndalojë menjëherë përdorimin e tankeve, artilerisë dhe armëve të rënda kundër popullatës civile.

Anan pritet të arrijë në Damask të hënën, për të diskutuar vrasjet dhe për të shprehur kritikat në rritje të komunitetit ndërkombëtar.

Në Uashington, zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare të SHBA-së, Erin Pelton, ka thënë se regjimi sirian u është përgjigjur me “brutalitet të papërshkrueshëm dhe çnjerëzor” protestave paqësore politike.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka theksuar se vrasjet kanë qenë “masakër dhe mizori”.

“Vëzhguesit e OKB-së kanë konfirmuar se dhjetëra burra, gra dhe fëmijë janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur nga sulmet që përfshinin artilerinë e regjimit dhe breshërinë e plumbave në lagjen e banuar”, ka theksuar Klinton.

“Ata që kanë kryer mizorinë, duhet të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës. Shtetet e Bashkuara do të punojnë me komunitetin ndërkombëtar për të intensifikuar presionin mbi (presidentin sirian) Asadin dhe miqtë e tij”, është shprehur kryediplomatja amerikane.

Sipas aktivistëve, forcat besnike të Asadit kanë granatuar Houlan pas protestës masive të opozitës kundër regjimit.

Liga Arabe ka njoftuar të dielën se do të kërkojë një sesion të jashtëzakonshëm më 2 qershor, në Doha të Katarit, për të diskutuar vrasjet në Houla.

Britania ka thënë se kërkon “një përgjigje të fortë ndërkombëtare”, ndërsa Franca ka bërë të ditur se do të kontaktojë grupin e Miqve të Sirisë për të caktuar takimin.

Udhëheqësit në mërgim të opozitës siriane janë takuar të dielën në Stamboll me ministrin e Jashtëm turk, Ahmet Davutogllu.

Siria është përfshirë nga protestat antiqeveritare dhe dhuna qysh në mars të vitit të kaluar.(v.t.)
XS
SM
MD
LG