Ndërlidhjet

KQZ: Dalje e ulët e votuesve në Ferizaj


Ilustrim me foto nga arkivi
Ilustrim me foto nga arkivi
Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se procesi zgjedhor në raundin e dytë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Ferizajt po zhvillohet normalisht.

Por, zëdhënësi i KQZ-së, Fehmi Ajvazi, e ka vlerësuar të ulët daljen e deritashme të qytetarëve në votime.

“Deri në orën 15, kanë votuar 16. 98 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Prej 95 mijë e 449 votuesve me të drejtë vote, deri më tash kanë votuar 16 mijë e 205 votues”, ka thënë Ajvazi.

Ndërkaq, përfaqësuesit e koalicionit të OJQ-ve, Demokracia në Veprim, e cila po monitoron zgjedhjet në Ferizaj, kanë bërë të ditur se janë vërejtur disa parregullsi në vendvotime, por të cilat nuk e pengojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Besnik Ramadanaj nga Demokracia në Veprim thotë se parregullsitë e shënuara gjatë orëve të para janë të karakterit dytësor.

“Po shtohet numri i qytetarëve, të cilët po kanë problem për gjetjen e emrave të tyre në listat e votuesve. Parregullsi tjetër që e kemi evidencuar është trendi i rasteve të votimeve familjare. Pastaj, prezenca e personit të paautorizuar, i cili ka qarkulluar nëpër vendvotimet e një qendre”, ka thënë Ramadanaj.

Demokracia në Veprim, gjithashtu, ka shfaqur shqetësimin për nivelin e ulët të daljes së votueve në zgjedhjet e sotme në Ferizaj.

Ndryshe, rrethi i parë i votimeve është mbajtur më 29 prill. Rezultatet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë treguar se kandidati i PDK-së, Aliu, ka fituar 40.7 për qind të votave, kurse Salihaj i LDK-së 24.09 për qind të votave.
XS
SM
MD
LG