Ndërlidhjet

Shkëputje institucionale e Serbisë ndaj Kosovës!


Ilustrim

Ilustrim

Politika e Serbisë ndaj Kosovës, deri më tash nuk ka qenë mjaft e qartë dhe transparente, por kjo situatë pritet të ndryshojë pas ndryshimeve në skenën politike në Serbi, të cilat dolën nga zgjedhjet e fundit, ku në krye të shtetit tashmë ka ardhur Tomisllav Nikolliq, vlerësojnë politikanët serbë të Kosovës.

Marko Jakshiq, politikan serb nga veriu i Kosovës, vlerëson se, duke u bazuar në deklaratat e fundit të kryetarit të ri serb, Nikolliq, si dhe paralajmërimeve që vijnë nga Beogradi, ndaj Kosovës do të udhëhiqet një koncept tjetër nga ai i deritashmi, kur në krye të shtetit ishte Boris Tadiq.

Sipas tij, procesi i bisedimeve të Serbisë, qoftë me Kosovën, qoftë me Brukselin, do të jetë më transparent dhe se qytetarët në Serbi do ta dinë se çfarë po ndodhë dhe për çfarë po bisedohet.

Megjithatë, siç thotë Jakshiq, politika ndaj Kosovës do të jetë më e fortë se sa deri më tash.

“Ajo që dimë është se kryetari i ri i Serbisë, por edhe opinioni në Serbi do të kërkojnë nga Bashkimi Evropian që ta bëjë me dije se a po e kushtëzojnë me Kosovën hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian ose jo. Thjesht, nga kjo do të ndërtohet politika e re në Serbi”, thotë Jakshiq.

Por, politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkoviq, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe, vlerëson se kryetari i ri serb, Tomisllav Nikolliq, ka ofruar opsion të ngjashëm me atë që ka ofruar ish-kryetari Boris Tadiq - rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Bvropian.

Ajo thotë se nuk dyshon se Nikolliqi do ta ndryshojë kursin.

“Ajo, për të cilën jam gëzuar unë dhe të gjithë, është se me Nikolliqin vjen edhe përshpejtimi i lëvizjes drejt Bashkimit Evropian, duke pasur parasysh se kemi pasur edhe partinë e Nikolliqit, por edhe partinë e Tadiqit, të cilat e kanë ofruar opsionin e Bashkimit Evropian si e ardhme”.

“Ky, në fakt, është një konsensus i plotë. Afër 70 për qind e banorëve të Serbisë ka vendosur për këtë projekt dhe të gjithë ne kemi pritur dhe presim që gjërat të sqarohen dhe se do të jetë një orientim krejtësisht i qartë i Serbisë në këtë drejtim”
, shprehet Trajkoviq.

Ndryshe, kohë më parë autoritetet serbe kanë theksuar se nuk do të heqin dorë nga politika “Edhe Evropa, edhe Kosova”, si dhe institucionet paralele serbe në Kosovë, të cilat janë kundërshtuar nga zyrtarë të vendeve të fuqishme evropiane.

Jakshiq shpreh mendimin se qasja e kryetari të ri serb, Nikolliq, dhe qeverisë së re serbe ndaj Kosovës do të ndryshojë vetëm në kuptimin se ajo do të jetë më e fortë.

Në çfarëdo rasti, unë mendoj se politika ndaj Kosovës do të jetë shumë më e fortë dhe më kombëtare se sa ajo që ka qenë gjatë katër viteve të kaluara. Serbia do të gjendet para dilemës se a do të vendosë për Kosovën apo për Bashkimin Evropian”.

“Mënyra se si janë zhvilluar bisedimet deri më tash, thjesht sjellin deri te fakti se lëshimet e mëtutjeshme të Serbisë ndaj Kosovës rezultojnë me krijimin e Kosovës së pavarur dhe Serbia duhet të vendosë se a dëshiron të shkojë në Bashkimin Evropian, apo të heqë dorë nga territori”,
thekson Jakshiq.

Por, Trajkoviq vlerëson se autoritetet serbe, në një mënyrë e kanë pranuar shkëputjen institucionale të Serbisë nga Kosova.

“Unë mendoj se të gjithë liderët nga Beogradi, duke pranuar që të dalin në zgjedhje, të cilat në Kosovë i ka përcjellë OSBE-ja, duke pranuar ose jo publikisht, në një mënyrë e kanë pranuar shkëputjen institucionale me hapësirën e Kosovës. Këtu është gjithashtu edhe Nikolliqi, i cili e ka pranuar jolegjitimitetin e zgjedhjeve (lokale) në Zubin Potok dhe Zveçan”, vlerëson Trajkoviq.

Ajo shton se nuk pret që kryetari i ri serb, Nikolliq, ta ndryshojë shumë qasjen ndaj Kosovës, të cilën më parë e ka pasur Boris Tadiqi dhe se deklaratat, siç i quan ajo, të forta, më tepër kanë qenë retorikë parazgjedhore.

Sipas Rda Trajkoviqit, Nikolliqi më shumë do t’i kushtojë rëndësi çështjes se sa janë të gatshëm shqiptarët dhe liderët e tyre institucionalë dhe joinstitucionalë, që t’i pranojnë serbët të jetojnë në hapësirën e Kosovës dhe të përfitojë garanci për ta.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG